1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermani: Rriten sulmet ndaj azilkërkuesve

Në vitin 2013 janë dyfishuar sulmet e ekstremistëve të djathtë ndaj qendrave të strehimit të refugjatëve. Qeveria dhe organizatat në ndihmë të refugjatëve janë alarmuar.

Në mbrëmjen e një të shtune në janar të këtij viti një grup personash hynë në ndërtesën e azilkërkuesve në Fichtelberg në Bavari. Të veshur me të zeza dhe të maskuar ata arrijnë deri tek shkallët. Më pas ata flasin me zë të lartë, kështu raporton Nordbayerische Kurier. Se çfarë thoshin ata, njerëzit që jetojnë këtu, nuk e kuptojnë. Ata janë refugjatë, që kanë ardhur prej pak javësh në Bavari dhe pjesa më e madhe nuk kuptojnë asnjë fjalë në gjermanisht. Më pas miqtë e paftuar ikën sërish.

Zjarrvënie, dritare të thyera, parrulla raciste. Sulmet ndaj banesave të refugjatëve janë shtuar shumë në Gjermani. Shumë shembuj ka nga Esseni në Berlin, nga Fichtelbergu në Güstrow. Sipas Zyrës Federale të Kriminalistikës në krahasim me vitin e shkuar janë shënuar 58 krime më shumë me sfond të ekstremizmit të djathtë. Më shumë se gjysma e vitit 2012. Por shifrat reale mund të jenë më të larta, sepse Zyra Kriminale Federale në statistikat e saj ka përfshirë vetëm krimet e provuara që janë kryer nga ektremistët e djathtë. Por raste të tilla si ai në Fichtelberg, nuk përfshihet në këto statistika. Sepse në këtë rast policia duhet të provojë nëse kemi të bëjmë me një sulm me baza ksenofobike. Për shkak se refugjatët nuk kanë kuptuar asnjë fjalë, policia nuk ka asnjë të dhënë për fjalët e tyre.

Kujtimi për vitet 1992/1993

Organizatat e të drejtave të njeriut vetëm për këtë vit numërojnë 20 krime, 12 prej të cilave kanë qenë zjarrvënie. Drejtuesi i organizatës Pro Asyl, Günter Burkhardt, thotë për DW, se këto zhvillime i kujtojnë fillimin e viteve 90‘ kur ekstremistët e djathtë kryen sulme ndaj refugjatëve dhe emigrantëve në Hoyerswerda, Mölln dhe Solingen, ku si pasojë e tyre disa vetë humbën jetën. Por fatmirësisht sot nuk ka një fushatë kundër azilkërkuesve si atëherë, thotë ai. Sipas Pro Asyl mbi të gjitha partia NPD, por edhe Pro Deutschland dhe AfD, janë ato që flasin kundër refugjatëve.

Ende ne nuk kemi atë ‚valë pogromi‘ siç ndodhi menjëherë pas bashkimit të Gjermanisë, thotë në një bisedë me DW Hajo Funke. Si pasojë e valës së dhunës nga ekstremistët e djathtë vetëm në vitin 1992 vdiqën 27 njerëz.

Hajo Funke, studiues i ekstremizmit të djathtë

Hajo Funke, studiues i ekstremizmit të djathtë

Studiuesi i ekstremizmit të djathtë paralajmëron se situata e tanishme mund të përshkallëzohet. "Rreziku është se mund të shtohen sulmet me zjarre dhe mund të kemi më shumë të plagosur dhe të vdekur, se tani."

Edhe qeveria federale është e shqetësuar për shifrat e Zyrës Federale të Kriminalistikës. "Skena e ekstremizimit të djathtë që prej mesit të vitit 2013 është drejtuar më shumë kundër azilkërkuesve ", thotë Pamela Müller-Niese, zëdhënëse e Ministrisë së Brendshme.

Ekstremistët e djathtë përdorin zemërimin e banorëve

Numri i azilkërkuesve në vitin 2013 u rrit. Në Gjermani erdhën rreth 127 mijë refugjatë nga Siria, Afganistani dhe vende të tjera në krizë. Në shumë qytete apo komuna u përshtatën ambjente strehimi në shkolla apo kazerma boshe. Ndërkohë banorët lokalë ndihen të lënë pas dore ose të vetmuar në frikërat e tyre. Ekstremistët e djathtë e përdorin këtë situatë. Në verën e vitit 2013 një pjesë e qytetit protestoi kundër qëndrës së re të strehimit. Ekstremistët e djathtë e përdorën këtë gjendje të njerëzve, për t'i drejtuar kundër azilkërkuesve. Situata ishte aq e tenisonuar sa refugjatët e parë u futën nga dera e pasme me ndihmën e policisë.

"Politikanët e ekstremit të djathtë, përpiqen të përdorin zemërimin e banorëve", thotë Günter Burkhardt. Edhe zëdhënësja e ministrisë së brendshme Müller-Niese i trembet faktit që ekstremistët e djathtë mund të marrin mbështetjen e qytetarëve. Përpjekjet e ekstremistëve të djathtë nuk janë të papritura. "Gjysma e popullsisë thotë qe kemi shumë të huaj ", thotë Hajo Funke. Pra frika nga të huajt është përhapur dhe pikërisht këtë frikë e përdor e djathta.

Burkhardt: "Refugjatët të strehoen në apartamente"

Günter Burkhardt dhe Pro Asyl bëjnë përgjegjëse politikën për rritjen e propagandës së djathtë në Gjermani. Ai bën thirrje për një njohje të qartë të së drejtës për azil dhe në këtë mënyrë të merren masat e mundshme për integrimin e azilkërkuesve në Gjermani. "Refugjatët duhet të jetojnë në apartamente dhe jo në qendra branimi, ku mund të bëhen shënjestra të ekstremistëve të djathtë." Përveç kësaj është i nevojshëm një koncept integrimi për refugjatët. Ata kanë nevojë të jenë pjesë e tregut të punës, në mënyrë që të perceptohen si njerëzit e tjerë.