1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermanët kanë frikë nga ndryshimet?

Gjermanët janë të shqetësuar me zhvillimet e fundit. Në kohën e ardhjeve masive të refugjatëve dhe azilkërkuesve është shtuar frika nga ndryshimet shoqërore, mendon demoskopi Thomas Petersen, në bisedë me DW.

Thomas Petersen

Thomas Petersen

DW: Deri para ca kohësh gjermanët kanë qenë një popull i kënaqur dhe pa ndonjë tendosje shoqërore. Qetësia ka qenë një prej simboleve kryesore të vendit. Tani gjërat kanë ndryshuar. Pse?

Thomas Petersen: Nuk e di fare nëse qetësia ka qenë vërtetë një prej karakteristikave tona. Në fakt ne jemi gjithmonë të paqetë dhe ka qenë pak e pazakontë që vitet e fundit gjermanët për një kohë të gjatë kanë qenë të qetë. Shkaku për humbjen e qetësisë është filimi i valës së migrantëve para një viti. Njerëzit janë natyrisht të shqetësuar me numrin e madh të refugjatëve që po vijnë në vendin tonë dhe kështu po humbet ajo bota e qetë, e sigurt, ku kanë jetuar deri tani.

A thua po kthehet frika gjermane? Kjo shprehje nuk është rastësisht e njohur në arenën ndërkombëtare. A thua ne reagojmë më ndryshe ndaj ndryshimeve?

Dikur do të thosha po. Besoj se ndërkohë nuk është kështu. Populli është i shqetësuar dhe i pasigurtë, por jo edhe më i frikësuar se të tjerët. Nuk e besoj që kemi ndonjë situatë krahasuese në Francë apo Britani të Madhe, e cila do të shkaktonte shqetësime të ngjashme.

Çfarë i shqetëson më së shumti gjermanët tek pranimi i refugjatëve?

Në përgjithësi ekziston përshtypja se po humbet papritur siguria që e kemi pasur deri tani. Kjo është një përshtypje e përgjithshme e pasigurisë. Por unë nuk e besoj fare që kjo frikë vërtetë do të konkretizohet. Është një ndjenjë e çuditshme, kur menjëherë paraqitet pasiguria për të ardhmen, sepse e ardhmja nuk mund të parashikohet.

A mund të thuhet se frika po shtohet si pasojë e rrezikut nga terrorizmi dhe kriminaliteti?

Këtu ka disa gjëra të përbashkëta. Natyrisht që njerëzit tani kanë frikë nga kriminaliteti dhe sulmet e mundshme terroriste. Por pas zhvillimeve të mëdha gjithmonë kemi një gjendje të këtillë dhe kjo nuk është asgjë e pazakonshme. Fakti që 80% e të anketuarve sot thonë se kanë frikë nga rritja e shkallës së kriminalitetit është më shumë një reflektim i ngjarjeve në Këln, në natën e Vitit të Ri. Pas këtyre sulmeve fshihet ndjenja e humbjes së orientimit që tejkalon edhe politikën ditore.

A po na kaplon frika për të ardhmen?

Në jetën e përditshme jemi të shqetësuar, sepse kemi frikë për të ardhmen. Me të tanishmen populli është i kënaqur deri diku. Ky mbase është thelbi i fenomenit të tanishëm. Kur i pyet njerëzit nëse gjërat do të mbeteshin mirë, sikur në Gjermani të mos ndryshonin gjërat, ata përgjigjen pozitivisht. Shqetësimet nuk kanë të bëjnë me të tanishmen, por me të faktin që e ardhmja ndoshta nuk mund të zotërohet.

Cili është prototipi i gjermanit të frikësuar sot?

Tendenca e ruajtjes së status quosë shtohet me rritjen e moshës, që është e kuptueshme. Të rinjtë janë më dinamikë dhe duan të arrijnë diçka. Në shumë sfera ata janë më fleksibël. Ndërsa me shtimin e moshës shtohet edhe dëshira për të ruajtur gjërat ashtu siç janë. Kjo është tipike për shoqëritë më të moshuara. Një shoqëri e moshuar me mirëqenjë pretendon gjithmonë më shumë të ruajë vlerat e arritura dhe jo të arrijë gjëra të reja.

Frika me siguri që nuk është një këshilltar i mirë as në politikë. Tani po forcohet Alternativa për Gjermani (AfD). A do të thotë se po ndryshon edhe peizazhi politik në Gjermani?

Kjo ende nuk mund të thuhet. Momentalisht po përfiton AfD nga pasiguria në popull. Nëse ata do të etablohen si forcë e qëndrueshme politike mbetet të shihet dhe varet nga tejkalimi i krizës me refugjatët dhe krizës në Evropë. Kur populli të ketë përshtypjen se qeveria i ka më mirë gjërat nën kontroll, atëherë mund të paramendojë edhe zbehjen e mbështetjes së AfD. Ka shumë faktorë në lojë, por është e qartë që forca relative e AfD pasojë e gabimeve të politikës së përditshme

Dr. Thomas Petersen është publicist dhe shkencëtar i Institutit për Demoskopi në Allensbach në Bodensee. Ai është autor i studimit Allensbach: "Gjermanët dhe frika nga ndryshimet".