1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gjendje e brishtë në Maqedoni

Situata e sigurisë në Maqedoni pas vrasjes së pesëfishtë është e brishtë. Në Shkup e në veçanti në afërsi të shkollave vërehet prani e shtuar e policisë. Janë arrestuar 14 vetë si pjesëmarrës apo nxitës të dhunës.

Për shkak të mos ndriçimit të vrasjes së pesëfishtë në fshatin Smillkovc, në shenjë revolte qindra protestues të etnitetit maqedonas, kryesisht të moshës së re, kanë protestuar në qendër të Shkupit e më pas edhe para ndërtesës së Qeverisë. Në këto protesta janë brohoritur parulla antishqiptare. Sipas policisë në protesta janë lënduar dy pjesëtarë të policisë, janë arrestuar 14 persona dhe shumë të tjerë janë marrë në biseda informative.

Analisti Sefer Tahiri vlerëson se duhen ndërrmarë masa urgjente për qetësimin e situatës. Për të, është shqetësues fakti që automatikisht për vrasjen, faji u hidhet shqiptarëve: “Tentimet nga disa protestues maqedonas për t'ua veshur shqiptarëve fajin për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovc, nuk kanë bazë në realitet, sepse faktet nuk janë ndriçuar dhe asnjë faktor nuk ka përmendur se rasti mund të jetë i inskenuar nga shqiptarët”, thotë analisti Sefer Tahiri.

Myslimanët i fyejnë gjatë faljes

Në foto, Gordana Jankulovska

Në foto, Gordana Jankulovska

Ministrja e Punëve të Brendëshme, Gordana Jankullovska, thotë se hetimet po shkojnë në drejtim të duhur. Deri tani dihet se ndaj viktimave është shtënë nga tri armë automatike, është zbuluar edhe vetura me të cilën autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes. Por megjithëse policia kontrollon nga afër situatën në shumë vendbanime të përziera etnikisht, vazhdon të mbretërojë situatë e tensionuar.

Në Studeniçan tre ditë ka pasur bllokada rrugësh ndërsa në Veles janë ofenduar besimtarët muslimanë gjatë faljes. Edhe në Radishan, fshat nga ishin 4 nga viktimat, ende vazhdon të mbretërojë situatë e tensionuar. Në Radishan, i është vënë zjarri një dyqani, pronar i të cilit është shqiptar.

“Deri tani nuk kam pasur problem. Ky është rast i çuditshëm për mua. Kanë dashur ta diegin nga brenda, kanë gjuajtur me benzinë. Ata që kanë bërë këtë punë, janë huliganë,” thotë pronari Besnik Elezi.

Problemet shkaktohen nga grupe të caktuara

Pas këtij rasti, ato pak familje shqiptare që jetojnë në Radishan, për shkaqe sigurie janë strehuar te të afërmit në Shkup. Banorët maqedonas të fshatit thonë se kjo situatë është e palogjikshme. “Ne jetojmë bashkë këtu 20 vite dhe asnjëherë nuk kemi pasur probleme. Problemet i shkakton një grup i caktuar, që nuk është nga fshati ynë”, thotë Zllatko Stojanovski nga Radishani.

Autostrada e bllokuar pas vrasjes së pesëfishtë

Autostrada e bllokuar pas vrasjes së pesëfishtë

Analistja Frosina Remenska, vlerëson se ekzistojnë disa pista në të cilat duhet të punojë policia, madje vrasja mund të jetë edhe porosi për policinë nga struktura kriminale të zhytura në biznese jolegale. Por Remenska thotë se kjo situatë nuk duhet të përdoret nga askush për të prishur marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni.

“Qytetarët dhe mediat duhet të përmbahen dhe të mos i japin konotacion etnik vrasjes. Kjo situatë mund të ngrejë padurimin ndëretnik , por ne duhet të lëmë policinë të kryejë punën pa marrë parasysh nga cili etnitet janë vrasësit, e të mos përpiqemi të përfitojmë nga situata duke dëmtuar marrëdhëniet ndëretnike”, thotë Remenska.

Në Shkup e në veçanti në afërsi të shkollave vërehet prani e shtuar e policisë. Autoritetet vendore apelojnë te qytetarët të përmbahen nga provokimet.

Autor: Fatos Musliu/ Shkup

Redaktoi: Esat Ahmeti