1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermani: Probleme të vazhdueshme për arsimimin e emigrantëve

Pothuajse një ndër pesë vetë që jetojnë në Gjermani është me origjinë të huaj. Dhe edhe pse niveli arsimor i emigrantëve është ngritur ende ekzistojnë mangësi dhe deficite.

Njerëzit me origjinë të huaj përballen në Gjermani ende me disavantazhe në drejtim të shkollimit. Sipas ekspertëve të Institutit të Berlinit për Popullsinë dhe Zhvillimin jo vetëm fëmijët por dhe nipërit dhe mbesat e emigrantëve i ndjejnë dhe sot pasojat e mungesës së një politike integrimi në Gjermani. Ekspertët kërkojnë që fëmijët me prejardhje të huaj të mbështeten dhe të nxiten më mirë në çerdhe dhe në shkolla.

Analiza për integrimin ishte studimi i dytë i Institutit të Berlinit për Popullsinë dhe Zhvillimin pas atij të vitit 2009. Sipas kësaj analize niveli arsimor i emigrantëve në Gjermani ndërkohë mesatarisht është përmirësua. Por ende ka deficite në radhët e fëmijëve të emigrantëve, sidomos në radhët e komunitetit turk.

Niveli më i lartë i shkollimit që vihet re në radhët e emigrantëve, lidhet sipas studimit kryesisht me faktin se të ardhurit nga Evropa Jugore dhe Lindore janë zakonisht të shkolluar dhe të kualifikuar mirë dhe vijnë në Gjermani për të kërkuar për punë duke ndihmuar kështu për përballimin e mungesës së punonjësve të kualifikuar.

Më tepër mjete financiare për integrimin

Zëdhënësi i Të gjelbërve për politikën e brendshme, Volker Beck, bëri thirrje për një "politikë koherente integrimi". "Gjermania nuk mund ta përballojë që ta lërë pa e vënë re potencialin e një pjese të emigrantëve të rinj," tha ai. Problemet për integrimin e tyre në jetën profesionale duhet të mënjanohen urgjentisht.

Edhe përfaqësuesit e kishave dhe të shoqatave bamirëse kërkuan më tepër mjete financiare për integrimin e të huajve dhe të refugjatëve në Gjermani.

"Fakti që kaq shumë njerëz kanë zgjedhur Gjermaninë si vend emigrimi, është një shenjë e atraktivitetit të Gjermanisë në Evropë," tha anëtarja e bordit të Diakonisë Maraia Loheide. Megjithatë, mjetet, sidomos për projekte apo këshillimin e emigrantëve nuk janë të mjaftueshme. Në buxhetin e qeverisë gjermane për vitin 2014 janë planifikuar 204 milionë euro për kurset e integrimit.

19.2 për qind e popullsisë me prejardhje emigrimi

Sipas Entit Federale të Statistikave pothuajse një në pesë vetë në Gjermani ka origjinë të huaj. Në maj 2011 në Gjermani jetonin rreth 15.3 milionë vetë me prejardhje emigrimi. Kjo përbën rreth 19.2 për qind të popullsisë. Më shumë se gjysma (60.2 përqind) e popullsisë me prejardhje emigrimi ka pasaportë gjermane. 39.8 për qind e tyre kanë pasaporta të huaja.

96.7 përqind e qytetarëve me origjinë të huaj jetojnë sipas statisticienëve në landet perëndimore të Gjermanisë dhe në Berlin. Vetëm 3.3 për qind e tyre banojnë në Gjermaninë Lindore. 43.4 për qind e tyre jetojnë në qytete me të paktën 100.000 banorë. Më shumë se gjysma (55 përqind) janë të mitur. Si persona me prejardhje emigrimi konsiderohen në Gjermani ata që kanë ardhur këtu pas vitit 1955 ose kur të paktën njëri prej prindërve është emigrant.