1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Akuza të rënda të Amnesty International

Martin Koch/Angelina Verbica23 Tetor 2013

Amnesty International ngre një akuzë të rëndë: Sulmet e avionëve të telekomanduar amerikanë në Pakistan duhet të jenë kryer edhe me ndihmën gjermane. Ekspertët druhen nga përmasat e këtij fenomeni.

https://p.dw.com/p/1A4zh
Fotografi: picture-alliance/dpa

Raporti i paraqitur nga Amnesty International, për sulmet vdekjeprurëse ndaj civilëve në Pakistan nga avionët e telekomanduar amerikanë, është shqetësues. A janë sulmuar me të vërtetë gra dhe fëmijë të pafajshëm? Apo punëtorë në punë të vet duke pirë çaj në mbrëmje? Dhe a ka kontribuar në to shërbimi sekret gjerman përmes transmetimit të të dhënave?

Këtë e thotë raporti i publikuar nga organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. E vërteta është e vështirë të vlerësohet edhe për ekspertët, që merren prej kohësh me këtë temë. Deputeti i partisë së Gjelbër, Hans-Christian Ströbele, thotë se ai nuk ka marrë përgjigje në të kaluarën nga qeveria e mëparshme për kërkesat e parashtruara prej tij për këtë temë. "Po ajo ka pranuar se ka informata, por jo në mënyrë specifike për këto operacione vrasëse. Por ajo nuk mund të përjashtojë se këto informacione, që ajo jep në përgjithësi mund të përdoren për operacione të tilla."

Marcel Dickow nga fondacioni Shkenca dhe Politika
Marcel Dickow nga fondacioni Shkenca dhe PolitikaFotografi: Stiftung Wissenschaft und Politik

Bashkëpërgjegjësia gjermane

Marcel Dickow nga fondacioni Shkenca dhe Politika (SWP) pohon gjithashtu se është gati e pamundur që të verifikohet saktësia e informacioneve të shërbimeve sekrete. Sepse ato janë të fshehta prej natyrës së tyre dhe kështu duhet të mbeten. Sipas raportit të sapopublikuar Amnesty ka mësuar nga ish-punonjës të shërbimit të fshehtë pakistanez se Gjermania ka qenë e përfshirë në sulmet e avionëve pa pilotë.

Megjithatë Dickow mendon se veprimi i aktivistëve të të drejtave të njeriut është i pranueshëm: "Amnesty e përdor këtë dhe mendoj se me të drejtë, që të vihet në dukje se po zhvillohet një luftë në fshehtësi, që ngre çështje të së drejtës ndërkombëtare dhe në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe të shërbimeve sekrete, Gjermania tërheq mbi vete bashkëpërgjegjësi.

E drejta ndërkombëtare ia ndalon një vendi, që të përdorë armë vdekjeprurëse kundër një tjetri, me të cilën nuk është në luftë, bën të qartë Reiner Braun, drejtor ekzekutiv i degës gjermane të Shoqatës Ndërkombëtare të Avokatëve kundë Armëve Bërthamore (IALANA). Që informacionet e shërbimit të fshehtë gjerman mund të kenë ndihmuar në shkeljen e së drejtës ndërkombëtare nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e tregon shkalla e "orgjisë së përgjimeve ndërkombëtare", e cila u zbulua kohët e fundit nga rasti i NSA në Gjermani dhe vende të tjera.

Terren i panjohur për drejtësinë

Akuza, se autoritetet gjermane i kanë dhënë informacion homologëve amerikanë, nuk është e re. Siç konfirmoi për DW zëdhënësi i ministrisë së Brendshme, Jens Teschke, për këtë ka patur disa ankesa, ndër të tjera edhe kundër shefit të Entit Federal të Kriminalistikës, BKA, Joerg Ziercke. Megjithatë, ata nuk janë pranuar nga gjykatat për gjykim në mungesë të një dyshimi fillestar, u shpreh Teschke.

Shkatërrimi nga një avion amerikan pa pilot)
Një makinë e shkatërruar nga një avion amerikan pa pilotFotografi: Reuters

Sipas drejtorit ekzekutiv të IALANA Braun tani duhet të thotë fjalën e vet, gjyqësori gjerman. Nga skandali i NSA dhe pjesëmarrja e mundshme e Gjermanisë në operacionet e avionëve të telekomanduar amerikanë ai duhet të bëjë një rivlerësim ligjor të veprimeve, për të cilat dyshohet se janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. "Deri tani kjo çështje ka qenë trajtuar në mënyrë shumë selektive dhe shumë subjektive nga gjykatat. Nëse do të mbetet kështu, duke pasur parasysh dimensionet, që tani janë bërë të dukshme, kjo është për mua një pyetje që nuk ka akoma përgjigje.”

Përdorimi i avionëve të telekomanduar pa pilotë është për shumë ekspertë hapi i parë në një formë krejtësisht të re lufte. Ajo zhvillohet nga qendrat e komandës nga kompjuteri, mijëra kilometra larg nga vendi i ngjarjes. Njerëzit janë të përfshirë vetëm në mënyrë indirekte në një aksion të tillë, por realisht shumë të prekur si cak i këtyre aksioneve.

Protesta në Pakistan kundër përdorimit të avionëve pa pilot Militär; Politik; Demonstrationen; Frauen; USA; Schriftzug; Transparent; Protest; Pakistan; Demonstration; unbemanntes Luftfahrzeug; Demo; Frau; US-Drohnen; Asien; Drohne; Drohnen; Proteste; Demonstranten; Transparente; Demonstrant; Stop Drones; Opfer; military; politics; demonstration; women; writing; banner; Pakistan US Drones; Military and defense; FILE; Government and politics; Drone surveillance and warfare
Protesta në Pakistan kundër përdorimit të avionëve pa pilotFotografi: picture-alliance/AP

Jashtë nga spiralja e armatimit

Në rastin e përdorimit të avionëve të telekomanduar vihet re një zhvillim dramatik. “Tani janë dymbëdhjetëmijë, ose pesëmbëdhjetë vende, që kanë teknologjinë, pas dhjetë vjetësh do të jenë 80”, parashikon Reiner Braun nga IALANA." Por ai paralajmëron se aktet hakmarrëse, për shembull nëpërmjet atentateve vetëvrasëse, do të jenë po aq brutale, çnjerëzore dhe vdekjeprurëse, vetëm se në vendin e ngjarjes dhe shumë larg drejtuesit e avionit të telekomanduar.

Prandaj duhet bërë gjithçka për të dalë nga spiralja e armatimit dhe e dhunës: "Hapi vendimtar sipas pikëpamjes tonë është një konventë kundër avionëve pa pilot, e përpiluar dhe përgatitur nga Kombet e Bashkuara, që i obligon vendet për të hequr dorë nga dimensioni teknologjik i modernizuar i luftës."

Politikani i Gjelbër Christian Ströbele e mbështet këtë kërkesë dhe kujton se tashmë ekzistojnë edhe marrëveshjet kundër bombave dispersive dhe armëve të shkatërrimit në masë. Shumë më e rëndësishme është që të mos zhvillohet më tej kjo teknologji, duke patur parasysh edhe diskutimin në lidhje me blerjen e tyre për ushtrinë gjermane Bundeswehrin. Një gjë është e qartë thotë Strëbele: "Kur ekzistojnë mundësitë, kështu ka qenë gjithmonë me armët e luftës, atëherë ata edhe do t'i përdorin.”