1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjeorgjia dhe Moldavia më pranë Evropës

E. Xhani (afp, dpa, rtr)29 Nëntor 2013

Dy ish-republikat sovjetike në samitin e Vilnës BE - Partneriteti me Lindjen, sigluan marrëveshje asociimi dhe të tregtisë së lirë. Ndërsa Ukrainës i duhet të presë ende në paradhomën e BE-së.

https://p.dw.com/p/1AQYq
Fotografi: picture-alliance/dpa

Përfaqësuesit e lartë nga BE dhe dy ish-republikat sovjetike, Moldavi dhe Gjeorgji, në kuadër të samitit BE dhe Partneriteti me Lindjen, sigluan marrëveshje për asociim dhe tregti të lirë. Azerbajxhani nënshkroi një marrëveshje për lehtësimin e regjimit të vizave. "Ky është një gur kilometrik i rëndësishëm", tha Presidenti i Komisionit të BE-së José Manuel Barroso në Vilnë. Barroso njoftoi se marrëveshjet me Gjeorgjinë dhe Moldavinë do të nënshkruhen vitin që vjen. Atëherë ato mund të hyjnë përkohësisht në fuqi. "Ekonomitë tona do të jenë të lidhura më ngushtë", tha Barroso. Thuajse të gjitha barrierat doganore duhet të bien. Drejtuesi i samitit Herman Van Rompuy tha se BE i respekton vendet dhe nuk ka ushtruar asnjë trysni ndaj tyre.

Kritikë e ashpër nga Presidentja e Lituanisë

Angela Merkel, Dalia Grybauskaite, Herman van Rompuy, Jose Barroso në samitin në Vilnë.
Fotografi: Reuters

Pasi Ukraina bëri prapaktheu në afrimin me BE-në, në samit nuk ishte e mundur të nënshkruhej marrëveshja ambicioze dhe me negociata të përfunduara për asociimin e Ukrainës. Mikpritësja e samitit, presidentja e Lituanisë Dalia Grybauskaite, tha se oferta e një pakti me Ukrainën është ende mbi tryezë. Ajo në të njëjtën kohë e akuzoi qeverinë ukrainase se me 'Jo-në' e saj ndaj marrëveshjes së asociimit po e çon vendin në drejtim të gabuar. Presidenti ukrainas Viktor Janukoviç "nuk është gati të ecë në rrugën e integrimit në BE", tha Grybauskaite në ditën e dytë dhe të fundit të samitit. Udhëheqja aktuale në Kiev ka vendosur "ta ndalojë përparimin në vendin e vet", tha Presidentja e Lituanisë.

Janukoviç: nënshkrimi "në të ardhmen e afërt"

Në Vilna Janukoviç bëri megjithatë të qartë se ai parimisht i përmbahet edhe më tej objektivit të një marrëveshjeje asociimi me BE-në. "Unë konfirmoj synimin e Ukrainës për të nënshkruar një marrëveshje asociimi në të ardhmen e afërt", tha ai para gazetarëve në Vilnë. Por para marrëveshjes së integrimit BE duhet t'i akordojë vendit të tij ndihmë ekonomike.

Në kuadër të punimeve të samitit edhe Kancelarja Angela Merkel bisedoi me Janukoviçin. Pas bisedës Merkel deklaroi se BE nuk do t'i vërë Ukrainës kufi kohor për nënshkrimin e marrëveshjes së asociimit. Por Merkel kundërshtoi kërkesat nga pala ukrainase për lehtësim kushtesh p.sh. në marrjen e një kredie nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. "Unë besoj se Ukraina ka ende shumë reforma për të bërë", tha ajo. Edhe vende të tjera në Lindje të Evropës kanë ndërmarrë reforma të dhimbshme, për këtë arsye standardet nuk mund të zbuten për Ukrainën, tha Kancelarja gjermane.

"Në fund gjithçka varet nga vetë Ukraina"

Merkel: "Nuk ka zbutje standardesh për Ukrainën!"
Merkel: "Nuk ka zbutje standardesh për Ukrainën!"Fotografi: Reuters

Merkeli i ofroi Kievit furnizim me gaz nga BE në mënyrë që vendi të mund të çlirohet nga varësia prej livrimeve nga Rusia. "Në fund varet nga Ukraina nëse do të ketë guximin të hedhë një tjetër hap drejt Evropës, dhe atëherë edhe BE do të jetë një partner i besueshëm."

Kancelarja siguroi se Gjermania do të angazhohet edhe më tej për lirimin e politikanes opozitare në burg Julia Timoshenko. "Ne do të kërkojmë edhe më tej dialogun dhe natyrisht do të mbështesim edhe opozitën ukrainase", theksoi ajo. Por do të mbahen parasysh "të gjithë njerëzit që jetojnë në kushte të vështira politike në Ukrainë dhe Bjellorusi", tha Kancelarja gjermane Angela Merkel.