1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gjenerali Markus Bentler: ”Baza ushtarake serbe në jug të Serbisë nuk përbën kërcenim për Kosovën”

Situata e sigurisë në Kosovë është stabile dhe kjo është arsyeja pse NATO-ja do të reduktojë një numër trupash nga Kosova. Intervistë ekskluzive me gjeneralin gjerman Markus Bentler

Në foto komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Markus Bentler

Në foto komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Markus Bentler

DW: Gjeneral Bentler, si paraqitet situata e sigurise në Kosovë, mund të na japësh një pasqyrë të përgjithshme?

Bentler: ”Me duhet ta përsëris se situata e sigurisë në Kosovë është shumë e qëndrueshme. Nuk kemi kërcënime nga jashtë, nëse mund të themi kështu. Poashtu nuk kemi kërcënime që njerëzit e Kosovës të ndihen jo të sigurt. Brenda Kosovës kemi një situatë të qëndrueshme, njërëzit e etnive të ndryshme janë të interesuar për një jetë më të mirë. Kemi parë disa përplasje të vogla në veri të Mitrovicës, mirëpo, në përgjithësi situata është e qetë."

DW: Zoti Gjeneral, përmendet pjesën veriore të Mitrovicës, atje akoma ekzistojnë strukturat paralele serbe. Keni telashe me këto strukura?

Bentler: “Për KFOR-in nuk janë problem, nuk është problem siguria, ne jemi të pranishëm në këtë pjesë, jemi të respektuar dhe kjo është një gjë pozitive. Mirëpo, në aspektin politik, natyrisht që strukturat paralele paraqesin gjithmonë problem, mirëpo në këtë pikë unë nuk mund të ndërhyjë sepse nuk është përgjegjësi e forcave paqëruajtëse."

DW: Gjeneral Bentler, KFOR-i do të reduktojë trupat nga Kosova, tashmë kjo është e konfirmuar. Mendoni se ky reduktim do të ndikojë në përkeqësimin e situatës së sigurisë në Kosovë?

Bentler: ”Situata e sigurisë është përmirësuar dukshëm në Kosovë dhe kjo është arsyeja kryesore pse Aleanca Veriatlantike vendosi që të reduktojë trupat nga Kosova. Deri në fund të janarit të vitit të ardhshëm në Kosovë do të mbesin 10 mijë trupa. Mirëpo, me lejoni të them se nëse ky reduktim ndikon në situatën e sigurisë, gjë që ne nuk e parashohim, atëherë ky vendim i NATO-os nuk do të jetë i vlefshëm. Në këtë rast NATO-ja do ta vlerësojë situatën e re dhe konform rrethanave do të veprojë. Mirëpo, nuk ka arsye për shqetësim sepse situata është e qetë, policia e Kosovës është plotësisht funksionale dhe çdo gjë është në rregull sa i përket sigurisë në Kosovë."

DW: Gjeneral Bentler, me herët thatë se siguria e Kosovës nuk kërcënohet nga jashtë, mirëpo në radhët e politikanëve kosovar dhe qytetarëve të këtushëm ka shqetësime për ngritjen e një baze ushtarake serbe në jug të Serbisë që nuk është shumë larg Kosovës. Çfarë u thoni kosovarëve për këtë?

Bentler: “Ne e kemi përcjellur këtë zhvillim nga afër, jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritet serbe. Me aq sa kam unë njohuri, forcat ushtarake të Serbisë po i nënshtrohen një procesi ristrukturimi dhe në këtë proces jo vetëm në Serbi por edhe në vende tjera të botës ndodhin zhvendosje të bazave ushtarake. Ne si KFOR, ndërtimin e kësaj baze ushtarake serbe në Jug të Serbisë nuk e shohim kërcënim për Kosovën, njërëzit në juglindje të Kosovës nuk duhet të frikësohen nga kjo bazë ushtarake, sepse nuk do të ketë kurrfarë sulmi ushtarak kundër tyre. Për këtë jam i sigurt jo vetëm unë por edhe strukturat e NATO-os."

DW: Gjeneral Bentler, cilat janë kontaktet tuaja me ushtarakët serbë?

Bentler: ”Ne kemi kontakte të vazhdueshme, takime këto që zhvillohen në kufi. Ne kemi Këshillin e përbashkët implementues që ka të bëjë me Marrëveshjen e Kumanovës të vitit 1999. Në këtë këshill të përbashkët ne diskutojmë çështjet kufitare që përfshihen në Marrëveshjen e Kumanovës, fjala është për ndonjë dhunë të shfaqur nga ndonjë ushtar apo dikush tjetër. Kemi patrullime të afërta, ne në anën kosovare të kufirit dhe ata në pjesën serbe të kufirit. Pra, kemi kontakte të mira të nivelit profesional dhe mendojë se çdo gjë është në rregull."

DW: Zoti Gjeneral, cilat janë pritjet e juaja për Kosovën gjatë vitit 2010?

Bentler: ”Para së gjithash unë shoh zhvillime pozitive. Unë mendoj se njerëzit në Kosovë kanë treguar maturi dhe janë të gatshëm të punojnë për një jetë më të mirë. Unë shoh se zhvillimi do të vazhdojë, ne do të ndihmojmë që njerëzit të ndjehen të sigurt. Sfida më e madhe për Kosovën do të jetë se si grupet e ndryshme etnike do të merren vesh njëra me tjetrën. Unë dua të porositë qytetarët e Kosovës që të jenë tolerant, të kontribuojnë për paqen, të përfshihen në konsolidimin e shoqërisë kosovare dhe në përgjithësi shoh vetëm aspekte të një zhvillimi pozitiv."

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Esat Ahmeti

  • Data 31.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LHjb
  • Data 31.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LHjb