1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermani: Priten katër herë më shumë refugjatë se në vitin 2014

Qeveria gjermane pret këtë vit shumë më tepër refugjatë nga sa qe menduar më parë. Në pranverë Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët kishte parashikuar për vitin 2015 rreth 450.000 kërkesa për azil.

"Ne presim që këtë vit do të vijnë si azilkërkues dhe refugjatë në Gjermani deri në 800.000 vetë", tha ministri i Brendshëm Thomas de Maiziere të mërkurën (19.08) në Berlin. Këta janë katër herë më shumë se vitin e kaluar. Thomas de Maiziere foli për një sfidë për federatën, landet dhe autoritetet lokale, dhe tha se ato duhet të bashkëpunojnë. Përveç kësaj ai sugjeroi liberalizimin e kërkesave ligjore për strehimoret.

Në pranverë Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët ka parashikuar për vitin 2015 rreth 450.000 kërkesa për azil. Në vitin 2014 në Gjermani kishin kërkuar azil 202.000 vetë. Parashikimi i tanishëm bazohet, ndryshe nga sondazhet e mëparshme, ndër të tjera tek numri aktual i atyre që hyjnë por që ende nuk e ka bërë kërkesën për azil. Vetëm në shtatë muajt e parë të vitit nga 310.000 vetë që kanë ardhur në Gjermani rreth 218.000 e tyre kanë bërë kërkesë për azil.

Thomas de Maiziere

Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere

De Maiziere tha se popullsia duhet të përgatitet për qindra-mijëra refugjatë që pritet të vijnë vit pas viti në Gjermani. Ai tha se Gjermania mund ta përballojë këtë sfidë dhe shpalli si shenjë të vullnetit të përbashkët krijimin e një Qendre koordinimi të federatës.,landeve dhe të komunave, e cila do të fillojë nga puna më 24 gusht.

"Ne duhet të bëjmë ndryshime, ne duhet të veprojmë më shpejt, ne duhet të veprojmë në mënyrë më pragmatike ", tha de Maiziere. Ai tha se për strehimoret për refugjatët ka shumë rregulla që lidhen me standardin e tyre, apo me sigurinë dhe mbrojtjen nga zjarri. Ai tha se rregulla të tilla duhet të liberalizohen, ose duke ndryshuar ligjin ose duke miratuar një ligj i veçantë.

Shkurtim i procedurës së azilit

Qeveria federale dhe qeveritë e landeve kanë vendosur që të shkurtojnë procedurën e azilit. Sidomos refugjatët nga vendet e Ballkanit, si Kosova apo Shqipëria, kërkesat e të cilëve refuzohen pothuajse 100 për qind, do të ritadhesohen më shpejt dhe nuk do të shpërndahen në qendra dhe strehimore nëpër Gjermani. Ata përbënin në gjysmën e parë të vitit 40 për qind të të gjithë kërkesave për azil. Sipas këtij plani ata deri në përfundimin e procesit të shqyrtimit të kërkesës do të mbahen në qendrat fillestare të pritjes.

Pas diskutimeve me përfaqësuesit e landeve ministri njoftoi se qeveria federale do të verë në dispozicion më shumë para. Për masat konkrete do të diskutohet javët e ardhshme. Më 24 shtator pritet të mbahet një takim për refugjatët i kancelares Angela Merkel dhe kryeministrave të landeve federale.