1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gjermani: "Kritere më të forta për refugjtët nga vendet e Ballkanit"

Ministri i shtetit pranë zyrës së kancelares, krisitiandemokrati Peter Altmaier ka kërkuar kritere më të forta për refugjtët nga vendet e Ballkanit. Shtypi rreth valës së refugjatëve nga Ballkani në Gjermani.

Zeitungen aus Springer Verlag Symbolbild Presseschau Presse

„Nuk është e mundur, që tek ne të vijnë njerëz nga vende, të cilat nuk janë as diktaturë dhe as nuk ka luftë, nga vende që madje po përgatitet për antarësim në BE“, tha Altmaier për gazetën „Bild“, numri i së hënës (03.08). Federata po punon në një koncept praktik, „se si mund ta përballojmë së bashku valën e refugjatëve dhe ta kufizojmë atë“. Sipas tij, duhet të shqyrtohet që edhe Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova të klasifikohen si vende të sigurta origjine.

Qëllimi është një koncept i ri për refugjatët në mënyrë që njerëzit, kërkesa e të cilëve për azil nuk ka asnjë shans, të mos e marrin këtë rrugë“, tha ministri i shtetit në zyrën e kancelares. Me një koncept të tillë, sipas tij, këtyre njerëzve mund t'u kursehet mundimi e vujatja dhe kësisoj mund të kujdesemi më shumë „për ata njerëz nga vende krizash, të cilët vërtetë e kanë jetën në rrezik“.

Ai u shpreh gjithashtu për një luftë më të ashpër kundër kontrabandistëve: „Ne duhet t'ua bllokojmë aktivitetin atyre, që i nxisin njerëzit të marrin rrugën nëpër Afrikë e më pas duke i vënë në rrezik jete përmes detit Mesdhe“, tha Altmaier.

Edhe kryeministrja socialdemokrate e landit Rheinland-Pfalz, Malu Dreyer në debati për refugjatët është shprehur për shtimin e numrit të vendeve të sigurta të origjinës. „Unë personalisht mund ta mendoj, se mund të zgjerohet lista e vendeve të sigurta të origjinës“, është shprehur ajo për gazetën „Frankfurter Rundschau“, numri i së shtunës (01.08). Procedurat për refugjatët që nuk kanë asnjë perspektivë për njohjen e azilit në Gjermani duhet të përshpejtohen, në mënyrë që të prekurit të kthehen më shpejt në vendet e tyre. Kjo do ta kufizonte numrin e lartë aktualisht të refugjatëve nga Ballkani.

Gazeta „Welt am Sonntag“ (02.08) i kushton një artikull me titullin „Vetëm të largohemi“ çështjes së refugjatëve nga Ballkani duke analizuar gjerësisht situatën në Kosovë dhe arsyet përse njerëzit largohen nga vendi. „Në 1999 pati ende shpresa. Kur Perëndimi me pjesëmarrjen edhe të Bundeswehrit largoi nga Kosova ushtrinë serbe, mendohej, që ky vend i vogël me dy milionë banorë të kthehej në një model suksesi. Rreth dy miliardë Euro janë dhënë si ndihma për rindërtimin që nga ajo kohë, rreth 650 milionë të tjera do të pasojnë deri në vitin 2020. Organizatat e ndihmës kanë ndërtuar shkolla, rrugë dhe shtëpi. Megjithatë bilanci i suksesit 16 pas luftës është deprimues. Kryesisht korrupsioni i frenon investitorët. Pa tranferimin e parave nga emigrantët dhe ndihmat e bashkësisë ndërkombëtare Kosova nuk mund të mbijetojë. Qeveria në Prishtinë ndërmer pak, për ta ndryshuar gjendjen. Reformat kanë mbetur në vend numëro. Njerëzit janë të tmerruar prej stanjacionit, nuk shohin asnjë perspektivë më ndaj marrin valixhet", e duan vetëm të largohen“, shkruhet ndër të tjera në artikullin e „Welt am Sonntag“.