1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gjashtë vjet pas djegies së ambasadave në Beograd asgjë s'është sqaruar.

Qindra mijëra vetë dolën në rrugët e Beogradit para gjashtë vjetësh, me 21 shkurt 2008. Pas mitingut "Kosova është Serbi" disa prej tyre i vunë zjarrin ambasadave të huaja. Sqarimi i çështjes nuk duket gjëkundi.

Zjarre dhe kokteje molotov në errësirën e shkurtit në rrugën e Knjaz Miloshit. Para fasadës së bardhë të ambasadës amerikane disa policë, "jo të pajisur me mjetet e duhura për përballuar sulmin", do të thotë më vonë njëri prej tyre. Atyre u është urdhëruar të ruajnë ambasadën, por të përmbahen nga kontakti me demonstruesit. Kjo shpejt bëhet një mision i pamundur. Disa gurë, që fluturojnë, plagosin policët pa mburoja dhe pa helmeta dhe forcat e sigurisë tërhiqen në një rrugë anësore. Rruga për në ambasadën e SHBA, dhe pak më tutje në ambasadën e Gjermanisë është e hapur për huliganët. Ata nuk arrijnë të thyejnë derën e hyrjes në zyrën konsullore të Shteteve të Bashkuara, por prishin dritaret në katin e parë dhe hyjnë përmes tyre. Ndërtesës i është vënë ndërkohë zjarri. Punonjësit tërhiqen në "linjën e dytë e mbrojtjes”, aty janë edhe marinsat me pushkët gati. Fat, që asnjë nga patriotët militante nuk arriti deri atje. Bilanci i kaosit të dirigjuar (?) është 78 qytetarë të plagosur, 50 policë të plagosur, 200 të arrestuar, dëme materiale, që kurrë nuk janë matur dhe llogaritur, një trup i karbonizuar në katin e parë të ambasadës së Shteteve të Bashkuara.

"E hodha gurin, por nuk arrita të qëlloj"

Kanë kaluar plot gjashtë vjet nga huliganizmi dhe zjarrvënia, të cilën e pagoi me jetë njëzetvjeçari Zoran Vujoviç. Sipas të dhënave ai është mbytur nga monoksidi i karbonit në ambasadën Amerikane, që digjej. Dhe pas gjashtë vjetësh nuk ka epilog për sulmet në Ambasadat e SHBA, Gjermanisë, Turqisë dhe Kroacisë dhe askush nuk është dënuar. "Justifikimi tradicional për të gjitha gjërat e ngjashme është funksionimi i keq i drejtësisë serbe, që nuk ka guximin për t'u përballur me proceset, që kanë konotacion politik", thotë Nicholas Radishiç, gazetar i B92, i cili është marrë me këtë temë. "Kemi parë pamjet e qindra njerëzve përpara ambasadës dhe prokuroria gjoja ka arritur të identifikojë vetëm një person. Në fund, ky i ri është dënuar për vjedhje brenda ambasadës Amerikane dhe asgjë më shumë. Pastaj edhe ky vendim ra në gjykatën e Apelit", thotë Radishiç për DW.

Kosovo Polizisten vor der US-Botschaft in Belgrad 2008

Arrestimi i demonstruesve

Pas presionit diplomatik të Uashingtonit dhe Berlinit, në vitin 2012 filloi një proces kundër dymbëdhjetë të rinjve, kryesisht nga Novi Sad, për të cilët kishte prova se e kishin kaluar natën pranë zjarreve në rrugën e knjaz Miloshit. Njëri prej tyre kishte parë "se si njerëzit kanë hedhur diçka në drejtim të ambasadës", por nuk di se kush dhe çfarë. I dyti kishte mbërritur, kur "ambasada ishte djegur." I treti pranon se ka hedhur një gur në drejtim të ambasadës, por "nuk ka arritur të qëllojë." Përpjekjet e gazetarëve për të thyer murin e heshtjes për vite hasnin në të njëjtën pengesë. Tomo Zoriç, zëdhënës i prokurorisë shtetërore, na tha shkurtimisht: "Me gjithë vullnetin e mirë, nuk mund t'ju jap asnjë informacion lidhur me sulmin ndaj ambasadave." As në ambasadën Amerikane, që ndërkohë është zhvendosur në Dedinje, nuk dëshirojnë të flasin, dhe Departamenti i Shtetit gjithashtu nuk ka pranuar të komentojë plogështinë e gjyqësorit serb.

Ndryshe prej tyre, Andreas Schokenhoff ka se çfarë të thotë. Në Unionin Kristiandemokrat gjerman (CDU) ai është përgjegjës për Evropën Juglindore dhe ishte pjesë e një delegacionit parlamentar, i cili në dokumentin shtatëpikësh në Beograd, si një nga kushtet për rrugën e Serbisë drejt Evropës, vendosi zbardhjen e sulmit në ambasadën gjermane.

"Nuk jam kurrsesi i kënaqur me zhvillimin", thotë Schokenhoff për DW. "Edhe pse keqbërësit dhe nxitësit e sulmeve janë me siguri të njohur, deri më sot nuk ka aktakuzë, edhe pse Serbia është e detyruar sipas ligjit ndërkombëtar për ta sqaruar çështjen."

Schokenhoff shton se për shkak të mungesës së gjykimit dhe akuzës mund të shtrohet pyetja, nëse ekziston vullnet politik për të zgjidhur çështjen. Qershorin e kaluar Bundestagu gjerman arriti në përfundimin se bisedimet për pranimin e Serbisë në BE nuk mund të përfundojnë, derisa të mos dënohen sulmuesit, dhe ata që u kanë dhënë detyrën, sepse siç saktëson Schokenhoff, "janë përgjegjës, përse amabasada nuk është mbrojtur në kohë dhe siç duhet."

Forcat e mbrojtjes ndodheshin aty, ku nuk e kishin vendin

Deri sot nuk dihen njerëzit, që kanë tërhequr fijet në prapaskenë. Ministri i atëhershëm i policisë Dragan Joçiç një muaj më parë u aksidentua rëndë me makinë. Vakuumin, që krijohet në ministri e plotsojnë kryesisht kryeministri Vojislav Koshtunica dhe shefi i kabinetit të tij Aleksandar Nikitoviç, i cili thuhet se ka komanduar policinë në ditën e mitingut. Këtë e ka konfirmuar në emisionin "Insider " në TV B92 edhe Vladimir Bozhoviç, ish-inspektor i përgjithshëm dhe sekretar aktual i shtetit në ministrinë e Brendshme. "Përshtypja ime është se ai (Nikitović) mban përgjegjësinë më të madhe, së bashku me shefin e BIA, Bullatoviç, i cili si shef i policisë sekrete, duhet të ketë patur të dhëna, se çfarë do të ndodhë dhe çfarë do të përgatitet", pati thënë Bozoviç në vitin 2009. Kështu që sfond i famshëm politik përmblidhet në pyetjen, kush e tërhoqi policinë?

Ambasada e SHBA ditën pas mitingut

Ambasada e SHBA ditën pas mitingut

Vetëm kur u bë e qartë se situata në Beograd po del jashtë kontrollit, apo se është arritur një nivel i dëshirueshëm i kaosit, policia fillon të reagojë në mënyrë më aktive", thotë Vasiç në artikull. "Pasi policia mori leje që të fillojë të përdorë agjentët kimikë dhe plumbat e gomës, situata u qetësua shpejt. Rreth 200 vetë u arrestuan dhe pas një apo dy ditësh doli informata se tek disa prej tyre ishin gjetur skica me vendndodhjen e ambasadave në Beograd, por këtë askush nuk do as ta konfirmojë dhe as ta mohojë", shkruan ai.

E vërteta është se çdo gjë në prag të këtij mitingu, katër ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ishte kaotike. Presidenti Boris Tadiç u kujtua se ka një vizitë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe urgjente shtetërore në Rumani dhe ia la mikrofonin kryeministrit Vojislav Koshtunica dhe pastaj zëvendëskryetarit të radikalëve Tomislav Nikoliç. "Unë mendoj se është lejuar, që gjërat të dalin jashtë kontrolli dhe se në sfond ka ekzistuar qëllimi, që të arrihej deri në demonstratat shkatërruese", thotë gazetari Nikola Radishiç. "Në gjyqin e 'grupit të Vojvodinës' për vënin e zjarrit ambasadës disa prej tyre thanë në mënyrë të qartë se shkuan në ambasadë, të inkurajuar nga fjalimet zjarrvënëse në miting, para së gjithash të Vojisllav Koshtunicës. Pikërisht në këtë skenë duhen kërkuar përgjigja për nxitjen e trazirave", shton ai. Ministri i atëhershëm dhe aktual Velimir Iliç tha më vonë se është "demokraci, edhe kur thyhet ndonjë dritare në ambasadat e huaja."