1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermani: Liria e shtypit në rrezik?

Kallëzimi penal i Presidenti i Entit Federal të Mbrojtjes Kushtetuese ndaj gazetarëve Markus Beckedahl, themelues i portalit netzpolitik.org, dhe André Meister ka shkaktuar reagime të forta.

Shoqata gjermane e gazetarëve i dënoi ashpër hetimet nga Prokuroria Federale. Ky qëndrim është "një përpjekje e palejueshme, për t'u hequr të drejtën e fjalës dy kolegëve kritikë", tha kryetari i kësaj shoqate, Michael Konken. Ai i bëri thirrje Prokurorit të Përgjithshëm Federal që hetimet të ndërpriten.

Netzpolitik.org është një ndër blogjet më të njohura në gjuhën gjermane dhe është vlerësuar me shumë çmime. Autorët e këtij blogu angazhohen për të drejtat e qytetarëve në epokën digjitale.

Ata raportojnë ndër të tjera edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë nga mbledhjet e Komisionit Hetimor të Bundestagut për veprimtarinë e shërbimeve sekrete. Portali netzpolitik.org raportoi në shkurt dhe prill të këtij viti për plane të brendshme të Entit Federal të Mbrojtjes Kushtetuese për klasifikimin masiv të informacioneve në internet dhe mbikqyrjen e internetit nga shërbimet sekrete.

Akuza për "tradhti ndaj vendit" nuk është e lehtë, edhe pse ndryshe nga shtetet e tjera, ku një gjë e tillë dënohet me vdekje, në Gjermani dënimi maksimal është burgim i përjetshëm. Një akuzë e tillë kundër gazetarëve të revistës "Der Spiegel" në vitin 1962 shkaktoi një krizë qeveritare.

Markus Beckedahl dhe Andre Meister

Markus Beckedahl dhe Andre Meister

Valë potestash

Në të gjitha mediat, shumë gazetarë gjermanë shprehën zemërimin dhe solidaritetin e tyre.Tenori i shumë faqeve editoriale - edhe në DW.com - është i njëjtë: gazetarët e konsiderojnë ngritjen e padisë si një sulm ndaj lirisë së shtypit.

Gazetarët u përkrahën edhe nga politikanët e partive opozitare. Kryetarja e Komisonit Ligjor të Bundestagut, politikania e Gjelbër Renate Künast, e quajti hetimin "turp për shtetin ligjor". Ka një "spiunazh masiv" nga NSA-ja "dhe asgjë nuk po ndodh.", tha ajo. Nënkryetari i Partisë së Majtë, Jan Korte, e akuzoi Presidentin e Entit Federal të Mbrojtjes Kushtetuese se po bëhet "hakmarrës" i qeverisë federale gjermane.

Edhe ish-ministrja federale e Drejtësisë Sabine Leutheusser-Schnarrenberger shkroi në facebook se padia e Entit Federal për Mbrojtjen Kushtetuese - është "politikisht dhe ligjërisht e pakuptueshme". I tërë procesi "mban erë frikësimi të raportimit kritik".

Protesta pati edhe në twitter, ku u bënë dhe thirrje për aksione proteste. Edhe platforma e peticioneve on-line change.org filloi të premten paradite një peticion për ndërprerjen e hetimeve.

Prokurori i Përgjithshëm Federal, Harald Range

Prokurori i Përgjithshëm Federal, Harald Range

"Prokurori i Përgjithshëm ka nënvlerësuar gjendjen"

Pasdite ndodhi kthesa. Prokurori i Përgjithshëm njoftoi se nuk do të hapë një herë për një herë hetime kundër netzpolitik.org, sepse liria e shtypit është një vlerë e madhe. Juristi dhe gazetari Constantin Baron van Lijnden i "lto.de", një revistë e përditshme juridike on-line, e konsideron hapin prapsues të Prokurorit të Përgjithshëm "të habitshëm". Në intervistë me DW-në van Lijnden tha se Prokurori i Përgjithshëm duhet ta ketë nënvleftësuar shkallën e madhe të kritikës që do të shkaktonin hetimet e tij. Por ai theksoi se sa i përket çështjes në thelb nuk ka ndryshuar asgjë, sepse hetimet mund të rinisin përsëri "për pesë minuta".

Edhe juristi Udo Vetter i quan në "law blog" fjalët e Prokurorit të Përgjithshëm si "pilula qetësuese" si "placebo, sepse deri tani nuk ka ndryshuar gjë në statustin e të prekurve si të paditur."

Ashpërsimi i ligjeve ndaj informatorëve?

Aktualisht duhet theksuar se në Gjermani për tradhti ndaj atdheut mund të dënohen edhe gazetarët, thotë Constantin van Lijnden. Kurse në SHBA, për shembull, kjo nuk ndodh. Kështu p.sh. Edward Snowden mund të ndiqet penalisht për tradhti të sekreteve shtetërore, por jo gazetarët që raportojnë duke u bazuar te këto dokumente. Edhe presidenti i Shoqatës së Avokatëve Gjermane, Ulrich Schellenberger, kërkoi heqjen e paragrafëve për "tradhtinë e gazetarëve". Sipas van Lijnden duket se në Gjermani ka rrezik që të dobësohen ligjet për mbrojtjen e informatorëve, pra edhe kur ata u japin informacione gazetarëve.

Halina Wawzyniak, nga Partia e Majtë, tha se në rast se Prokurori i Përgjithshëm do t'i vazhdojë hetimet, kjo do të ishte një goditje e rëndë për gazetzarët dhe informatorët, sepse kushdo që u vë gazetarëve në dispozicion dukumente sekrete, mund të akuzohet për tradhti ndaj atdheut.

Reagimi i ministrit të Drejtësisë

Ministri Federal i Drejtësisë Heiko Maas, nën varësinë e të cilit është Prokurori i Përgjithshëm, deklaroi se i ka dërguar atij vlerësimin e tij për këtë rast dhe se sipas mendimit të ministrit këtu më tepër nuk kemi të bëjmë me tradhti ndaj atdheut dhe se prandaj e përshëndet njoftimin për pezullimin e hetimeve. Ministri Federal i Drejtësisë njoftoi se është duke menduar madje edhe nëse ka nevojë për reformimin e të gjithë dispozitave të ligjit penal për tradhti ndaj atdheut dhe për mbrojtjen e sekreteve shtetërore në raport me lirinë e shtypit.

DW.COM