1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermania është ribashkuar prej shumë vitesh, por dhimbjet e rritjes vazhdojnë

Më shumë se dy dekada pas ribashkimit të Gjermanisë është shënuar përparim i madh në kapërcimin e ndarjeve sociale. Por bashkimi i vërtetë nuk është arritur në çdo fushë.

Ceremonia në ditën e ribashkimit në sallën plenare të ish-Bundestagut në Bon, 3 tetor 2011

Ceremonia në ditën e ribashkimit në sallën plenare të ish-Bundestagut në Bon, 3 tetor 2011

Nga ana ekonomike, Gjermania e ribashkuar ofron sot një tabllo të përzier. Në 20 vitet e kaluara janë bërë ndryshime të mëdha. Pothuajse çdo qytet gjermanolindor është rinovuar rrënjësisht.

Në një kohë kur nivelet e pagave në Lindje të Gjermanisë përfaqësojnë vetëm 78 përqind të atyre në Perëndim, edhe 21 vjet pas bashkimit të Gjermanisë shpenzimet e jetesës, veçanërisht për qiratë janë shumë më të ulëta. Pra mund të konkludohet se shumica e gjermanolindorëve nuk janë në gjendje më të keqe ekonomike se sa gjermanoperëndimorët.

Ka edhe disa histori suksesi në ish-Gjermaninë Lindore: "Saksonia e Silicon-it" me çipet për kompjutera dhe industria optike në dhe përreth qytetit Jena në landin e Tyringisë janë dy shembuj.

Prodhimi i diodave Lazer në fabrikën Jenoptik, në Jena

Prodhimi i diodave Lazer në fabrikën Jenoptik, në Jena

Në Lindje kanë lulëzuar disa industri të teknologjisë së lartë, por papunësia mbetet thuajse dy herë më e lartë në Lindje se në Perëndim. Rreth gjysma e mbi 80 bilionë eurove që paguhen si subvencione vjetore nga Perëndimi në Lindje vitin e fundit u konsumuan nga benefitet sociale dhe pagesat për të papunët.

Rreth 1,6 milionë vetë kanë kaluar nga Lindja në Perëndim të Gjermanisë që prej vitit 1990, shumica në kërkim të shanseve më të mira për punë dhe shenjat janë se kjo tendencë do të vazhdojë. Për më tepër, sociologët flasin për një "emigrim të trurit" nga Lindja, që kur janë njerëzit me shkollim më të mirë shumica e atyre që janë larguar.

Nuk është diçka e pazakontë që të shohësh shtëpi që nuk nevojiten më që të shemben në qytetet lindore të Gjermanisë. Shembulli më ekstrem është Hoyersverda në afërsi të kufirit me Poloninë dhe Republikën Çeke, e cila humbi gjysmën e popullatës së saj brenda një dekade.

Kancelarja Angela Merkel dhe presidenti Christian Wulff

Kancelarja Angela Merkel dhe presidenti Christian Wulff

Në këtë kuadër, Gjermania Lindore dhe ajo Perëndimore vazhdojnë të ofrojnë dy entitete të ndryshme ekonomike. Dhe pakënaqësia me diferenca dhe pabarazi të tilla e ka manifestuar veten politikisht.

Ngritja dhe fragmentimi i Së Majtës

Inkorporimi i atyre që gjermanët i quajnë "lande të reja" në sistemin politik të Republikës Federale Gjermane ka sjellë ndryshime që pak vetë mund t'i kishin marrë me mend në vitin 1990.

Kancelarja Angela Merkel vjen nga Lindja e Gjermanisë, një fakt që shumë gjermanë kanë tendencë ta harrojnë. Dhe megjithëse shumica e gjermanolindorëve votojnë për njërën nga partitë politike perëndimore, të tjerë kërkojnë alternativat e tyre.

Partia e Majta pasardhëse e partisë së vjetër socialiste të Gjermanisë Komuniste Lindore, në bashkëpunim me parti të krahut të majtë nga Perëndimi është konsoliduar si një zëdhënëse e lindorëve të zhgënjyer.

Partia Socialdemokrate Gjermane dhe Të Gjelbrit e shohin me mosbesim një bashkëpunim me ish-komunistët, duke bërë që e Majta të jetë e ndarë, gjë që e ndihmon qeverinë e Qendrës së Djathtë të Merkelit për të qendruar në pushtet.

Themelimi i Partisë E Majta si një formë e protestës paqësore mund të shihet si një evidencë e adoptimit të demokracisë perëndimore nga gjermanolindorët. Por kjo edhe e ka thelluar te shumë gjermanoperëndimorë sensin e një ndarjeje kulturore midis tyre dhe gjermanolindorëve.

East German Trabant cars pass spectators during a procession to mark the ninth anniversary of German reunification symbolizing the fall of the Wall ten years ago in Berlin Sunday, October 3, 1999. Around two hundred actors from all 16 German states are taking part in the procession, representing German traditions and lifestyles. (AP Photo/ Jan Bauer)

Trabant, veturat gjermano-lindore

Nostalgji në të dyja krahët

Një nga efektet e padiskutueshme pozitive të ribashkimit të Gjermanisë ka qenë elemenimi i barrierave politike që i mbajtën të ndara në mënyrë të dhimbshme shumë familje gjermane gjatë Luftës së Ftohtë. Nuk ka shifra të sakta për faktin që sa gjermanoperëndimorë dhe gjermanolindorë kishin kushërinj në pjesën "tjetër" të Gjermanisë, por dihet që rreth 26 milionë paketa me ndihma dërgoheshin në vit nga Perëndimi në Lindje gjatë ndarjes së Gjermanisë - një indikacion ky për vështirësitë personale të shkaktuara nga ndarja politike.

"Unë natyrisht që ndiej edhe sot e kësaj dite gëzim kur dëgjoj për njerëz që patën sukses për ta integruar Lindjen në Perëndim", thotë Brigitte Klump, një autore, peticionet private të së cilës ndihmuan me kalimin e viteve 4000 vetë që të largoheshin nga Gjermania Lindore.

Ostalgjia - kërkesa e supozuar e gjermanolindorëve për mënyrën si ishin gjërat më parë - është një temë që e ndesh rregullisht në media, por në anketime janë vetëm 10 përqind e gjermanëve që thonë se preferonin jetën në socializëm. 

Festimet në Bon, ish-kryeqyteti i Gjermanisë Perëndimore, më 3 tetor 2011, dita e ribahskimit të Gjermanisë

Festimet në Bon, ish-kryeqyteti i Gjermanisë Perëndimore, më 3 tetor 2011, dita e ribahskimit të Gjermanisë

Më shumë se dy dekada pas vitit 1990, është më e qartë se kurrë që "ribashkimi" nuk është një restaurim i shoqërisë së shkuar, por një proces i krijimit të diçkaje të re, që është pandashëm pjesë e botës globale. Paradigmat e vjetra nacionale po ndeshen me sfida në rritje, kështu që e ardhmja e Republikës së ribashkuar Federale ka gjasa që të ndikohet po kaq nga faktorët e jashtëm, sa nga zhvillimet brenda kufijve të saj.

Autor: Jefferson Chase/ Auron Dodi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

 

DW.COM