1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermani: Kur prindërit kthehen në doras

Në Gjermani mendohet se ka 200.000 raste të keqtrajtimit të fëmijëve në vit. Këtë e thonë autorët e një libri të ri. Por ekspertët kanë mendime të ndryshme për këtë dhe për masat e përshtatshme për t'i mbrojtur fëmijët.

Kur thërrasin mjekun e gjykatës, Michael Tsokos, është bërë vonë. "Shikon një fëmijë të vogël përpara një piramide me aparate në pavionin e kujdesit intensiv dhe për ty është e qartë: ai nuk do të vijë më kurrë në vete." Tsokos ka atëherë për detyrë që të gjejë në bazë të gjurmëve në trup si ka arritur fëmija në këtë gjendje tragjike. "Shpesh në fillim të thonë që fëmija ra nga kolltuku. Kur u thua prindërve që kjo nuk mund të ketë ndodhur, atëherë dëgjon një version të ri: fëmija u kacavirr në dollap dhe ra që aty." Tsokos thotë se kur e filloi punën si mjek i ri ligjor 20 vjet më parë, pati kujtuar se kishte të bënte me raste të veçuara. Por modelet përsëriteshin. Sot Tsokos është Drejtor i Institutit për Mjekësinë Ligjore në Klinikën Universitare Charité në Berlin. Në karrierën e tij ai ka bërë autopsinë e 80 fëmijëve, që kanë vdekur si pasojë e keqtrajtimeve fizike. Këtij numri i shtohen qindra fëmijë, të cilët kanë mbijetuar, por me të meta të rënda trupore.

Dikur ai nuk duroi më dhe shkroi një libër, për të dhënë një sinjal. Së bashku me kolegen e tij, Saskia Gudat ai shkroi një libër për përvojat e tij. Titullin e zgjodhën qëllimisht provokues: "Gjermania keqtrajton fizikisht fëmijët e saj".

Debat për shifrat

Në bazë të statistikave të policisë kriminale, në Gjermani vdesin çdo javë rreth tre fëmijë si pasojë e keqtrajtimit fizik. Dorasit shumicën e herëve janë nga rrethi i drejtpërdrejtë familjar: babai, nëna, ose partneri i ri i nënës. Për vitin 2012, statistika regjistroi 3450 raste të keqtrajtimit të fëmijëve. Por policia thotë se në fakt, shifra e pazbuluar është shumë e lartë.

Mjeku ligjor Michael Tsokos ka dokumentuar fenomenin

Mjeku ligjor Michael Tsokos ka dokumentuar fenomenin

Se sa e lartë është kjo shifër, për këtë ekziston një debat i gjerë. Tsokos dhe Guddat flasin në librin e tyre për rreth 200.000 fëmijë të keqtrajtuar në vit dhe i referohen për këtë shifër Shoqatës për Mbrojtjen e Fëmijëve. Joachim Merchel, profesor i shkencave sociale në Universitetin e Mynsterit mendon se kjo shifër është më e lartë se realiteti. Për të, shifra vendimtare është numri i marrjes nën kujdestari të fëmijëve të rrezikuar - raste në të cilat fëmijët i largojnë nga familjet e tyre për t'i mbrojtur. "Kemi një numër prej 30.200 marrjesh nën kujdestari në bazë të situatave të rrezikimit akut për vitin 2012." Në bazë të të dhënave të policisë, studimet arrijnë në përfundimin se 10 deri 15 përqind e prindërve përdorin dënime të rënda dhe relativisht të shpeshta trupore për fëmijët e tyre.

Mbrojtje nga ligjet

Që prej nëntorit 2000, fëmijët në Gjermani kanë një të drejtë të sanksionuar për t'u rritur pa dhunë. Ndëshkimet trupore, lëndimet shpirtërore dhe masa të tjera që prekin dinjitetin janë të palejueshme. Por deri sa të vijë puna që të ndërhyjnë policia dhe zyrat e të rinjve, duhet të ndodhin ekscese të vërteta dhune dhe ato të depërtojnë jashtë. Gjithashtu, shpesh bëhen të ditura nga mediet raste për fëmijë të keqtrajtuar ose të vrarë, megjithëse zyra e të rinjve qe informuar prej kohësh për mangësi të rënda në familje. Së fundi u bë i ditur rasti i trevjeçares Yagmur, që vdiq në Hamburg nga gjakderdhjet e brendshme pas çarjes së mëlçisë. Plagët ia kishte shkaktuar i ati. Prindërit dyshoheshin prej kohësh se e keqtrajtonin rëndë fëmijën. Megjithatë, pas një periudhe te një nënë tjetër që përkujdesej për të, ajo përfundoi sërish te prindërit që e patën lindur.