1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Gjermania dhe Franca duan të mbyllin "vrimat " e evazionit fiskal

Qeveritë në të gjithë botën duan të ndalojnë tregtimin e pafre të produkteve të dyshimta financiare. Të ashtuquajurat oaze fiskale, nuk do të jenë më të lejuara për transaksionet financiare me risk të lartë

default

Ministri gjerman i financave Peer Steinbrueck flet në një konferencë për shtyp në Paris për evazionin fiskal

Për shumë konsumatorë situata ekonomike është përkeqësuar nga kriza financiare. Akush nuk e di se sa kohë do të zgjasë ende ngushtica në sistemin ndërkombëtar financiar. Po më pas? Asgjë nuk do të jetë më si më parë. Mbikqyrja bankare do të përmirësohet dhe më shumë rregulla do të drejtojnë fluksin e parave. Për këtë qëllim Gjermania, Franca dhe 15 vende të tjera të OECD-së (Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në Evropë), kanë iniciiuar një fazë të re në luftën kundër oazeve fiskale.


Në mbarë Evropën qeveritë po injektojnë shuma miliardëshe në sistemet e tyre financiare. Në të njëjtën kohë, miliona e miliarda zhduken në të ashtuquajurat parajsa fiskale, që ndodhen gjithashtu në Evropë. Për t'i shpallur luftë kësaj situate të papërshtatshme, dhe për të tharë, siç thuhet shpesh, këto oaze fiskale, Gjermania dhe Franca ftuan në kuadër të OECD-së në një takim në Paris. Ministri gjerman i financave Peer Steinbrück, e drejtoi fillimisht kritikën ndaj atyre që nuk kishin ardhur:


"Nuk u paraqitën: Luksemburgu, Zvicra, Lihtenshtjani dhe Austria. Kjo hedh një dritë shumë kritike mbi ne si Europianë, dhe kështu kemi një problem me njëri-tjetrin."


OECD-ja ka hartuar një listë me të zezë të parajsave fiskale. Në të bëjnë pjesë aktualisht vetëm tre shtete, por të gjithë në Europë: Monako, Lihtenshtajni dhe Andora. Në listë mungon të paktën një shtet, bëri të qartë ministri gjerman i financave Steinbrück: Zvicra!


"Zvicra ofron kondita të tilla që i shtyn taksapaguesit gjermanë t'i shmangen detyrimeve fiskale në Gjermani. Kështu Zvicra duhet të jetë në një listë të tillë të zezë. Zvicra është e gatshme të bashkëpunojë me ne vetëm kur bëhet fjalë për mashtrim fiskal të dëshmuar. Por që unë t'i vërtetoj taksapaguesve të mi këtë mashtrim fiskal, më duhen pikërisht ato informacione që ka Zvicra. Por ajo nuk i ofron ato. Ky është problemi."


Në pranverën e vitit të ardhshëm, OECD-ja do të aktualizojë listën e vendeve që nxisin evazionin fiskal dhe pastrimin e parave. Paralelisht do të hartohet edhe një listë "e gjelbër" me shtetet që bashkëpunojnë. Ministri gjerman i financave synon të ushtrojë më shumë trysni mbi parajsat fiskale. Atje ushtrojnë aktivitetin shumë shoqëri "hedge-fonds" të cilat me transaksionet e tyre shumë riskante, janë disa nga shkaktaret e trazirave në tregjet financiare.


Ministri gjerman i financave e sheh veten në përgjegjësi për të vepruar: "Tek ne në Gjermani, shumë njerëz, përballë krizës së tregjeve financiare, pagave të larta dhe shpërblimeve të menaxherëve, rasteve të veçanta të evazionit fiskal dhe korrupsionit, ngadalë po dyshojnë në modelin tonë shoqëror dhe ekonomik. Ata pyesin veten nëse janë budallenjtë e kësaj shoqërie. Dhe pikërisht këtu është detyrë e politikës në rrafsh ndërkombëtar të vërë në lëvizje gjithçka për të luftuar mashtrimin dhe evazionin fiskal."


Nëse nuk ka marrëveshje ndërkombëtare, Steinbrück deklaroi se ai do të marrë në Gjermani masa konkrete. Për këtë ministri gjerman i financave do të përmirësojë mbikqyrjen e tregjeve financiare, dhe do të koordinojë më mirë bashkëpunimin mes mbikqyrjes financiare dhe doganës. Veç kësaj do të ketë edhe masa fiskale. Steinbrück kërkon të bindë por ai bëri të qartë se veç kulaçit në rast nevoje do të përdorë edhe kërbaçin.

  • Data 22.10.2008
  • Autor Angela Ulrich
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FekU
  • Data 22.10.2008
  • Autor Angela Ulrich
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FekU