1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Gjermania - bursa për studentë dhe specialistë shqiptarë

Rreth 100 bursa për të studjuar apo për t'u kualifikuar në Gjermani janë akorduar për nxënësit, studentët, specialistët dhe akademikët shqiptarë. Në ambasadën gjermane në Tiranë është zhvilluar një ceremoni prezantimi.

Mbi 100 bursistë shqiptarë do të kualifikohen në Gjermani. Në foto: nga ceremonia e prezantimit të bursistëve në Ambasadën e RFGJ në Tiranë

Bursistë shqiptarë që do të kualifikohen në Gjermani. Në foto: nga ceremonia e prezantimit të bursistëve në Ambasadën e RFGJ në Tiranë

Synimi i studiuesve: fitimi i eksperiencës gjermane e thellimi i njohurive në njërin nga vendet më të zhvilluar në kontinent e në botë

Bursistët janë të moshave të ndryshme, që nga nxënës e studentë e deri tek ekspertë e teknokratë me përvojë në sektorin publik e privat. Qëndrimi i tyre në Gjermani nga njëjavor e deri disa vjeçar ka objektiva të ndryshme. Ajo që i bashkon të gjitha është fitimi i eksperiencës gjermane e thellimi i njohurive në njërin nga vendet më të zhvilluar në kontinent e në botë. Për disa prej tyre vizita në Gjermani është e para, ndërkohë që për të tjerë ky udhëtim është i përsëritur.

Çrregullimet e identitetit gjinor që shfaqen tek adoleshentët në Shqipëri - temë doktorature

Voltisa Gjergji, është mjeke psikiatre për fëmijë dhe adoshelentë. Ajo pas diplomimit në Universitetin e Tiranës ka kryer një specializim 6 mujor në Gjermani për çrregullimet të identitetit gjinor që shfaqen tek adoleshentët. Rezultatet e shkëlqyera, por dhe interesimi i saj për t'u thelluar më shumë në këtë aspekt e kanë shtyrë Voltisën që të aplikojë për kryerjen e doktoraturës po në Gjermani. Nga aplikimi që ajo bëri tek Shërbimi Shkëmbimit Akademik Gjerman, DAAD, ajo tashmë e ka fituar këtë të drejtë.

Ne foto: ndertesa e DAAD në Bonn. Shkëmbimi Akademik Gjerman, DAAD ka mbështetur shumë studiues shqiptarë për të studiuar në Gjermani

Shkëmbimi Akademik Gjerman, DAAD ka mbështetur shumë studiues shqiptarë për të studiuar në Gjermani

"Unë do të jem në Qendrën Spitalore të Hamburgut. Tema do të jetë po ajo për të cilën kam punuar dhe në 6 muajt e parë të specializimit. Mund të qëndroj rreth 1 vit e gjysëm ose 2 vjet, pastaj do të kthehem këtu në Shqipëri për të kontribuar në këtë fushë".

'Të jetosh në një vend si Gjermania, të fal një eksperiencë të madhe jetësore, të bën të kuptosh si të luash në një fushë shumë të madhe'

Edrin Gjoleka do të shkojë për herë të parë në Gjermani. Ai është student në vitin e fundit të masterit në fakultetin e Inxhinierisë Informatike në Universitetin Politiknik në Tiranë. Ky fakultet prej kohësh punon me partnerë nga universitetet gjermane. Edrini do të shkojë për 6 muaj në një kompani të fuqishme në Shtutgart. Ai flet shumë mirë gjuhën angleze, por qëndrimi i tij për specializim do të jetë dhe një rast i mirë për të nisur objektivin e tij afatgjatë, mësimin dhe të gjuhës gjermane.

"Është një arritje shumë e mirë në rrafshin personal. Sepse kuptohet që të jetosh në një vend si Gjermania, kjo të fal një eksperiencë shumë të madhe jetësore, të bën të kuptosh se si të luash në një fushë shumë të madhe. Është fjala për një kompani të njohur siç është Bosch. Është një gjë pozitive dhe në rrafshin profesional. Sepse një specializim 6 mujor në një kompani të tillë është një privilegj shumë i madh që më jepet".

Alketa Sulova është mësuese e kurseve të gjermanishtes në Deutschzentrum në Tiranë. Ajo ndihet e familjarizuar me Gjermaninë, pasi ka kryer studimet aty. Kjo falë një burse të mëparshme të DAAD-së. Tani ajo do të shkojë për një javë në Berlin me mbështetjen e ambasadës gjermane në Tiranë. Gjithmonë sipas Alketës, kur kthehesh në Gjermani ka aq shumë gjëra për të mësuar.

"Është një mundësi që ne të përmirësojmë nga ana metodike mësimdhënien e gjuhës në ambjentet e Deutschzentrum në Tiranë"

Bernd Borchardt: Dyfishimi i bursave - tregues i intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe

Ambasadori i RFGJ në Tiranë, Bernd Borchard

Ambasadori i RFGJ në Tiranë, Bernd Borchard

Rreth 100 bursistët ndihen secili në mënyrën e tij shumë të kënaqur që në periudha të ndryshme, në fusha të ndryshme, do të kenë shansin të shkojnë dhe të shikojnë nga afër eksperiencën gjermane. Të marrin njohuri dhe përvojë që më pas t'i rikthejnë në energji dhe dinamizëm kur të kthehen në Shqipëri. Dyfishimi i bursave për të rinjtë dhe akademikët shqiptarë për në Gjermani, krahasuar me një vit më parë, sipas ambasadorit gjerman Bernd Borchardt, "është një tregues konkret i intensifikimit të marrëdhënieve mes dy vendeve".


Autor: Arben Muka/ Tiran ë

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 21.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Hued
  • Data 21.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Hued