1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

„Gjendja është serioze“ – Komisioni i BE-së shpreh shqetësim për gjendjen financiare të Irlandës

Komisioni Evropian shprehu shqetësimin për gjendjen e buxhetit shtetëror të Irlandës. Por megjithatë sipas tij nuk mund të flitet për një gjendje të jashtëzakonshme.

Skulpturë para Irish Financial Services Centre në Dublin

Skulpturë para "Irish Financial Services Centre" në Dublin

Nuk kanë të ndalur thashethemet se Irlanda shumë shpejt do të jetë e detyruar të përdorë programin shpëtimtar evropian të krizave emergjente për vendet e euros. Spekulimet nuk janë ndërperë as pas deklaratave të presidentit të Komisionit, José Manuel Barroso dhe disa kryeministrave të vendeve evropiane të cilët janë përpjekur që të qetësojnë gjendjen që nga samiti i G20-ës në Seul. Në Bruksel zëdhënësi i Komisionit, Amadeu Altafaj është bombarduar të hënën sërish me të njëjtën pyetje: si është gjendja në Irlandë? Ndodhemi në prag të kryerjes së një aksioni shpëtimtar? Altafaj i shmanget një përgënjeshtrimi të qartë dhe flet për një "ekzagjerim": "Ata (irlandezët) nuk kanë bërë lutje për ndihmë financiare. Përveç kësaj borxhet irlandeze mund të financohen plotësisht, deri në verën e viti 2011. Pra nuk kemi të bëjmë me nevojë emergjente."

Presidenti i Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy, dhe ai i Komisionit Jose Manuel Barroso duke shpjeguar para mediave programin evropian të shpëtimit

Presidenti i Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy, dhe ai i Komisionit Jose Manuel Barroso duke shpjeguar para mediave programin evropian të shpëtimit

Altafaj e pranoi se ekzistojnë "shqetësime në lidhje me stabilitetin financiar të eurozonës si tërësi". Megjithatë qeveria irlandeze ka bërë deri tani një punë të mirë në konsolidimin e buxhetit të saj me çka ka rikthyer besimin. "Gjendja është serioze por autoritetet irlandeze janë të vendosura qartë që të përmbushin objektivat buxhetore, në të vërtetë objektivin që deri në vitin 2014 të ulin deficitin buxhetor në maksimum tre përqind të prodhimit vendor bruto. Pra nuk ka asnjë dyshim që vendet anëtare të BE-së dhe para së gjithash ato që ndodhen nën presion të veçantë po ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme."

Por prej nga vijnë të gjitha këto thashetheme se Irlanda mund të pranojë të kapërdijë poshtërimin e një aksioni shpëtimtar nëse nuk ka nevojë për një plan të tillë? Arsyeja e vërtetë mund të kërkohet ndoshta tek kandidatët e tjerë jostabilë. Kjo për faktin se Portugalia dhe Spanja nuk janë në gjendje fare më të mirë buxhetore. Qeveritë në Lisbonë dhe Madrid mund të presin që gjendja të qetësohet për ta, nëse Iranda kërkon ndihmë nga programi financiar evropian dhe bëjnë presion ndaj Irlandës. Zëdhënësi i Komisionit Altafaj, nuk lodhet së përsërituri se si është teorikisht rasti i një shpëtimi dhe se nëse paraqitet nevoja, Bashkimi Evropian është i gatshëm që nga maji të ndërhyjë me programin e tij shpëtimtar. "Zona e Euros i ka mjetet e nevojshme për ndihma urgjente financiare. Ne jemi të gatshëm. Ne kemi instrumentet për të garantuar këtë siguri."

Flamuri grek, ai evropian dhe ai i Bankës Kombëtare Greke

Flamuri grek, ai evropian dhe ai i Bankës Kombëtare Greke

Altafajt iu desh që të konfirmojë në konferencën e njëjtë të shtypit lajmin se deficiti buxhetor i Greqisë ka qenë vitin e kaluar më i lartë, se ka qenë bërë i ditur deri tani. Vlera zyrtare ka qenë 15,4 për qind e prodhimit vendor bruto. Kurse në Irlandë gjendja është pak më e mirë, ndërkohë që lejohen vetëm tre për qind e prodhimit bruto në vend.

Autor: Christoph Hasselbach/ Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama

DW.COM

  • Data 16.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Q9tf
  • Data 16.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Q9tf