1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Gjendje e pasigurtë në Afganistan

Shqetësimi, se Afganistani mund të zhytet në kaos pas një tërheqjeje të plotë të trupave të SHBA, po rritet. Cilët faktorë do të përcaktojnë gjendjen e sigurisë në vend pas 2014-ës?

Për Afganistanin, 2014-a është një vit që pëcakton drejtimin e fatit: pas 12 vjetësh, për pak muaj mbaron misioni i trupave ndërkombëtare. Për periudhën më pas, SHBA druhen se gjendja do të keqësohet. Prandaj Uashingtoni bën të gjitha përpjekjet që të lidhë një marrëveshje sigurie me qeverinë afgane. Deri 10 mijë ushtarë mund të qendrojnë atëherë në vend, si nga SHBA, ashtu edhe nga shtete të tjera të NATO-s. Vërtet që Loya Dschirga - Asambleja e Madhe me 2500 udhëheqësit e klaneve dhe pleqtë e fiseve - ka rënë dakord me planet. Por presidenti që po largohet nga posti, Hamid Karsai deri tani ka refuzuar të vërë firmën e tij në marrëveshjen bilaterale. Me sa duket, Karsai preferon t'ia lërë këtë temë pasardhësit të tij. Nëse kandidatët më me shanse për presidentë do të kenë qëndrim më pak kritik për prezencën e trupave të huaja, kjo është e diskutueshme.

Kërcënime ndërkombëtare

Zëmërimi i Uashingtonit për qëndrimin e ngurtë të Karsait është i madh. Presidenti i SHBA Obama kërcënon me një tërheqje të plotë të trupave deri në fund të 2014-ës, nëse nuk do të arrihet marrëveshja e sigurisë. Edhe më të rënda do të ishin pasojat për Afganistanin nëse SHBA do të mbyllnin rubinetin e parave. Vlerësohet se çdo vit, forcat afgane të sigurisë kushtojnë katër miliardë dollarë - para shumica e të cilave vjen nga Uashingtoni.

Edhe Natoja bën presion. Sekretari i Përgjithshëm i Natos, Anders Fogh Rasmusen bëri të ditur se të gjitha trupat e aleancës mbrojtëse do të tërhiqen deri në fund të dhjetorit, nëse nuk nënshkruhet marrëveshja e sigurisë.

Dyshime në aftësitë e policisë

Megjithë përparimet e vogla në fushat sociale, politike dhe ekonomike: presidenti Karsai lë pas një vend më probleme të mëdha. Në vitin 2013, numri i civilëve të vrarë u rrit me 14 përqind në krahasim me një vit më parë. Vërtet që forcat afgane kanë shënuar në përgjithësi përparime në luftë kundër talibanëve. Por ekspertët kanë dyshim, se policia dhe ushtria do të jenë në gjendje pa ndihmë ndërkombëtare t'i kryejnë si duhet detyrat.

Trupa vazhdon të ketë probleme në radhët e saj: konsumi i drogës, analfabetizmi dhe dezertimi janë në rend të ditës. "Këto forca policore pritet të kontrollojnë njërin nga rajonet më delikate në botë", thotë Michael Kugelman, ekspert i Azisë Jugore në Woodrow Wilson International Center for Scholars në Uashington. "Po t'i mbledhësh të gjitha, atëherë sheh se katastrofa është e paraprogramuar - edhe nëse amerikanët dhe partnerët e tyre përpiqen ta zbukurojnë gjendjen."

Taliban dhe Kaida

Kërcënimi më i madh për sigurinë e vendit mbeten Talibanët. Pas tërheqjes së trupave ndërkombëtare, Kugelman mendon se talibanët mund të ushtrojnë presion për të fituar pushtet politik. Por më shumë gjasa ka që talibanët të përpiqen ta rrëzojnë qeverinë afganase me ndihmën e grupeve që i mbështesin. Një rrezik tjetër është Al Kaida. Ajo vërtet që është dobësuar në Afganistan, por vazhdon të jetë e pranishme në vend. Veçanërisht e fortë Al Kaida është në Pakistanin fqinjë.

Zgjedhjet presidenciale janë vendimtare për kursin e ardhshëm të Talibanëve. Vetëm nëse zgjedhjet do të jenë të lira, korrekte dhe në përputhje me ligjet, vetëm atëherë popullsia do ta shohë qeverinë e re si alternativë më të mirë se Talibanët.