1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania aleate e pazëvendësueshme e Kosovës

11 Gusht 2011

Roli i Gjermanisë në rimëkëmbjen e Kosovës, në formimin e shtetit dhe njohjen ndërkombtare ka qënë thelbësor. Gjermania ka merita të veçanta edhe në krijimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.

https://p.dw.com/p/12EqN
Pamje nga një rrugë në afërsi të Gjilanit - "Faleminderit Gjermani"
Pamje nga një rrugë në afërsi të Gjilanit - "Faleminderit Gjermani"Fotografi: AP

Dy ditë pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me 12 qershor 1999, me të cilën u krijua baza për një operacion ndërmjetësues të udhëhequr nga NATO-ja, 50.000 trupa paqeruajtës, kryesisht ushtarë evropian të cileve pritej t'iu bashkangjiteshin edhe 7.000 trupa amerikane, marshuan drejt Kosovës. Gjermania merrte pjesë me 2.600 ushtarë, të cilët në kuadër të trupave të Kforit duhej të siguronin kthimin e sigurt të refugjatëve nga Kosova, numri i të cilëve sillej mbi 780,000. Sipas Zyrës për Migrim dhe Refugjatë, në Nyremberg, 200 mijë prej tyre ishin vendosur në Republikën Federale të Gjermanisë.

Gjermania përkrah Kosovën

Angela Merkel
Angela Merkel në KosovëFotografi: AP

Gjermania u angazhua në vazhdimësi për një zgjidhje të duhur dhe stabile edhe të statusit të Kosovës. Ndërsa, kur pas bisedimeve të gjata dhe të pasuksesshme shqiptaro-serbe, Kosova në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare me 17 shkurt 2008 shpalli pavarësinë, vetem 3 ditë më pas Berlini i ka njodhur shtetësinë e saj dhe vendosi lidhjet diplomatike me shndërrimin e zyrës ndërlidhëse në ambasadë gjermane në Prishtinë.

Themelimi i institucioneve demoraktike, strukturave shoqërore dhe shtetrore, janë fusha të tjera në të cilat dihet roli i Gjermanisë është i dukshëm. Ndërsa, duke qënë donatori më i madh pas SHBA-ve në Kosovë, Gjermania kontribuoi edhe në rindërtimin e infrastruktures dhe në zhvillimin ekonomik në Kosovë. Shuma e përgjithshme e investimeve deri tani në Kosovë llogaritet të jetë mbi 340 milionë euro. Këtë e konfirmoi edhe ministri për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Dirk Nibel, në Prishtinë, me rastin e fillimit të punimeve në projektin e linjës interkonektive të tensionit të lartë 400 kV në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, me ç´rast qeveria gjermane përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) ka kontribuar me 75.5 milion euro.

Sundimi i ligjit dhe trasnperenca hapin rrugën drejt BE-së

"Synimi i Kosovës është Bashkimi Evropian. Por, për t'u arritur kjo duhen plotësuar disa kushte siç është sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe transparenca. Veprimet e qeverisë në këto fusha tërheqin investitorët në Kosovë. Në këtë linjë, Gjermania është e interesuar që të jetë e pranishme me investime në Kosovë, sidomos në ndërmarrjet e mesme me anë të të cilave mund të zbutet papunësia", ka thënë me këtë rast ministri Niebel, i cili premtoi gatishmërinë e plotë të qeverisë gjermane për të mbështetur proceset e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Guido Westerwelle gjatë një vizite në Kosovë.
Guido Westerwelle gjatë një vizite në Kosovë.Fotografi: DW/Shehu

Kryeministri i Kosoves, Hashim Thaçi i pati thënë ministrit Niebel se: “Vizioni kryesor i Qeverisë së Republikës së Kosovës është vizioni i Kosovës evropiane dhe i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik”, duke shprehur mirënjohje për kontributin e vazhdueshëm të qeverisë dhe popullit gjerman për Kosovën si dhe për qëndrimin pranë në proceset e zhvillimit dhe të integrimit.

Berlini adresa e parë politike për Kosovën dhe popullin e saj

Në qershor, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ishte në Berlin ku homologu i tij Guido Westerwelle i konfirmoi përkrahjen e palëkundur të Gjermanisë për sovranitetin dhe integritetin territorial. “Ne jemi të bindur se harta gjeografike e Ballkanit është e përfunduar dhe se Kosova dhe rajoni kanë një të ardhme evropiane. Ne do të përkrahim fuqishëm procesin e liberalizmit të vizave dhe integrimin e Kosovës në BE. Evropa në këtë formë po a mban fjalën, se të gjitha shtetet e Ballkanit kanë perspektivë evropiane”, tha ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle.
Ndërsa Hoxhaj pat deklaruar se adresa e parë politike në Evropë për Kosovën dhe qytetarët e saj është Berlini.

Gjermania dhe populli i saj në çdo rrethanë pranë Kosovës

“Kosova është e përkushtuar që të forcojë partneritetin strategjik me Gjermaninë, pasi që Gjermania dhe populli i saj në çdo kohë dhe çdo rrethanë kanë mbështetur dhe vazhdojnë të mbështesin popullin dhe shtetin e Kosovës”, deklaroi Hoxhaj. Ndërsa minsitri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, në një takim me sekretarin e shtetit të ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Ole Schröder, në maj, kërkoi përkrahjen e palës gjermane në procesin e liberalizmit të vizave dhe integrimit evropian, prej të cilit mori premtimin se Gjermania edhe më tutje do të vazhdojë të përkrahë qeverinë e Republikës së Kosovës.

Angela Merkel në Prizren.
Angela Merkel në Prizren.Fotografi: AP

Edhe zhvillimet e fundit në Veri përbëjnë shqetësim për qeverinë gjermane, e cila edhe nëpërmjet një kumtese ka deklaruar se: "Nëpërmjet dhunës në rrugë nuk ka zgjidhje të qëndrueshme. Zgjidhja mund të gjendet vetëm brenda dialogut. Normalizimi i gjendjes në veri, në veçanti zgjidhja e çështjes së qarkullimit të mallrave, duhet të jetë temë e procesit të dialogut aktual të udhëhequr nga Bashkimi Evropian". Ndërsa komandanti gjerman i KFOR-it, Erhard Bühler luajti një rol vendimtar në arritjen e marrëveshjes aktuale për heqjen e barrikadave serbe në veri të Kosovës.

Gjermania edhe tani dërgoi trupa shtesë

Me shpërthimin e dhunës në veri dhe thirrjes së NATO-s për trupa shtesë, Gjermania iu përgjigj kësaj thirrjeje edhe me 550 trupa të tjerë, për të monitoruar paqen në Kosovë. Përderisa, zhvillimt e fundit në veri kanë bërë që stacion i ministri të Jashtëm gjerman Westerwelle, në kuadër të turneut të tij ballkanik, të jetë edhe Kosova. Pritet që ai sërish të shprehë mbështetjen e paqës dhe shtetit të Kosovës. Ai do të ikurajojë palët që problemet t'i zgjidhin me dialog.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Bahri Cani