1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

1914 - Lufta e I Botërore

Gjermania arrin me luftë dhe me frikë çerekfinalen

Mikpritëset gjermane pas një ndeshjeje 1:0 kundër Nigerisë, duhet të përballen me Francën në një raund të vështirë. Franca kryeson në grup, pas fitores 4:0 kundër Kanadasë.

default

Birgit Prinz godet topin në ndeshjen Gjermani-Nigeri

Vërshëllima në pushimin e lojës. Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur prej vitesh në rast ndeshjesh të kombëtares së femrave në Gjermani. Por nigerianet ia prishën konceptin e lojës ekipit, pjesërisht me lojë brutale. Dhe gjyqtarja koreanojugore Cha Sung-Mi nuk bëri asgjë për të penguar skenat që të kujtonin lojërat marciale. Gati të gjitha ndërhyrjet e parregullta nuk u ndëshkuan, ngritje supesh, buzëqeshje: këto ishin reagimet e lojtareve gjermane. Trajnerja e kombëtare Silvia Neid pati paralajmëruar që para ndeshjes, se pas rezultatit 8:0 në ndeshjen përgatitore nëntorin e kaluar afrikanet do të paraqisnin me siguri një kalibër tjetër.

FLASH-Galerie Frauenfußball WM 2011 Deutschland vs Nigeria

Duel për topin mes Osinachi Ohale nga Nigeria dhe Alexandra Popp

Birgit Prinz u zëvendësua

Ndoshta për këtë arsye Neid pati zgjedhur edhe një herë variantin konservator të formacionit: Me yllin e vjetër të diskutueshëm në planin sportiv Birgit Prinz, pa Alexandra Popp-in me të ardhme. Por pak pas pushimit trajnerja e kuptoi dhe e nxori nga loja kapitenen. "Ndërrova, sepse desha të krijoja më shumë trysni", e arsyetoi Neid vendimin për të ndërruar. Birgit Prinz do ta kurorëzojë karrierën e vet të spikatur me titullin kampion bote para publikut të saj. Por për momentin mbetjen në formacionin e parë asaj ia sigurojnë vetëm arritjet nga 214 ndeshjet për kombëtaren.

Gol nga Simone Laudehr

Vetëm dy minuta pas ndërrimit u bë edhe goli vendimtar. Simone Laudehr e gjuajti topin nga afër në portë pas një goditjeje të lirë dhe rrëmujës pasuese në zonën e rreptësisë. Laudehr ishte edhe më parë lojtarja që ra më shumë në sy në një ekip, i cili në këtë mbrëmje në stadiumin e shitur plotësisht me 49.000 shikues përkufizohej vetëm me anë të vendosmërisë për të luftuar. Golshënuesja e kërkoi fajin edhe te ekipi i vet: "Ne e kemi mbajtur tepër gjatë topin duke lejuar kështu ndërhyrjet e ashpra të nigerianeve." Në ndeshjen përfundimtare të martën e ardhshme (05.07.2011) diskutohet vendi i parë në grup në ndeshjen kundër Francës.

Frauenfußball WM 2011 Gruppe A

Sfida për topin në ndeshjen Kanada-Francë. Në foto Marie-Laure Delie e Francës dhe Kaylyn Kyle e Kanadasë

Më në fund një fitore e qartë në Botëror

Francezet, me të cilat llogarisnin vetëm pak vetë para këtij turneu, treguan kundër Kanadasë pjesërisht futboll për të qenë. Në shifra kjo do të thotë: 4:0 (1:0 pjesa e parë), rezultat që edhe kaq i thellë e përligj rrjedhën e ndeshjes. Para 16.700 shikuesve në Bochum Gaetane Thiney shënoi për të parën herë me kokë në minutën e 24-rt - megjithëse nga një pozicion shumë i dyshimtë jashtëloje.

Por francezet nuk i ndihmoi vetëm gjyqtarja, po edhe mbrojtja kanadeze. Në rastin e golit të dytë Thiney-së topi iu dhurua në këmbë nga një kundërshtare 20 metra para portës. Parizianja nuk hezitoi dhe shënoi pas një ore lojë duke goditur më parë shtyllën e brendshme. Camille Abily (në të 66-ën) dhe zëvendësuesja Elodie Thomis (në të 83-ën) siguruan rezultatin përfundimtar dhe deri tani më të thellë të këtij Botërori.

Në tabelën e grupit A kryeson Franca pas dy ndeshjesh me gjashtë pikë para gjermaneve me po aq pikë. Pa pikë janë ende Nigeria në vendin e tretë dhe e fundit, Kanadaja. Këto dy ekipe janë eliminuar para ndeshjeve të tyre të fundit të martë e ardhshme.

Autor: Tobias Oelmaier/Elert Ajazaj

Redaktoi: Lindita Arapi