1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermani - Mosmarrëveshje mbi mësimet nga Brexit-i

Partitë në Berlin jo të një mendjeje për pyetjen se si duhet të ndryshojë Evropa pas votës për Brexit.

Edhe pse zgjedhjet parlamentare në Gjermani janë ende larg, kryetari i SPD-së dhe zëvendëskancelari Sigmar Gabriel po del me mendime të ndryshme nga parteri i koalicionit CDU/CSU në lidhje me politikën ndaj Evropës.

Ndërsa kancelarja dhe shefja e CDU-së, Angela Merkel, bëri thirrje për t'i analizuar pasojat e Brexit-it me qetësi, Gabrieli nxori nga xhepi një plan të përgatitur për reforma me titull: "Të rithemelojmë Evropën", të cilin e ka përpiluar së bashku me presidentin e Parlamentit Evropian Martin Schulz (SPD).

Kritikë ndaj masave të kursimit të BE-së

Një kërkesë kryesore e dy politikanëve drejtues të SPD-së: më shumë investime, edhe me para nga Brukseli, duhet të gjenerojnë rritje ekonomike, veçanërisht në vendet evropiano-jugore në krizë. Gabrieli vizitoi të premten e kaluar Greqinë ku ai i diskutoi propozimet e tij me kryeministrin e majtë Aleksis Cipras. Sipas perceptimit të shefit të SPD-së, BE-ja është e ndarë në një jug të varfër dhe veri të pasur dhe për këtë arsye duhet të "detoksifikohet". Për këtë helmim ndikon "regjimi i kursimit që diktohet nga Brukseli".

Partneri i koalicionit CDU reagoi me habi për deklaratat e Gabrielt. Në fakt und bashkëpunoj mirë me kolegun e kabinetit Gabriel, tha ministri i Financave, Wolfgang Schäuble. Schäuble njihet si mbrojtës i masave të rrepta të kursimit ndaj vendeve të krizës dhe SPD e ka mbështetur gjithmonë në qeveri. "Vetëm kur udhëton nëpër Gjermani dhe Evropë si kryetar i SPD-së , unë nganjëherë më duket se nganjëherë nuk e njoh," tha Schäuble për programin "Raport nga Berlini" të ARD-së. Gabriel mbron në raste të tilla të kundërtën e "asaj që ne bëjmë në qeveri."

Roli i Komisionit të BE-së

Dallime ka edhe në lidhje me punën e Komisionit të BE-së. Sipas Schäubles probleme urgjente të BE-së në rast nevoje duhen zgjidhur përmes kooperimit të shteteve të caktuara, në rast se Komisioni nuk është në gjendje për këtë. Kjo p.sh. në rastin e projekteve të përbashkëta të armatimit, ku sipas tij Gjermania dhe Franca duhet të marrin përgjegjësi drejtimi.

SPD-ja është e mendimit që duhen forcuar institucionet ekzistuese të BE-së. Sipas kryetarit të grupit parlamentar të SPD-së, Thomas Oppermann, Komisoni i BE-së bëri p.sh. në krizën e refugjatëve " shumë shpejt propozime të mira" ndërsa shefat e qeverive nuk po arrinin të binin dakord për një qëndrim të përbashkët. Sipas Sigmar Gabriel Komisioni i BE-së duhet të bëhet në të ardhmen "një qeveri e vërtetë evropiane", i cili "duhet të kontrollohet nga Parlamenti i Evropës dhe një dhomë e dytë e shteteve anëtare."

Kancelarja Merkel njoftoi përmes zëdhënësit të saj se ajo mirëpret çdo sugjerim që mund ta nxjerrin Evropën dhe 27 shtetet e saj si të tërë nga kriza, dhe që duhen shmangur forcat centrifugale. Por për momentin duket se forcat centrifugale duket se kanë përfshirë edhe partitë gjermane në pushtet.