1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Gjermanët do të zgjidhnin Clintonin

Vetëm katër përqind e gjermanëve do të zgjidhnin Trumpin. Shumë druhen se marrëdhëniet gjermano-amerikane nën Trumpin do të përkeqësoheshin.

Pak ditë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, një shumicë dërmuese e gjermanëve shprehet në mbështetje të Hillary Clintonit. Kjo rezulton nga "Tendenca në Gjermani", një sondazh reprezentativ, të cilin instituti që studion opinionin Infratest dimap e zhvillon çdo muaj me shtetasit gjermanë me të drejtë vote, mbi moshën 18 vjeç. 75 përqind e të pyeturve bënë të ditur se do të zgjidhnin Clintonin, po të kishin mundësi të votonin. Megjithatë, në krahasim me një muaj më parë, Clintoni humbet dukshëm mbështetje, humbet 11 pikë. Vetëm katër përqind e të pyeturve mbështesin rivalin e Clintonit, Donald Trumpin. 

Nëse Trumpi do t'i fitonte zgjedhjet javën e ardhshme, më shumë se treçereku i të pyeturve druhet se do të pasojë një keqësim i marrëdhënieve gjermano-amerikane. Ndërsa vetëm dy përqind e të pyeturve besojnë se fitorja e Trumpit do ta përmirësonte partneritetin transatlantik.

Nëse amerikanët do të votojnë për Clintonin, 80 përqind e të pyeturve mendojnë se nuk do të ndryshojnë shumë gjëra në marrëdhëniet midis SHBA dhe Gjermanisë. 12 përqind madje besojnë se do të ketë një përmirësim të marrëdhënieve, në një kohë kur 5 përqind presin pasoja negative.

Koalicioni qeveritar nën kritika

Infratest dimap pyet si gjithmonë edhe për kënaqësinë e shtetasve me punën e qeverisë: kritika ndaj koalicionit të madh qeveritar është shtuar që prej sondazhit të fundit: aktualisht, të kënaqur janë katër nga dhjetë qytetarë (minus pesë përqind), në një kohë që 50 përqind shprehen në mënyrë kritike.

Megjithatë, atmosfera politike mbetet në pjesën më të madhe e pandryshuar: nëse sot do të ishin zgjedhje parlamentare në Gjermani, CDU dhe CSU do të merrin 33 përqind të votave, SPD do të mbetej në 22 përqind të votave. Forca e tretë politike do të ishte AfD me 13 përqind. Pak pas saj vijnë të Gjelbrit me 12 përqind si dhe e Majta me 9 përqind dhe FDP, 6 përqind.

48 përqind e qytetarëve janë që të vazhdojë qeverisjen koalicioni në pushtet, kurse 50 përqind e shohin punën e koalicionit në mënyrë kritike. Megjithatë nuk ka as mbështetje për aleanca të tjera të mundshme qeveritare.