1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjendje e rëndë e gazetave në Greqi

9 Dhjetor 2010

Kriza po godet rëndë edhe sektorin e medias së shkruar dhe elektronike në Greqi. Dy muajt e fundit janë mbyllur dy gazeta historike, rreth 250 punonjës janë hedhur në rrugë.

https://p.dw.com/p/QUY2
Mediet në krizëFotografi: DW

E kapluar nga kriza e thellë, media e shkruar dhe elektronike greke të kujton shprehjen e njohur “shëmbëlltyra jote jam shoqëri dhe të ngjaj”. Mendoj se kriza në shtypin grek reflekton në radhë të parë krizën në ekonominë dhe shoqërinë greke”, i thotë DW gazetari dhe sindikalisti aktiv i fushës së shtypit Moisis Licis. E vërteta është se vendi prodhon më shumë informacion se sa mund të konsumojë, me një mori të panumërt gazetash, revistash, kanalesh televizive dhe radiosh që me malin e borxheve dhe personelit të tepërt një perëndi e di se si mund të mbijetojnë përballë cunamit të krizës.

“Të gjitha këto që sot i përjetojmë si teprime, si një tullumbace ekonomike i kemi parë shumë më përpara nëpër medie”, thotë Licis dhe kujton habinë që i shprehu vite më parë një diplomat suedez, kur u informua se në Greqi dalin rreth 10 të përditshme të mëdha, dhe i tha se “në Suedi, vend me lexueshmeri më të lartë, dalin vetëm 3”.

Kredibiliteti i humbur

Griechenland Krise Medien
Moisis LicisFotografi: DW

Problemi më i madh në fakt është traumatizimi i thellë i kredibilitetit të medieve, i cili filloi që në vitet 90-të, me hyrjen në fushën e informacionit të afaristëve të mëdhenj dhe allishverishit të madh politik dhe ekonomik që pasoi.

“Gjithë kjo patogjenezë nga njëra anë ka fundosur tirazhin e gazetave, me reduktim paralel të të ardhurave nga reklama dhe nga ana tjetër ka reduktuar ndjeshëm të ardhurat e kanaleve televizive programet e të cilave janë katandisur mbeturina”, thekson Licis duke i mëshuar veçanërisht pamundësisë së medias për t'i dhenë, sot me krizën, “lexuesit apo dëgjuesit një informacion objektiv por edhe një qasje alternative të situatës së krijuar”.

Gazeta historike pezullojnë botimin e tyre

Këmbanat e krizës nuk vonuan të bien. Në fillim të tetorit uli qepenat e përditshmja historike e sensit të djathtë “Apogevmatini” që hyri në status falimentimi duke hedhur në rrugë 100 punonjës, të cilët kanë qe në korrik pa marrë rrogë dhe ndodhen nëpër gjyqe me pronarin për të fituar të drejtën e kompesimit për vitet e punës. Të premten e fundit të nëntorit pezulloi botimin e përditshmja historike e sensit të majtë “To Vima”, që del vetëm në formë elektronike, duke i bërë më të besueshme Kasandrat për përspektivën gjithnjë e më të zymtë me rreth 250 të liruar aktualisht nga puna dhe kontratat personale, në vend të asaj kolektive, në kanalin televiziv “Skai” me reduktim deri 20 % të rrogave. “To Vima është një gazetë historike që objektivisht përmbushte premisat për një informim kredibël, por e mbyllen nën peshën e debitimeve dhe pa asnjë plan tjetër”, i thotë Dë gazetari sindikalist Tasos Anastasiadhis, i cili e kupton, siç thotë, domosdoshmerinë e ristrukturimit të medias, për shkak edhe të Internetit, por jo edhe “arbitraritetin e pronarëve që krizën kërkojnë tua faturojnë vetëm punonjësve”. Parashikon edhe ai “dimër” të vështirë në qoftë se “botuesit dhe afaristët nuk ulen të negociojnë dhe të vendosin së bashku kushtet me punonjësit” që luftojnë për mbijetesën.

Griechenland Krise Medien
Tasos AnastasiadisFotografi: POESI

"Gotën e hidhur do ta pijmë deri në fund"

“Është më se e qartë se gotën e hidhur do ta pimë deri në fund”, thotë edhe gazetari i radios “Në të kuq”, Vangjelis Karageorgos pasi “historia e ristrukturimeve ka treguar se gjithnjë bëhen në kurriz të punonjësve”. Kalvari i punonjësve të gazetës “Apogevmatini”, që ditën e henë, 13 dhjetor, do të qarkullojnë si "free press" numrin e dytë të gazetës me titullin “Apogevmatini e Punonjësve”, është vetëm fillimi. Ai e konsideron të sigurt tërheqjen” dhe zhvillim pozitiv akoma edhe pranimin e uljes së pagave me kusht që të garantohen vendet e punës.

Griechenland Krise Medien
Vangelis KarageorgosFotografi: DW

“Duhet të shënojmë dhe përgjegjësinë që ka vetë dega e gazetarisë”, thotë Karageorgos si një nga ata që kërkojnë ndriçimin e pjesës së fajit të vetë gazetarëve dhe përmend si dy mëkate të fundit: “inaktivitetin sindikalist” por edhe bashkërendimin jo kritik me kursin qeveritar të kursimeve të rrepta “duke arritur të cilësojnë dembela gjithë nënpunësit shtetërorë”.

Aktivitetet e sindikatave

Kritikat për inaktivitet sindikalist në fakt marrin trajtën e një zemërimi të hapur. Kreu sindikalist i gazetarëve të Athinës Panos Sobollos u qëllua me shishe plastike uji dhe kafe në grevën e 30 nëntorit ku grevistët dolën me kërkesën për sindikatë unike, të gazetarëve dhe teknikëve. “Kjo gjë po bëhet tani më se e nevojshme dhe mendoj se po krijohet një front i përbashkët”, i thotë DW presidenti i Federatës Panhelenike të Unionëve të Gazetarëve Stamatis Nikollopullos.

“Nuk do të pranojmë përmbysje të marrëdhënieve të punës, nuk do të pranojmë të kthehemi pas 20-30 vjet. Është çështje demokracie”, thotë Nikollopullos dhe e cilëson këtë si “vijën e kuqe” për masën e madhe të gazetarëve që nuk kanë asnjë lidhje me disa “yje televizive të transformuar në pronarë frekuencash dhe botues” , por ruajnë deontologjinë dhe luftojnë për një gazetari gjithnjë e më të mirë. Greva e paralajmëruar dyditore e javës së ardhshme, më 17dhe 18 dhjetor, që do të bëjë të pamundur në qoftë se do të bëhet daljen e gazetave të shtunën dhe të dielën, pritet si një test i madh i unitetit sindikalist por edhe si dëshmi e qartë e përplasjeve dhe ndryshimeve të “dhunshme” që priten në mediet greke.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Bahri Cani