1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermanët realistë dhe kultura e mirëseardhjes

Kultura e mirëseardhjes në Gjermani ende qëndron në këmbë, sipas një studimi të fundit, megjithë vitet e krizës së refugjatëve. Por shifrat mund të lexohen edhe ndryshe, mendon Christoph Hasselbach.

"Më duket se është mjaft e rëndësishme të vërejmë, se sa e patundur është kultura e mirëseardhjes, pas dy vitesh të pazakonta të një imigrimi rekord të refugjatëve", shprehet Ulrich Kober, ekspert për migracionin e fondacionit „Bertelsmann" për Deutsche Wellen. Po, e vërteta është se 59% e të anketuarve, shprehen se do t'i mirëprisnin refugjatët. Vetëm një e treta e tyre mendon, se nuk mund të flitet më për një kulturë mirëseradhjeje në Gjermani.

Por ka një truk në këtë anketim - në fakt aty pyetet, se si vepron shoqëria me migrantët, e jo se cili është qëndrimi personal ndaj migrantëve, prandaj del edhe kjo shifër. Studimi të jep përgjigje megjithatë edhe për qëndrimin personal ndaj migrantëve. E ky ofron një pamje tjetër: 54% e të anketuarve thonë, se është arritur kufiri i kapacitetit të mundshëm për pranimin e refugjatëve. Para dy vitesh, kur pyeste fondacioni Bertelsmann ishin 40% e personave që e pranonin arritjen e këtij kufiri.

Pa iluzione

Ndërsa lidhur me pasojat e imigrimit, të anketuarit nuk kanë iluzione: Si në vitin 2015 ashtu edhe vitin 2017 përgjigjja mbetet: 79% e të anketurave parashohin, se shteti social do të përballet me më shumë vështirësi. Para dy vitesh ishin vetëm 64% që mendonin kështu. Vitin e kaluar shteti ka ofruar të paktën 20 miliardë euro për tejkalimin e krizës së refugjatëve, në vitin në vazhdim janë planifikuar po kaq shpenzime. Në vendet e origjinës me këtë shumë mund të arrihej shumë më tepër se kaq, e nga ana tjetër, vendi i kursente vetes mundimin e integrimit.

Sot 72% e të anketuarve mendojnë, se në të ardhmen mund të ketë konflikte mes emigrantëve dhe vendasve, ky rezultat nuk të habit pas atentatit në tregun e krishtlindjeve në Berlin apo ngjarjeve në Natën e Vitit të Ri në Köln.

Hasselbach Christoph Kommentarbild App

Christoph Hasselbach

Politika e Merkelit gabim i madh

Po ashtu një shumicë e dukshme e të anketuarve, 81% e tyre, mendon se pas angazhimit të madh gjerman, tani duhet të tregojnë më shumë solidaritet vendet e tjera të BE-së. E kuptueshme, por kjo nuk ka për të ndodhur. Sepse po ashtu e kuptueshme është që vende të tjera nuk duan të bëhen peng i kulturës së mirëseardhjes gjermane të keqdrejtuar për shkak të politikës së Angela Merkelit.

Kjo politikë ishte e gabuar, sepse në mënyrë të përgjithësuar ishte mirëseardhëse për këdo që erdhi, e gabuar, sepse për muaj me radhë pyetjet për prejardhjen dhe arsyen e ikjes nga vendi nuk luanin ndonjë rol e me këtë nuk u bë dallimi i duhur mes atyre që vërtet kishin të drejtë për azil dhe emigrantëve ekonomikë, pa përmendur këtu rrezikun e islamistëve të gatshëm për dhunë.

Sot Merkeli bën thirrje për një „akt kombëtar përpjekjeje" për kthimin e migrantëve pa të drejtë azili. Pra, tani duhet të sforcohet i gjithë vendi, për të zgjidhur një problem kaq kompleks, që as nuk do kishte ekzistuar, nëse nuk do të kishim pasur politikën merkeliane të mirëseardhjes. Fjalitë si „ne ia dalim mbanë" apo „nuk ka kufi maksimal" nuk mund të ndahen nga kërkesa e sotme për „një akt kombëtar përpjekjeje", që synon shuarjen e pasojave.

Gjermanët nuk u pyetën kurrë për një eksperiment të tillë. As nga ana ligjore shteti gjerman nuk kishte detyrimin për t'i hapur dyert për të gjithë. Merkel e ka strapacuar tejet vullnetin e mirë të popullit gjerman. Po qe se ajo do ta ruajë këtë, atëherë një gjë e tillë nuk duhet të përsëritet më –këtë e tregon edhe studimi i fondacionit Bertelsmann.

Ju mund të jepni mendimin tuaj në fund të këtij artikulli. Ne ju mirëpresim!