1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

"Gjermania - destinacion perfekt për Snowden"

Në librin e tij "Dosjet e Snowdenit", gazetari i "The Guardian", Luke Harding përshkruan se si bota mësoi për përgjimet masive të shërbimeve sekrete. Me DW Harding foli për përvojën e tij me shërbimin britanik, GCHQ.

Luke Harding

Luke Harding

DW: Kemi dëgjuar shumë për motivet e Snowdenit. Jeni i bindur se ishte vetëm vullneti i tij i lirë faktori parësor në gjithë këtë?

Luke Harding: Mendoj se nuk ka dyshim që Snowden është një person me bindje politike të djathta, një konservator i traditës së vullnetit të lirë, liberalizmit. Ka një dëshmi që tregon se ai ka dhuruar për Ron Paul, përfaqësuesi më i njohur i liberalizmit në Amerikë këto kohë. Postimet e tij për shumë nga liberalët europianë do të ishin të përbuzshme. Ai është kundër kontrollit të armëve, nuk beson në sigurinë sociale e kështu me radhë....Ai beson se programet e spiunazhit që quhen "survejim pa bazë" janë të gabuara dhe jo efektive. Kjo është interesante. Snowden e paraqet veten si një patriot që beson në domosdoshmërinë e spiunazhit dhe e do vendin e tij, por është i mendimit se përgjimi duhet drejtuar kundër personave të caktuar të dyshaur. Është interesante, disi e komplikuar, por ai është vërtet një patriot i krahut të djathtë.

DW: "The Guardian" është lënë në baltë, jo vetëm nga qeveria, por edhe nga peizazhi mediatik britanik. Ndjeheni të zhgënjyer për këtë? Dhe çfarë do të thotë kjo konkretisht për lirinë e shtypit, kur qeveria mund të ushtrojë kaq presion ndaj medias për të ndjekur politikën e saj?

Luke Harding: Po ndodhin disa gjëra. Heshtja politike së pari nuk është e vështirë të shpjegohet, të dyja palët si laburistët e qeverisë së mëparshme- dhe konservatorët në koalicionin qeverisës kanë qenë përgjegjës për nënshkrimin e programeve sekrete kaq ofensiv, ku praktikisht mund të mblidhen të dhënat e çdokujt. Kjo u bë pa ndonjë dijeni të publikut apo ndonjë miratim duke përdorur një kornize legale, drafti i së cilës ishte përgatitur në vitin 2000, kur Facebook ishte thjesht një shkëndijë në mendjen Mark Zuckerberg-ut.

Tjetra është - e për këtë kam shkruar në libër- se si qeveria britanike pas dyerve të mbyllura ka bërë presion ndaj "The Guardian". Ata ishin thellësisht të prekur që ne e kishim në dorë materialin, dhe donin që ne ta kthenim...E gjithë kjo fushatë presioni dhe frikësimi, detyrimi që simbolikisht të shkatërronim kompjuterat tanë- unë e përshkruaj në libër si gjysmë- Stasi dhe gjysmë qesharake. Më duket kështu është, nga njëra anë komike, dy agjentë britanikë në moshë të pjekur na ndiqnin me sy kur shkatërronim Macbook Pros dhe bënin fotografi. Por nga ana tjetër për dikë që kujdeset për lirinë e shtypit dhe të drejtën e gazetarisë për të investiguar histori të ndryshme që janë të bezdisshme për qeverinë, ky ishte një moment i trishtueshëm.

DW: Ju keni përmendur Gjermaninë dhe kancelaren Merkel që ka qenë objekt kryesor i operacionit të përgjimit. Mendoni se Gjermania duhet të marrë parasysh rrezikun e ftohjes me Shtetet e Bashkuara dhe t'i ofrojë azil Snowdenit?

Luke Harding: Mendoj se Gjermania do të ishte një destinacion perfekt për Snowden. Mendoj se situata e tij në Moskë është delikate dhe aspak e lakmueshme. Ironikisht, po të shohim historinë, Berlini Lindor është kthyer në një epiqendër, një lloj magneti për njerëzit e medias që duan të shpëtojnë. Jake Appelbaum ishte në Berlinin Lindor, e kam takuar atje, Laura Poitras po redakton filmin e Snowdenit nga Berlini. Në Gjermani ka një lulëzim të medias pluraliste. Mendoj se Berlini do të ishte një vend perfekt për të. Por e parë në mënyrë realiste, edhe pse Merkel mund të ketë qenë zemëruar që është përgjuar për më shumë se një dekadë, e madje dhe Gerhard Schröder para saj, ajo është një super pragmatiste, dhe duke i ofruar azil Snodenit, do të shkaktonte një dëm më të madh për partneritetin transatlantik. Kjo do të ishte fatura që ajo apo politikanë të njohur gjermanë do të duhej të ishin të gatshëm ta paguanin.

Ka edhe një çështje tjetër: Sa është bashkëfajtore BE me NSA-në? Po qe se e lexon deklaratën e Snodenit për Parlamentin Europian, ai thotë se ata janë shumë të ndërlidhur. Kështu ka edhe një element hipokrizie në këtë çështje.

DW: Çfarë do të bëhet me Snoden kur të skadojë afati i azilit në Rusi?

Luke Harding: Mendoj se azili i tij do të zgjatet. Para së gjithash, ai nuk ka ku të shkojë.Tjetra, Snowden është një kapital propagandistik për Kremlinin, që nuk pse të thotë, që ai është një spiun rus, sepse nuk është. Sigurisht ai është një mundësi për Vladimir Putinin që të akuzojë Perëndimin për standartet e dyfishta, në një kohë kur duke ndjekur udhën e invazionit të Ukrainës, ne jemi gjithnjë e më shumë brenda një skenari të Luftës së Ftohtë. Dhe Snowden në këtë lojë shahu është një gur i rëndësishëm.