1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gjermani-Kosovë: investimet impuls për ekonominë kosovare

Nga investimet e kompanive gjermano-kosovare, në Kosovë do të krijohen mbi 1000 vende pune.

Investimet gjermane në Kosovë janë të domosdoshme. Duke e ditur potencialin e kompanive gjermane, investimi i tyre në Kosovë do t'i jepte vendit një shtysë ekonomike, ndërsa Kosova nga ana e saj do të krijojë lehtësirat e nevojshme ligjore për të gjithë ata sipërmarrës që duan të krijojnë biznesin e tyre në Kosovë. Kështu thanë disa nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, në një konferencë "Diaspora-investimet dhe punësimi" të organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano Kosovare dhe e mbështetur nga shumë organizata gjermane, që veprojnë në Kosovë në mesin e tyre (GIZ) e (DIMAK). Referuesit thanë se potenciali i madh human dhe burimet natyrore që ka Kosova, mund të shndërrohen në zhvillim ekonomik për vendin. Janë dy investime gjermane që tashmë po jetësohen, një fabrikë për prodhimin e paneleve diellore dhe një tjetër për përpunimin e perimeve. Të dyja së bashku sipas ministrit të punës dhe mirëqenies sociale, Arban Abrashi, do të krijojnë 800 vende pune. “Disa prej këtyre investimeve janë investime gjermano-kosovare. Gjatë javës së ardhshme do të promovohen edhe disa projekte të tjera të investitorëve gjermanë, në kuadër të panairit të punës që organizohet këtë javë” tha ministri Arban Abrashi.

Në panairin e punës projektet e tyre do t'i prezantojnë kompani nga vendi dhe tre shtetet gjermanofone Gjermania, Zvicra dhe Austria. Paralajmërohet se do të ofrohen të paktën 1000 vende të lira pune. Një ndihmë të madhe në organizimin e këtij panairi të punës ka dhënë edhe Qendra Gjermane për Informim, Migrim, Arsim dhe Karrierë ( DIMAK). Nina Theis, udhëheqëse e kësaj zyre, në një intervistë të mëhershme për DW, ka theksuar se: “DIMAK punon në emër të qeverisë gjermane, e cila e ka ngarkuar këtë zyrë në Kosovë që të jepë informacione. Pra ne vetëm mund të japim informata për të rinj që mund të punojnë, apo mund të shkollohen, apo studiojnë në Gjermani. E ritheksoj, se ne nuk ofrojmë vende pune, atë e bëjnë firmat gjermane dhe ne të rinjve kosovarë vetëm u tregojmë rrugë sesi të arrihet deri atje, cilat janë parakushtet dhe cilat janë procedurat që patjetër duhet të ndiqen dhe po ashtu u japim informata se cilat profesione janë deficitare në Gjermani në mënyrë që shanset e tyre për punësim të jenë sa më reale”, thotë Nina Theis.

Duke qenë që Kosova është një vend i vogël për të thithur investime të kompanive gjigante gjermane, mundësia më e mirë tash për tash janë investimet gjermano- kosovare, apo ato nga diaspora kosovare. Kështu pati është shprehur për DW, kryetari i Odës Ekonomike Gjermane, Samir Krasniqi. “Kosova është në një pozitë të mirë gjeografike dhe ka resurse të bollshme, ka një rini të edukuar mirë dhe që njeh gjuhë të huaja mirë. Këto janë disa nga përparësitë, mirëpo, thelbësorja është se sa pastaj shteti u ofron investitorëve të huaj siguri, sa është situata politike stabile në Kosovë, sepse investitorët e huaj shkojnë e investojnë aty ku ka stabilitet politik dhe jo në atë vend ku ka trazira siç po ndodh kohët e fundit në Kosovë”.

Mirëpo, sot para investitorëve, kryetari i Odës Ekonomike gjermano-kosovare, ftoi investitorët nga diaspora që ta shfrytëzojnë potencialin e vendit, duke sjellë edhe partnerët e tyre afaristë të investojnë në Kosovë.

“Ju ftoj juve që keni ardhur nga Gjermania, Austria dhe Zvicra të na bashkangjiteni në tregun e Kosovës, të shfrytëzoni potencialet e vendit dhe të investoni. Në të njëjtën kohë ju ftoj që të sillni partnerët tuaj biznesmenë të investojnë në Kosovë. Kosova ka nevojë për investime, Kosova ka nevojë për zhvillim më të hovshëm ekonomik”, tha Krasniqi.

Në këtë linjë u shpreh në një konferencë për media edhe ambasadorja gjermane në Kosovë, Angelika Viets, e cila tha se gazi lotsjellës gjatë muajve të fundit në parlamentin e Kosovës është një imazh i keq për investitorët e huaj. Megjithatë ajo ftoi diasporën kosovare që të ardhurat vjetore nga diaspora që janë diku 600 deri 700 milionë Euro, të investohen dhe të krijojnë vende pune.

“Rritja ekonomike në dy -tri vitet e ardhshme do të jetë diku 4 përqind sipas vlerësimit të FMN-së. Pjesë e problemit është se ekonomia e Kosovës varet nga konsumi e jo nga investimet. Mjedisi i biznesit është i vështirë dhe nuk ka garancinë për investime. Më shumë se gjysma e fuqisë punëtore është jo aktive dhe Kosova po dështon të gjenerojë punësime të reja”, tha ambasadorja Angelika Viets.

Gjermania është një ndër donatorët më të mëdhenj në Kosovë. Që nga përfundimi i luftës, qeveria gjermane ka investuar në Kosovë rreth 500 milionë Euro. Shumica nga këto mjete janë investuar në infrastrukturë energjetike dhe ujësjellës. Megjithatë papunësia në Kosovë vazhdon të jetë e lartë. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2015 papunësia kapi shifrën e rreth 33 përqind.