1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

"Gjendja nuk është e mirë" - E ngarkuara e OSBE-së për lirinë e shtypit paraqet raportin e ri

Dunja Mijatovic, e ngarkuara e OSBE-së për mediet, paraqiti dje në Vjenë raportin e saj të parë mbi "Lirinë e mediës në shtetet e OSBE-së". Ajo është në detyrë prej marsit 2010.

default

E ngarkuara e OSBE-së për lirinë e shtypit Dunja Mijatovic

Në fakt interneti duhet t'i bëjë aksesibël në mbarë botën lajmet dhe informacionet, për cilindo. Por, pikërisht kjo është halë në sy për shumë qeveri, kritikon e ngarkuara e OSBE-së për lirinë e shtypit, Dunja Mijatovic. Në raportin e parë të periudhës së saj në detyrë ajo u kushton vëmendje të posaçme të ashtuquajturave medie të reja dhe shpreh disaprovim për ato vende, që bllokojnë faqe interneti dhe përndjekin gazetarë interneti ose blogger të padëshiruar. Për shembull Azerbajxhani.

"Cilido që shprehet në mënyrë kritike ose satirike është në rrezik. Veçanërisht i trishtueshëm dhe i mërzitshëm është rasti i dy blogger-ve në Azerbajxhan, që kanë përfunduar në burg. Është absolutisht e papranueshme t'i burgosësh vetëm sepse kanë hapur weblog-ë."

Pamje simbolike. Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së shtypit (3 Maj) reporterët e Reporterë pa kufij organizuan aksionin simbolik të burgosjes së gazetarëve. Qindra gazetarë në botë ndodhen në burg, shumica në Indi, Kinë dhe Kubë.

Pamje simbolike. Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së shtypit (3 Maj) reporterët e "Reporterë pa kufij" organizuan aksionin simbolik të burgosjes së gazetarëve. Qindra gazetarë në botë ndodhen në burg, shumica në Indi, Kinë dhe Kubë.

Raste shqetësuese regjistrohen në mbarë Evropën

Burg për blogger kritikë ndaj qeverisë në Azerbajxhan, sulme ndaj gazetarëve të padëshiruar në Rusi, ligje në Itali, që vështirësojnë gazetarinë hulumtuese: të gjitha këto renditen me përpikmëri në raportin e të ngarkuarës së OSBE-së.

Dunja Mijatovic e ka prejardhjen nga Bosnja. Angazhimin për shtyp të lirë ajo e ka bërë para shumë vitesh çështje të vetën. Gjatë luftës në atdheum e saj ajo përjetoi përditë se si keqpërdoreshin mediet për të nxitur dhunë dhe urrejtje. Kjo nuk duhet të përsëritet: Pas mbarimit të luftimeve Mijatovic çoi përpara ngritjen e një enti rregullator për radio-televizionin në Bosnjë. Dhe prej marsit ajo mbikëqyr me detyrë të OSBE-së se si sillen me lirinë e shtypit 56 shtetet anëtare.

Arsye për shqetësim zhvillimet në Hungari

Që liria e shtypit nuk është e kërcënuar vetëm në kohë lufte, këtë e tregon shembulli i Hungarisë. Kryetari i ri i qeverisë Viktor Orban, i Partisë konservatore të djathtë Fidesz, është prej pak javësh në post, por në një ndër masat e para ai ndikoi që të miratoheshin ligje të reja për mediet. Ligje tepër të diskutueshme, sepse ato u lidhin duart para së gjithash medieve shtetërore, siç kritikon Dunja Mijatovic.

"I shkrova qeverisë hungareze për t'i kujtuar detyrimet që ka marrë përsipër. Fakti që një pjesë e ligjeve të reja është miratuar, më shqetëson."

Në Hungari të gjitha instancat mbikëqyrëse të deritanishme për radio-televizionin publik hiqen dhe zëvendësohen me autoritetet të reja, që janë në varësi të kryeministrit. Në këtë mënyrë në të ardhmen kryeministri Orban ka qasje të drejtpërdrejtë tek politika e kuadrit dhe ajo buxhetore e stacioneve.

Autor: Christoph Peerenboom / Elert Ajazaj

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 30.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OXk3
  • Data 30.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OXk3