1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gjendja ekonomike shkaku i braktisjes së shkollës

Jo patriakalizimi por vështirësitë ekonomike janë shkaku, që vajzat në zonat e thella në Kosovë braktisin shkollën. Një problem shqetësues ky për shoqërinë kosovare.

default

Vajza në fshatin Sllatinë

Selvete Sulejmani, 18 vjecare nga Sllatina, fshat i Podujevës në verilindje të Kosovës, të cilën e gjejmë tek lan rroba në lumin e fshatit, megjithëse me dëshirë do të vazhdonte shkollimin ajo ka ngelur në shtëpi me të kryer klasën e nëntë.

“E kam kryer vetëm nëntëvjeçaren. Po t´kisha mundësi udhëtimi isha shkolluar, por. Tash bëj punë shpie gjithë kohën“.

Rruga rurale e rrethuar me peizazhe të mrekullueshme të këtij fshati kodrinoro-malor rreze brezit kufitar, na çon tek moshatarja e saj, Hatigje Mehmeti:

“Nëntë vjet i kam kryer…S´kam shkue më shumë së s´kemi kushte prej këtu. Po t´kisha mundësi do të vazhdoja, pse jo? Tash gjithë kohën bëj punë shpie.”

Dorf Reqica im Kosovo

Podujeva

Se një fat i tillë i përcjell pothuaj të gjitha vashat e kësaj moshe, të cilat jetojnë në zonat e thella të Kosovës, e dëshmon Xhup Ramaj nga Mazniku i Decanit.

„Gjinia femërore nuk po mund të shkollohet se nuk ka transport, nuk ka autobus. Ka kombibus privat dhe ata i kqyrin interesat e veta. Nëqoftëse ka udhëtar, ai shkon në relacionin Decan-Maznik e nëse jo, nuk del me hargju dhe nxënësi mbetet në mëshirën e fatit“.

Si rrjedhojë, vajzat janë të detyruara ta braktisin shkollën-thotë z.Ramaj, përfaqësues i këtij fshati në perëndim të Kosovës.

„Veç në vitin e kaluar, diku 13 vajza të gjitha të shkëlqyeshme kanë mbet nëpër familje pa u shkollue, të cilat sigurisht tash i pret edhe martesa e hershme."

Dhe, megjithëse në vështrim të parë duket si një diskriminim përbrenda familjes ku djali edhe në kushte të tilla mund të shkollohet por vajza jo, kjo më tepër ka të bëjë me mungesën e sigurisë së mjaftueshme për vajzat që duhet të udhëtojnë me kilometra të tëra nga këto zona të thella deri në qendrën më të afërt.

„Komplet në fshat është ky problem, dhe prej gjeneratës sime deri sot është shkolluar vetëm një vajzë që ka pas të afërm në Prishtinë. Të tjerat, të gjitha me sukses të shkëlqyeshëm kanë mbet vetëm me tetëvjeçare. Edhe pse ka interesim edhe nga ana e prindërve edhe nga ato vet, kjo e drejtë iu është marrë për shkak të kushteve të mungesës së udhëtimit“.

Kosovo Bildung

Alush Istogu, drejtor në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë

Dhe, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është e vetdijshme për problemin dhe prandaj po perpiqet të bëjë zgjidhje-thotë për Deutsche Welle-n Alush Istogu, drejtor i Administratës për Arsimin Parauniversitar në këtë ministri.

„Të t´them të drejtën, ne jemi të pakënaqur në këtë drejtim, jo pse ndikon çështja patriarkale, por është relacioni shkollë familje, në disa zona rurale. Në takimin e fundit me drejtorët e drejtorive komunale, ministri Enver Hoxhaj ka shprehur gatishmërinë që aty ku paraqitet nevoja t´iu dalin në ndihmë drejtoritë komunale, qoftë në formë të bursës, ose me heqje të shpenzimeve të ushëtimit si për gjininë femërore ashtu edhe për pjesën tjetër të nxënësve.“

Në bazë të të dhënave të Ministrise së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, në të 1,240 shkollat e arsimit parauniversitar në kuadër të Republikës së Kosovës, viti i ri shkollor ka filluar me rreth 450 mijë nxënës, 50% të të cilëve e përbëjnë femrat. Ndërkohë, kjo ministri ka siguruar tekstet shkollore falas për të gjithë nxënësit grupmoshës së shkollimit të detyruar nëntëvjeçar.

„Për herë të parë me të gjitha tekstet shkollore, me fletoret e punës dhe mjetet e tjera përcjellëse. Kjo ka ndikuar në parandalimin e braktisjes së shkollave nga nxënësit, sidomos të atyre të zonave rurale apo me gjendje të rëndë ekonomike. Spese, ka prindër që kanë tre katër fëmijë në shkollimin e detyrueshëm dhe sigurimi i teksteve do t´i kushtonte mbi 250 euro“- thotë drejtori Istogu, sipas të cilit në vitin 2010/2011, në arsimin e detyruar të Republikës së Kosovës, i cili ndërkohë është deri në klasën e nëntë, pritet të përfshihet edhe shkollimi i mesëm.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

  • Data 28.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JsIL
  • Data 28.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JsIL