1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Gjenden të vdekur tre të rinjtë e rrëmbyer izraelitë

Dy javë e gjysmë pas rrëmbimit gjenden trupat e pajetë të tre të rinjve izraelitë. Izraeli ka paralajmëruar hakmarrje dhe aksione të vendosura kundër Hamasit. Ndërkohë që edhe palestinezët po përgatiten për përgjigje.

Kfar Etzion në jug të Jerusalemit, me 12 qershor: Naftali Frenkel (16), Gil-ad Shaer (16) dhe Eyal Yifrah (19) ishin në ligjërata fetare në një ngulitje hebreje. Ata kanë dashur të kthehen në shtëpi me autostop, që për këtë zonë nuk është ndonjë gjë e pazakonshme. Por ata kurrë nuk u kthyen në shtëpi. Gjatë rrugës u rrëmbyen. Njëri prej tyre ka mundur madje edhe të informojë qendrën e emergjencës policore, por policia në fillim mendonte se fjala është për ndonjë shaka. "Na kanë rrëmbyer", fliste djaloshi me zë të ulët në celular. Më pas u zhduk çdo gjurmë e tyre.

Vrasja dhe varrosja

Më pas u sqarua fati i tyre i rëndë: trupat e pajetë të tre adoleshentëve u gjendën të hënën (30.06.2014) në një fushë afër Hebronit. Organet e sigurisë janë duke vazhduar hetimet, por mendohet se ata janë vrarë pak pas marrjes peng.

Aksion masiv i policisë izraelite në Halhul.

Aksion masiv i policisë izraelite në Halhul.

Izraeli është në gjendje shoku dhe mllefi. Përkohësisht janë ndërprerë edhe transmetimet e ndeshjeve të KB në futboll. Lajmi për vdekjen e tre të rinjve konfirmoi frikën e shumëkujt se ata vërtetë janë vrarë. Presidenti Schimon Peres tha se terroristët do të mposhten me një dorë të hekurt. Nacionalisti i djathtë Naftali Bennet theksoi se "ndaj vrasësve të fëmijëve nuk duhet pasur kurrfarë mëshire". Presidenti i Parlamentit Juli Edelstein shpjegoi: "Izraeli duhet të vazhdojë luftën e pakompromis kundër terrorizmit dhe në veçanti Hamasit." Shprehje ngushëllimi kanë mbërritur nga mbarë bota. Vrasjen e kanë denuar edhe presidenti i Francës dhe kryeministri britanik François Hollande dhe David Cameron.

Fati i të rinjve të vrarë e ka shqetësuar Izraelin si rrallë ndonjë ngjarje. Izraeli menjëherë e ka akuzuar Hamasin për zhdukjen e Naftali, Gil-ad dhe Eyal. Udhëheqësia e Hamasit i ka hedhur poshtë akuzat. Deri tani asnjë organizatë nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë vrasje. Aksioni i kërkimit në shkallë të gjërë po vazhdon. Armata izraelite është vendosur në Jordanin Perëndimor dhe në veçanti në qytetin palestinez Hebron.

Pesë palestinezë të vdekur dhe shumë të lënduar

Armata palestineze ka arrestuar gjatë bastisjeve rreth 420 persona, shumica prej tyre pjesëtarë të Hamasit. Armata shpesh ka qenë brutale gjatë aksioneve, tregojnë dëshmitarët okularë. Gjatë bastisjeve dhe përleshjeve janë vrarë pesë palestinezë dhe janë plagosur shumë të tjerë. Izraeli duket se e ka shfrytëzuar këtë rast për të dobësuar Hamasin në përgjithësi. Para pak ditësh i ka bërë publike emrat e dy personave të afërt me Hamasin dhe i ka shpallur përgjegjës për rrëmbimin. Të dy ata janë në arrati.

Demonstratë në Tel Aviv

Demonstratë në Tel Aviv

Kryeministri Benjamin Netanjahu ka thirrë menjëherë një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë në vend. "Hamasi është përgjegjës dhe Hamasi do ta paguajë çmimin", deklaroi Netanjahu në fillim të seancës. Situata është tensionuar pas sulmeve me raketa të ushtrisë izraelite ditët e fundit. Zëdhënësi i Hamasit Sami Abu Zuhri ka paralajmëruar nga shkallëzimi. "Fuqia okupatore", pra Izraeli, "do ta mbajë përgjegjësinë për çdo shkallëzim."

Vëzhguesit nisen nga fakti se kryeministri izraelit do të ushtrojë presion ndaj presidentit palestinez Mahmud Abbas, që të përfundojë procesin e pajtimit me Hamasin. Abbasi e ka dënuar ashpër vrasjen dhe është nën presionin e palestinezëve për këtë shkak. Edhe Abbas ka mbajtur në Ramallah një seancë të jashtëzakonshme për gjendjen e sigurisë. Orët e ardhshme do të tregojnë, nëse situata do të shkallëzojë edhe më shumë. Në Izrael do të varrosen të vrarët. Këtu mbretërojnë zemërimi dhe pikëllimi. Edhe ana palestineze po përgatitet për mundësinë e reagimit të Izraelit.