1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Gjendje e rëndë në Ukrainë, Merkeli i telefonon Janukoviçit

Rritet numri i të vrarëve në Ukrainë. Tre ministra të Jashtëm të BE po bisedojnë në Kiev me presidentin e Ukrainës. Merkeli këmbëngul që Janukoviç të ndryshojë qëndrimin

Ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Polonisë po zhvillojnë sot në Kiev bisedime me presidentin e Ukrainës, Viktor Janukoviç. Fillimi i bisedimeve u vonua për shkak të kushteve të sigurisë. Ministri i Jashtëm i Polonisë, Sikorski pati njoftuar fillimisht përmes rrjetit Twitter se ministrat e jashtëm qenë larguar nga pallati presidencial, pasi para tij shiheshin shpërthime edhe tym. Por Ministria e Jashtme gjermane njofton se Ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier dhe homologu i tij francez, Laurent Fabius, së bashku me ministrin e Jashtëm të Polonisë, Radoslav Sikorski ndodhen në bisedime në pallatin presidencial.

Ndërkohë, sipas agjencive të lajmeve, përleshjet në Kiev vazhdojnë. Kjo megjithë armëpushimin për të cilin ranë dakord dje qeveria dhe opozita. Sipas të dhënave të zyrrës presidenciale të Ukrainës, në shpërthimet e reja të dhunës në Kiev janë vrarë ose plagosur "dyzina" policë. Sipas deklaratës të cituar nga Reuters, demonstruesit kishin angazhuar snajperë.

Nga ana tjetër, ka të dhëna të agjencive të lajmeve për një numër më të madh protestuesish të vrarë deri sot. Dëshmitarë të ndryshëm flasin për 15-21 protestues civilë të vrarë, trupat e të cilëve janë parë nëpër rrugët e Kievit.

Protestues i vrarë në Sheshin e Pavarësisë në Kiev

Protestues i vrarë në Sheshin e Pavarësisë në Kiev

Përballë sinjaleve për vendosjen e sanksioneve të BE kundër Ukrainës, për shkak të përleshjeve, shefi i zyrës presidenciale ukrainase, Andrej Kljujev e paralajmëroi udhëheqjen evropiane që të mos ndërmarrë masa ndëshkimore kundër udhëheqjes në Kiev. "Sanksionet do të ishin benzinë në zjarr. Po u vendosën sanksione ekziston rreziku që vendi të copëtohet në dy pjesë", tha i besuari i presidentit Janukoviç. Pasdite, 28 shtetet anëtare të BE do të diskutojnë në Bruksel vendosjen e sanksioneve kundër shkaktarëve të dhunës në Ukrainë.

Presidenti i Bundestagut Lammert kërkon dialog për ndryshimin e kushtetutës së Ukrainës

Presidenti i Bundestagut Lammert kërkon dialog për ndryshimin e kushtetutës së Ukrainës

Por presidenti i Bundestagut Gjerman, Norbert Lammert i bëri thirrje udhëheqjes në Ukrainë që të kthehet sa më shpejt në tryezën e bisedimeve me opozitën. Në fillim të një debati të Bundestagut për gjendjen në Ukrainë, Lammerti i kërkoi presidentit Janukoviç:" Veproni në përputhje me përgjegjësinë tuaj. Ndalojini dëmet e mëtejshme për vendin tuaj dhe qytetarët tuaj". Duhet të zhvillohet më në fund një diskutim për reformën e kushtetutës, tha Lammert. Të gjithë pjesëmarrësit në "të dyja anët e barrikadave" duhet të kuptojnë se ndryshimet as mund të arrihen dhe as mund të pengohen me dhunë.

Në debatin e Bundestagut pati një grindje të ashpër, para së gjithash midis partive opozitare E Majta dhe të Gjelbrit, pasi partia E Majta e akuzoi opozitën e Ukrainës për tendenca fashiste dhe antisemite.

Nisur nga gjakderdhja në Ukrainë, kancelarja Angela Merkel i ka kërkuar presidentit ukrainas Viktor Janukoviç që të pranojë ndihmën e Gjermanisë dhe vendeve të tjera për ndërmjetësimin e tyre në krizën e krijuar në vend. Në një bisedë me telefon me Janukoviçin, Merkeli ka bërë të qartë se "gatishmëria e BE-së, Gjermanisë dhe patnerëve të tjerë është për të mbështetur bisedimet e qeverisë dhe opozitës" , bëri të ditur zedhënësi i Merkelit në Berlin. Gjithashtu ajo ka ngarkuar udhëheqjen e vendit me "përgjegjësinë kryesore" për dhunën.

Ndërkohë, disa pjesëmarrës të skuadrës olimpike të Ukrainës në Soçi, sipas të dhënave të Komitetit Ndërkombëtar Olimpik (IOC) vendosën të largohen nga Soçi për shkak të trazirave. IOC nuk e njoftoi numrin e atletëve që do të largohen.