1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Gjasa për një koalicion të lëkundur

Italia zgjedh. Kush do të futet në Palazzo Chigi si kryeministër? I majti Bersani? Apo ish-kryeministri Berluskoni? Evropa shpreson për një qeveri stabile. Kjo duket e vështirë.

Pierluigi Bersani

Pierluigi Bersani

Ligji elektoral mban në Itali një emër të çuditshëm: "Porcellum". Kjo do të thotë pak a shumë "çorbë derri". Këtë emër nuk e kanë zgjedhur zgjedhës të zhgënjyer, por shkencëtarë dhe politikanë, kur ligji elektoral u hartua rreth dhjetë vjet më parë. "Çorbë derri" para së gjithash sepse ligji është shumë i komplikuar. Thuajse askush nuk e kupton me të parën ndarjen e vendeve në të dyja dhomat e parlamentit. Në Dhomën e deputetëve është partia më e fortë ajo që merr automatikisht shumicën absolute të vendeve, edhe kur ajo merr vetëm 30 % të votave. Në Senat votat ndahen në bazë të listave rajonale. "Në sajë të Porcellum-it, në dhomën e parë të Parlamentit, në Dhomën e Përfaqësuesve ekziston një shumicë e rehatshme votash. Por kjo nuk vlen aspak për Dhomën e dytë, Senatin. Dhe kjo mund të kishte ndikim shumë të madh në aftësinë për të qeverisur të fitimtarit," deklaron Lutz Klinkhammer, ekspert për Italinë në Institutin Gjerman të Historisë në Romë.

Nëse në Senat krijohet një tjetër shumicë politike nga ajo në Dhomën e Deputetëve, kryeministri i ardhshëm duhet t'i hyjë një koalicioni me shumë parti të vogla. Meqenëse në parlament përfaqësohen deri 20 parti, ajo që rezulton është vetëm një aleancë e lëkundur. Varianti më i mundshëm, pas anketimeve të fundit është që Pier Luigi Bersani pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës dhe së hënës (24/25.02.2013) me një listë partish të majta të duhet të hyjë në koalicion me listën e re të kryeministrit të deritashëm, Mario Monti. Një aleancë e tillë nuk do të mbajë më shumë se gjashtë ose 12 muaj, supozon eksperti i Italisë, Klinkhammer. Një qeveri stabile, ashtu siç e dëshirojnë atë BE dhe tregjet financiare kjo nuk do të ishte.

Ish-humoristi me shanse në zgjedhje, Beppe Grillo, tërheq masat

Ish-humoristi me shanse në zgjedhje, Beppe Grillo, tërheq masat

Beppo Grillo sjell vrull të ri

Këto lojëra taktike koalicionare u interesojnë vetëm shkarazi 47 milionë zgjedhësve. Një në katër zgjedhës në anketimet e fundit para 14 ditësh nuk e dinte ende, se kujt duhet t'ia jepte votën e vet. "Shumica e njerëzve në Itali janë të lodhur dhe të mospërfillur nga politikanët. Në 20 vitet e fundit ata kanë bërë vetëm pak. Kanë bërë vetëm fjalë boshe, " thotë Marco Solazzo, dentist në Romë. "Njerëzit kërkojnë diçka të re, diçka tjetër."

Ndryshe nga të tjerët është Bepe Grillo. Ai po feston suksese të mëdha me lëvizjen e tij të protestës "5 Sterne". Anketimet parashikojnë që ish-humoristi dhe aktori të marrë rreth 15 përqind të votave. Me këtë ai do të ishte forca e tretë politike pas socialdemokratit Bersani dhe konservatorit Silvio Berluskoni, por përpara kryeministrit teknokrat, Mario Monti. Me sharjet e tij me humor kundër establishmentit dhe premtimeve boshe, Grillo ka tërhequr dhjetëra mijëra vetë në sheshet e qyteteve italiane. Ai luan muzikë rep me tekstin "Ne jemi qytetarët dhe basta".

Numër një pa ngjyrë

Pier Luigi Bersani, i cili kryeson në anketime me disa pikë përpara Berluskonit, kandidati kryesor i Aleancës Mes-I Majtë përshkruhet në mediet italiane si person pa ngjyrë. Ai ka qendruar i rezervuar dhe nuk është futur në polemika të mëdha.

Lokalet e zgjedhjeve mbyllen të hënën në orën 15. Rezultate të besueshme priten vetëm vonë në darkë, e kjo për shkak të "Porcellum", të ligjit kompleks elektoral.

Autor: Bernd Riegert/ Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica