1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

"Gjermania është një partnere e fortë dhe e besueshme" - Ministri i jashtëm gjerman Westerwelle përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

Ministri i jashtëm gjerman Guido Westerwelle theksoi gjatë fjalimit të tij përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së angazhimin e Gjermanisë për tema si mbrojtjen e klimës dhe çarmatimin bërthamor.

Ministri i jashtëm gjerman Guido Westerwelle

Ministri i jashtëm gjerman Guido Westerwelle

Çdo shtet ka 15 minuta kohë për fjalimin e vet në Asamblenë e Përgjithshme - kjo është pak kohë për të analizuar tema të rëndësishme të politikës ndërkombëtare dhe në të njejtën kohë për të përmendur arritjet e secilit shtet pranë Kombeve të Bashkuara. Pra rëndësi themelore ka mesazhi që përcillet dhe Guido Westerwelle ishte mëse i qartë në fjalimin e tij: Gjermania angazhohet, Gjermania është e besueshme. " Gjermania është përsa i përket vendeve donatore për politikën e zhvillimit dhe bashkëpunimit, vendi i tretë në botë. Ne e kapërcyem krizën financare dhe ekonomike dhe kemi një rritje ekonomike të fortë. Me një ekonomi të tillë, Gjermania është një partnere e fortë në botë."

Westerwelle: " Ne e k emi në dorë që ky dhjetëvjeçar të kthehet në dhjetëvjeçarin e çarmatimit nuklear"

Gjermania angazhohet, Gjermania është e besueshme

"Gjermania angazhohet, Gjermania është e besueshme"

Në prag të samitit të Asamblesë së Përgjithshme në Nju Jork, Westerwelle krijoi me homologët e tij nga Japonia, Australia dhe disa vende të tjera një grup, i cili angazhohet për çarmatimin bërthamor. Ministri i jashtëm gjerman është i sigurtë se në këtë drejtim po ecet me hapat e duhur. Konferenca e fundit që u zhvillua në maj me rezultat marrëveshjen për mospërhapjen e armëve bërthamore, e dëshmon këtë fakt, shtoi ai: " Po ta përdorim këtë zhvillim siç duhet, e kemi në dorë që ky dhjetëvjeçar të kthehet në dhjetëvjeçarin e çarmatimit nuklear. Një botë pa armë bërthamore është një vizion afatgjatë. Por edhe një maratonë vrapi fillon me me një hap të parë."

Westerwelle përmendi gjatë fjalimit të tij gjithashtu faktin se brenda OKB-së ka 65 vjet tashmë që vetëm pesë shtete - SHBA-s, Rusia, Kina, Franca dhe Britania e Madhe - vendosin për politikën mbarëbotërore të këtij institucioni. Deri tani ka dështuar çdo përpjekje për të lejuar edhe pjesën tjetër të botës të bëhet pjesë e fuqisë politike: " Fakti se Afrika dhe Amerika Latine nuk kanë një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit nuk përputhet me realitetin e arkitekturës së botës së sotme. Edhe Azia ndjehet me të drejtë e pa prezantuar denjësisht në KS. I gjithë kontinenti aziatik, e jo vetëm një vend atje, po zhvillohet në mënyrë shumë të shpejtë. Ne i marrim partneritetet tona seriozisht, si të vjetrat ashtu edhe të rejat. Edhe Gjermania mbetet e gatshme të marrë përsipër përgjegjësi më të mëdha."

Gjermania insiston për një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit

Ndërtesa e Kombeve të Bashkuara në New York

Ndërtesa e Kombeve të Bashkuara në New York

Me fjalë të tjera: Gjermania kërkon një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit. Por që të realizohet kjo, duhet që OKB-ja të zbatojë një reformë krejtësisht të re brenda rradhëve të saj. Një reformë e cila deri më sot nuk është përshëndetur nga shumica e vendeve të saj anëtare. Deri sa të ndodhë kjo, qeveria federale propozon që të marrë një vend jo të përhershëm në vitet 2011 dhe 2012. Në tetor OKB-ja do të votojë për këtë çështje. Dhe ministri gjerman ndërmorri çdo përpjekje për t'i bindur shtetet antare të OKB-së, se Gjermania është një vend, të cilit mund t'i besohet:" You can count on Germany, you can rely on Germany!"


Autore: Nina Werkhäuser/ Sonila Sand

Readaktoi: Esat Ahmeti

DW.COM

  • Data 26.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PMvs
  • Data 26.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PMvs