1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermani - SHBA: Miqësia e vështirë para provës

Vizita e Angela Merkelit në SHBA është në fakt një takim krize. Drama e Ukrainës është në qendër të vëmendjes. Por edhe afera e përgjimit të NSA-së dhe marrëveshja e tregtisë së lirë i sfidojnë aleatët.

Pas krizës së NSA-së tani është kriza e Ukrainës që kërkon shumë nga të dyja vendet. Për Nile Gardiner nga Heritage Foundation, marrëdhëniet gjermano-amerikane kërcënohen sërish që të dëmtohen: "Ka një hendek të madh midis Berlinit dhe Uashingtonit, si duhet të veprohet me Rusinë".

Eksperti për Evropën i thinktank-ut të Uashingtonit flet hapur me Deutsche Wellen: Gjermania dhe disa vende evropiane do të "kishin ndjekur përballë Rusisë një politikë të appeasement (qetësimit). Para së gjithash për shkak të varësisë ekonomike në furnizimin me energji."

Shefja e re e German Marshall Funds, Karen Donfried, e kundërshton këtë në mënyrë energjike: "Unë besoj se koordinimi gjermano-amerikan deri tani ka qenë shumë i mirë. Evropianët kanë marrëdhënie të rëndësishme energjitike dhe tregtare me Rusinë. Megjithatë ata duan të ushtrojnë edhe presion ndaj Rusisë."

Qëndrimi i përbashkët i bën përshtypje Putinit

Donfried, e cila deri disa javë më parë ka qenë këshilltarja e Presidentit Obama për çështjet evropiane, është e sigurtë: "Unë besoj se është shumë e rëndësishme edhe për Putinin, që ta shohë këtë solidaritet."

Kriza e Ukrainës zë vend qendror në agjendën e vizitës së Angela Merkelit. Heather Conley nga "Center for Strategic and International Studies" (CSIS) thotë se dy politikanët takohen në një kohë "në të cilën politika e Perëndimit ndaj Rusisë ka arritur në një fund dramatik. Duhet zhvilluar një politikë e re. Roli i Gjermanisë në këtë drejtim ka rëndësi jashtëzakonisht vendimtare për suksesin", shprehet ekspertja për Gjermaninë.

Por informacionet më të fundit të medieve flasin megjithatë për pasiguri në rrethin më të ngushtë pranë Presidentit. Të koordinohesh me 28 shtetet e BE është "receta më e mirë për të mos bërë asgjë", citon New York Times një bashkëpunëtor të Presidentit, që nuk donte t'i përmendej emri.

Me këtë mbahet parasysh edhe kancelarja gjermane, e cila në sytë e amerikanëve, si aleatja më e rëndësishme e amerikanëve në Evropë, ka një rol qendror në arritjen e një pozicioni të përbashkët përballë Rusisë.

Presidenti Obama ndodhet nën presion të brendshëm për të marrë qendrime më të forta ndaj Rusisë. E njëjta gjë mund të thuhet për kancelaren Merkel në rastin e aferës së NSA-së. Nile Gardiner i Fondacionit Heritage megjithatë nuk pret që Obama t'i bëjë kancelares ndonjë dhuratë politike. Ndryshe nga Gjermania, afera e NSA-së nuk është temë prioritare në SHBA. Për ta riparuar humbjen e besimit duhet më tepër kohë dhe para së gjithash një dialog intensiv, thotë Gardiner.

Tema e tretë e rëndësishme e vizitës së Merkelit në Uashington do të jetë projekti afatgjatë i një tregu të përbashkët transatlantik (TTIP). Kancelarja gjermane do të mbajë për këtë një fjalim para Dhomës Amerikane të Tregtisë. Ky fakt sipas medieve ka shkaktuar pakënaqësi në qarqet pranë Presidentit, sepse Dhoma e Tregtisë është një bashkim konservator lobiist dhe kundërshtare e Obamas në politikën e brendshme. Merkeli do të përpiqet t'i bindë jo vetëm biznesmenët, por edhe anëtarët e Kongresit për dobinë e një afrimi ekonomik. Edhe në SHBA, jo vetëm në Gjermani janë shtuar zërat që e kundërshtojnë këtë afrim ekonomik.