1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Gjermania dhe Franca kundër anëtarësimit të shpejtë të Rumanisë dhe të Bullgarisë në zonën e Shengenit

Bullgaria dhe Rumania shpresojnë të bëhen anëtare të kësaj zone në mars të vitit 2011, por Parisi dhe Berlini e konsiderojnë një hap të tillë si të parakohshëm.

default

Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maizière (CDU), dhe homologu i tij francez Brice Hortefeux i drejtuan një letër Komisionit të BE-së në Bruksel në të cilën shprehin rezervat e tyre ndaj anëtarësimit të shpejtë të Rumanisë dhe të Bullgarisë në zonën e Shengenit. Të dy ministrat theksojnë se si në Rumani edhe në Bullgari ka mangësi në masat parandaluese për luftimin e korrupsionit dhe të kriminalitetit të organizuar. Rumania e quajti këtë veprim si një akt diskriminues.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane Christoph Steegmans tha gjatë një konference shtypi të mërkurën (22.12.) në Berlin se qeveria gjermane dhe kancelarja e mbështesin anëtarësimin e këtyre dy vendeve në zonën Shengen, por se ka një dallim mes qëndrimit të përgjithshëm dhe problemeve specifike që duhen zgjidhur: "Me sa di unë përmbajtja e letrës është më komplekse. Dihet se ka një drejtim të madh që duhet ndjekur dhe se ka gjithmonë edhe çështje teknike që duhen zgjidhur. Të dyja duhet dhe do të shkojnë dorë për dore."

Zëdhënësi i MPB, Stefan Paris, tha: "Natyrisht që edhe në këtë letër është bërë e qartë se të dyja shtetet kanë arritur shumë. Megjithatë sipas mendimit të të dy ministrave Hortefeux dhe De Maizière këto nuk mjaftojnë për të respektuar si kohë për anëtarësimin marsin e vitit 2011. Ata mendojnë se duhen ndërmarrë përpjekje të mëtejshëm për të mundësuar edhe anëtarësimin në zonën Shengen. Pra nuk thuhet që nuk do të ketë një anëtarësim të tillë, por vetëm që jo në këtë moment, ngaqë nuk janë plotësuar të gjitha parakushtet."

Zëdhënësi i MPJ Andreas Peschke theksoi edhe një herë, "se si MPJ gjermane edhe Ministria e Brendshme edhe qeveria gjermane janë në parim pro anëtarësimit të Bullgarisë dhe të Rumanisë në zonën Shengen, sikurse është rënë dakord në nivel evropian. Por për një anëtarësim të tillë duhen plotësuar kushte dhe duhet gjykuar me hollësi se kur janë plotësuar ato."

Peschke theksoi se letra e dy ministrave do të merret parasysh në konsultimet në nivel evropian. Më pas Komisioni i BE-së do të bëjë një evaluim, i cili do të përbëjë edhe bazën për konsultimet e ministrave të Drejtësisë dhe atyre të Brendshëm, të cilët do të vendosin për planin kohor të anëtarësimit.

Autor: Peter Stützle / Pandeli Pani

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 23.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zoWM
  • Data 23.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zoWM