1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Gjeneral Musharafi do të kthehet në viktimë të mendjemadhësisë së vet

Ndër temat e komentuara në shtypin e sotëm gjerman janë vizita e papritur e kancelares Angela Merkel në Afganistan si dhe situata në Pakistan pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

default

Valë arrestimesh në Pakistan

Duke marrë shkas prej vizitës befasuese të kancelares në Kabul e përditshmja e Bonit "General Anzeiger" komenton gjendjen aktuale në Afganistan:

"Prej kohësh hamendësohej, se kur do të shkojë më në fund Merkeli në Afganistan për të vizituar trupat gjermane të dislokuara në Masar i Sharif, në Kundush apo në Faisabad. Kjo vizitë ndodhi brenda natës duke u mbajtur sekret me prioritet të lartë. Dhe masat e sigurisë ishin në shkallën më të lartë. Kjo bën të qartë, se Afganistani nuk është një vend me paqe të siguruar. Pacienti afgan vuan nga shumë sëmundje dhe plagë: kultivim droge, korrupsion, administratë publike dhe drejtësi që funksionojnë keq, analfabetizëm, një sistem shëndetësor me mangësi të jashtëzakonshme si dhe një qeveri qendrore, që nuk pranohet në provinca, ku fjalën e kanë sundimtarë rajonalë me ushtritë e tyre private. Ajo që u vë kapakun të gjitha këtyre problemeve është terrorizmi si një metastazë malinjë, kundër së cilës trupa ndërkombëtare ISAF e drejtuar prej NATO-s ende nuk e ka gjetur recetën efikase."

Ndërsa për komentatorin e "Augsburger Allgemeine" vizita e Kancelares në Afganistan është e vonuar: "Kjo vizitë duhej bërë prej kohësh. Sepse deri tani nuk ka pasur asnjë deklaratë të arsyeshme, se përse kryetarja e qeverisë ka udhëtuar për në Groenlandë e Afrikë, por nuk ka bërë asnjë stacion në Afganistan. Qysh prej pesë vjetësh atje janë dislokuar 3.000 ushtarë dhe ushtare gjermanë. Të diskutosh dhe të marrësh vendime për Afganistanin në tryezë është një gjë dhe ta vizitosh atë personalisht, të njihesh nga afër me misionin e vështirë të forcave të armatosura të vendit tënd është një gjë krejt tjetër. Kjo është një përvojë që nuk mund ta zëvendësojë asgjë tjetër. Aq më tepër që Bundestagu (parlamenti gjerman) këtë të enjte do të vendosë mbi shtyrjen e diskutueshme të mandatit për operacionin e drejtuar nga SHBA kundër terrorit "Enduring Freedom", një sinjal i rëndësishëm ky për solidaritetin gjerman në aleancë."

Tema e dytë: gjendja e jashtëzakonshme në Pakistan.

Gazeta " Süddeutsche Zeitung" komenton: "Si një njeri i pagdhendur iu prezantua botës presidenti i Pakistanit Musharaf qysh në vjeshtën e vitit 2001, ndërsa si prijës i një ushtrie të fortë gjenerali u bë ndër diktatorët e preferuar të Perëndimit. E pra s´është habi që tani ai në vijim të këtij roli përpiqet ta ruajë imazhin duke vendosur gjendjen e jashtëzakonshme. Ai e di, se SHBA flasin shumë për moralin dhe për vlerat, por nga ana tjetër preferojnë më mirë të mbështesin një despot, që i kundërvihet islamizmit, se sa një demokrat, i cili duhet të kapitullojë përpara tyre. Ndaj Musharafi e argumenton sërish goditjen e tij më të fundit kundër demokracisë me domosdshmërinë e luftës kundër terrorit. Por në këtë mes ka një problem: Askush nuk mund t´i besojë më atij."

Ndërsa të komentin e berlinezes "Tageszeitung" lexojmë: "Marrëveshja me Benazir Buton zgjoi shpresat, se mund t´i dilet në linjën e tensionit mes demokracisë dhe udhëheqjes autoritare. Ndërsa tani shoqëria civile do ta godasë pas shpine Musharafin. Gjenerali ashtu si shumë diktatorë do të jetë viktimë e mendjemadhësisë së vet, duke barazuar interesat e pushtetit me ato të shtetit. Sikur të mos mjaftonin problemet që kishte me frontin që kërcënon të islamizmit, ai po krijon tani armiq të rinj. Është vetëm çështje kohe derisa edhe mbështetësja më e fuqishme e tij, ushtria ta kuptojë, që interesat e saj nuk janë patjetër të njëjtat me ato të komandatit të saj."

  • Data 05.11.2007
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/C0yK
  • Data 05.11.2007
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/C0yK