1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Gjendje e jashtëzakonshme në Tajlandë

Përleshje në rrugët e Bangkokut

default

Protestuesit përdorën edhe autobusë për të bllokuar rrugë dhe u vunë atyre zjarrin.

Bangkoku la pas një ditë me protesta- megjithë vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme: demonstrues me këmisha të kuqe përballë njësive të ushtrisë. Pjesërisht ekzistonte rreziku që trazirat të përhapeshin në të gjithë vendin. Por të hënën në mbrëmje kryeministri i vendit tha se e ka nën kontroll situatën.

Ushtria tajlandeze e ka vënë nën kontroll situatën në pjesën më të madhe të Bangkokut. Kjo pas përleshjeve të ashpra që u zhvilluan në kryeqytetin e Tajlandës midis demonstruesve kundërshtarë të qeverisë dhe forcave të sigurisë. Që prej së hënës në mëngjes, ushtria veproi me dhunë kundër mbështetësve të ish-kryeministrit Thaksin Shinavatra, të cilët nuk respektojnë ndalimin e mbledhjeve dhe që kanë ngritur barrikada në qendër të qytetit. Të hënën në mbrëmje u raportua për dy persona që humbën jetën në përleshje. Dy banorë të Bangkokut, të cilët kundërshtuan demonstruesit këmishkuq u vranë prej tyre. Gjithsej, numri i të plagosurve deri të hënën arriti 100 vetë. Disa demonstrues dhe ushtarë morën plagë nga armët e zjarrit, u bë e ditur.


Policia përdori pompat e ujit dhe gazin lotsjellës, demonstruesit hodhën shishe me lëndë djegëse dhe gurë, ushtria hapi zjarr paralajmërues, për ta shpërndarë turmën.


Këmishqkuqtë ngritën barrikada në rrugë në kryeqytetin tajlandez si dhe u vunë flakën shumë autobusëve dhe ndërtesave qeveritare. Ata derdhën benzinë në rrugë dhe kërcënuan se do t'i vinin asaj flakën. Mbi lagjen qeveritare të Bangkokut ngriheshin shtëllunga të dendura tymi të zi.

Kryeministri Abhisit Vejjajiva i bëri disa herë thirrje popullit për qetësi dhe rend. Ai garantoi që forcat e sigurisë do të tregoheshin të përmbajtura ndaj demonstruesve. Por tha se kundër përdoruesve të dhunës do të veprohet me vendosmëri. Ndërkohë, gjendja është në pjesën më të madhe nën kontroll, tha Vejjajiva në një intervistë telefonike me BBC-në:


"Ne jemi optimistë se tani e kemi situatën sërish nën kontroll. Ka ende disa njerëz, që qendrojnë rrotull ndërtesës së qeverisë dhe do të përpiqemi që të gjejmë një zgjidhje në ditët në vazhdim."

Thailand Ex-Premier Thaksin Shinawatra

Ish-kryeministri tajlandez Thaksin Shinawatra.


Demonstruesit nxiten nga Thaksin Shinavatra. Ish-kryeministri i dënuar me dy vjet arrest, për shkak të shpërdorimit të postit, iu drejtua me telefon demonstruesve dhe u bëri atyre thirrje për revolucion. Në një intervistë me BBC-në, Thaksini tha se ai dëshiron vetëm të mbështesë luftën e popullit për më shumë demokraci:


"Dua vetëm t'u jap mbështetje morale njerëzve. Unë nuk i kam nxitur kurrë, por dua që ata të luftojnë për demokracinë. Kemi luftuar kaq vjet për të. Kemi pasur disa herë puç ushtarak dhe ka pasur shumë gjakderdhje në të kaluarën. Gjatë qeverisjes sime, të varfrit e Tajlandës mësuan se demokracia ka një kuptim për ta."


Ministria e jashtme gjermane këshillon që të shmangen "udhëtimet e panevojshme në Bangkok". Vende të tjera kanë formuluar paralajmërime shumë më drastike. Megjithatë konflikti mbeti i kufizuar në disa pjesë të kryeqytetit tajlandez. Kudo tjetër, të dielën nisi në Tajlandë festa e Songkran-it, viti i ri tajlandez.

Autor: Bernd Musch-Borowska / Auron Dodi

Redaktoi: Elert Ajazaj

  • Data 14.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HW85
  • Data 14.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HW85