1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Gjermani: Evropa është 'tepër larg' për shumë gjermanë

Gjermanëve u mungon interesi për Evropën, megjithëse 70 përqind e ligjeve të tyre prodhohen në Bruksel. Edhe fytyrat e kandidatëve shpesh janë të panjohura për qytetarët.

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Ne foto: godina e Parlamentit Evropian pas flamurit te BE

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian zgjojnë debate për Evropën

Në datat 4 deri 7 maj në vendet anëtare të Bashkimit Evropian zhvillohen zgjedhjet për Parlamentin e Evropës. Por pjesëmarrja në votime pritet të jetë e ulët. Në bazë të anketimeve të deritanishme as 40 për qind e qytetarëve nuk kanë ndër mend të shkojnë në votime. Organizatorët kanë vështirësi të gjejnë edhe ndihmës që do të vëzhgojnë ecurinë e zgjedhjeve dhe do të numërojnë votat ditën e diel, kur të mbyllen lokalet zgjedhore. Fushata elektorale për Evropën në Gjermani duket para së gjithash nga reklamat me portretet e kandidatëve nëpër rrugët e qyteteve. Njerëzit kalojnë indiferentë pranë tyre, madje për shumicën fytyrat e kandidatëve janë të panjohura.

“Jo, kush është ky?” thotë një vajzë e re tek shikon fotografinë e kryetarit të Parlamentit Evropian. Hans-Gert Poettering është kandidati kryesor i Unionit Kristian Demokrat. “Po ky?”, thotë 25-vjeçarja paksa e turpëruar tek i tregon fotografinë e pretenduesit për postin e komisionerit gjerman në Bruksel, socialdemokratit Martin Schulz. Në Bruksel dhe Strasburg ata përfaqësojnë zërin e Gjermanisë, as një e treta e gjermanëve nuk njeh as emrin e as fytyrën e tyre.

Këtë e dinë edhe vetë partitë, prandaj edhe nëpër pllakatet elektorale atyre u vijnë në ndihmë personalitete më të njohura: Ndërsa Martin Schulz duket gjithandej në anë të ministrit të jashtëm Frank-Walter Steinmeier, CDU-ja në shumë pllakate ka hequr dorë nga promovimi me figurën e Poettering-ut dhe bën reklamë me fytyrën e njohur të kancelares Angela Merkel. Këtë po që e njoh, thotë një djalë i ri. “Atë e njoh edhe unë” shton një kalimtare më e moshuar tek shikon një reklamë me fotografinë e kancelares Merkel.

Fushatë pa entuziazëm

Edhe takimet e kandidatëve me elektoratin këto ditë nuk janë aspak të bujshme: „Entuziazmi i gjermanëve për zgjedhjet evropiane mund të ishte pak më i madh“, i thotë Martin Schulz Deutsche Welle-s, tek ngjitet shkallëve për në Universitetin Teknik të Berlinit. Schulz ka një takim me studentët. As 30 politologë të ardhshëm nuk gjenden në sallën e vogël. Ata e presin me duartrokitje, më shumë nga mirësjellja.

Schulzi është kryetari i socialistëve në Parlamentin e Evropës. Në vitin 2003 ai u bë i famshëm për një grindje me kryeministrin italian Silvio Berlusconi. Por që atëherë kanë kaluar gjashtë vjet dhe njerëzve kjo histori u kujtohet si në mjegull. Kjo ka të bëjë me faktin, që jo vetëm viti 2003 duket të jetë larg për studentët, por edhe vetë Evropa: „Evropa për ne është shumë e largët. Ne nuk arrijmë të kuptojmë se si merren vendimet dhe se cili është ndikimi i saj në jetën tonë“, thotë një studente e politologjisë, e vetmja nga të pranishmit që duket e interesuar. “Unë kam qenë njëherë në Parlamentin e Evropës”, shton ajo. “Kur shkon atje dhe shikon se ç'do të thotë të kesh njerëz që flasin në gjuhë të ndryshme përreth teje, sigurisht që krijon njëfarë ndjenje evropiane, por prapë, Evropa mbetet larg.”

Martin Schulz e njeh mirë problemin dhe ka shpjegimin e vet për këtë:  Sepse në Evropë nuk ka konfrontime të drejtpërdrejta. Ne jemi mësuar me fushata elektorale në nivel kombëtar, në të cilat vihen përballë kandidatët dhe programet. E kjo është diçka që kapet më lehtë nga zgjedhësit. Në Evropë nuk e kemi këtë, prandaj edhe është shumë e vështirë të mobilizosh zgjedhësit“, i thotë Schulz Deutsche Welle-s

Ndihmësit mungojnë

Por jo vetëm zgjedhësit. Edhe ndihmësit vullnetarë është e vështirë t'i gjesh. Zyrat elektorale në Berlin vazhdojnë të kërkojnë edhe gati njëmijë bashkëpunëtorë, që janë të gatshëm të sakrifikojnë një ditë të jetës së tyre për Evropën. „Këtë problem e kemi përpara çdo zgjedhjeje evropiane“, i thotë Deutsche Welle-s, drejtuesi i zyrës elektorale në Berlin-Mitte, Bernd Rogge.

Dhe kjo, duke pasur parasysh që 70 për qind e ligjeve në Gjermani, vijnë nga Evropa: „Po ta dinë njerëzit se çfarë rëndësie të madhe ka Parlamenti Evropian për qytetarët gjermanë, atëherë ata do tregonin më shumë angazhim në veprimtarinë e tyre vullnetare”, thotë Rogge.

Por zgjedhjet e 7 qershorit, nuk do të dështojnë për shkak të mungesës së  ndihmësve, sepse ligji ka të drejtë t'i detyrojë qytetarët të ndihmojnë për ecurinë e mbarë zgjedhjeve, sigurisht kundrejt një shpërblimi modest prej 31 Euro. Por ligji nuk mund t'i detyrojë njerëzit të shkojnë në zgjedhje. Dhe me sa duket, ky do të jetë edhe problemi i zgjedhjeve për Evropën. Sipas anketimeve të deritanishme pjesëmarrja në to do të jetë më e ulët se 40 për qind.

Autor: Anila Shuka/Berlin

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 03.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I2qr
  • Data 03.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I2qr