1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

251010 Legalisierung Deutschland

25 Tetor 2010

Në Gjermani ka vite që diskutohet për legalizimin e konsumit të kanabisit dhe megjithëse ajo nuk është ndonjë temë qendore e politikës, diskutimet rreth saj përsëriten vazhdimisht.

https://p.dw.com/p/PmWz
Fotografi: AP

Të gjelbrit dhe përfaqësues të partisë E Majta kanë kohë që kërkojnë liberalizimin e konsumit të kanabisit në Gjermani, sipas modelit të Holandës apo të Çekisë. Një hap i tillë do të thoshte edhe mosngarkimin me akuzën e kryerjes së një vepre penale për rreth dy milionë gjermanë që konsumojnë kanabis.

Kryetari i grupit parlamentar të së Majtës në Bundestagun gjerman, Gregor Gysi, mendon se: "kjo është një e ashtuquajtur drogë e lehtë, d.m.th. pasojat e saj nuk janë më të rënda apo më të këqia se ato të alkoolit. Ajo për të cilën kemi nevojë është një mbrojtje më e mirë e fëmijve dhe e të rinjve - në këtë mes duhen rregulla të ashpra - për të rriturit mund të lejohet tregtimi i lirë. Kjo për dy arsye: së pari për t'i prerë rrugën kriminalitetit me tregtinë e kanabisit dhe së dyti për t'i dhënë fund fitimit të parave prej tregtisë së tij."

Në Gjermani nuk është e ndaluar pirja e kanabisit, por kultivimi, tregtia apo pasja e kësaj droge. Gjykata Kushtetuese rekomandon që në rastin e sasive të vogla, pra për përdorim vetiak, të hiqet dorë prej ndjekjes penale, me përjashtim të atyre rasteve kur personi që mund të kapet me kanabis ndodhet para ndonjë shkolle, apo rrezikon në ndonjë mënyrë tjetër të tjerët. Megjithë këtë rekomandim përfaqësuesit e landeve nuk kanë arritur të bien dakord për ndonjë kuotë të përbashkët, të asaj që quhet sasi e vogël. Dhe për këtë si sasi e vogël në Berlin konsiderohen deri në 15 gramë, në Mynih gjashtë gramë.

Flash-Galerie Niederlande Holland
Fotografi: AP

Drejtori ekzekutiv i grupit të pavarur "Qendra për problemet e narkomanëve" Raphael Gaßmann, mendon se politika e "dorës së fortë" në rastin e kanabisit nuk ka kuptim:

"Ai që mendon se një ligj i ashpër për kanabisin do të çojë në Gjermani apo diku në botë në rënien e konsumit e ka krejtësisht gabim, kështu tregon përvoja. Në të gjitha studimet krahasuese në fushën e së drejtës nuk kemi asnjë lloj të dhëne serioze që përndjekja penale e ul apo e ngre në mënyrë drastike apo të ndjeshme konsumin e kanabisit."

E vetmja pasojë është kriminalizimi i shumë njerëzve, të cilëve u shkatërrohet jeta, sepse shpesh dënimi për konsumin e kanabisit shoqërohet me humbjen e vendit të punës.

Gjithësesi në radhët e popullsisë gjermane ky problem shoqërohet me ndjenja të përziera. Në anketimin e këtij vitit të zhvilluar prej Shoqatës Gjermane të Kanabisit pati vërtet një shumicë të ulët pro një qëndrimi më liberal ndaj kunsumatorëve të hashashit. Por pro liberalizimit të kultivimit të kanabisit dhe lejimit të tij për përdorim vetiak janë vetëm një e katërta e tyre.

Ekspertja e partisë SPD, deputetja Angelika Graf, mendon se legalizimi i kanabisit do të ishte një sinjal i gabuar, po të mendojmë se sa e vështirë është lufta kundër shpërdorimit të drogave legale si alkooli dhe duhani.

Askush nuk beson se nën qeverisjen e konservatorëve dhe të liberalëve në Gjermani do të ketë ndonjë liberalizim të hashashit. Gjithësesi koalicioni nën drejtimin e kancelares Merkel ka rënë dakord që të ardhmen mjekët të kenë të drejtë t'u japin pacientëve të sëmurë rëndë medikamente me bazë kanabis, pa pasur nevojë që për çdo rast të kërkojnë leje të posaçme.

Autor: Bernd Gräßler/Pandeli Pani

Redaktoi: Eliana Xhani