1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

GIZ ofron trajnime për njësitë e qeverisjes vendore në Shqipëri

Fondacioni gjerman G.I.Z në bashkëpunim me Institutin shqiptar të trajnimit të autoriteteve vendore po realizojnë trajnimin e njësive e qeverisjes vendore me synim decentralizimin dhe delegimin e kompetencave.

default

Logo e fondacionit gjerman GIZ

Shqipëria është duke kryer përgatitjet e duhura për të fituar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në këtë kuadër ngritja e kapaciteteve lokale e rajonale merr një rëndësi të dorës së parë. Sotiraq Guga ekspert i Bashkimit Europian për trajnimet e administratës lokale të vendeve aspirante për në BE thotë:

"Shqipëria është në fazën e diskutimit të statusit me Komisionin Europian. Me marrjen e statusit kandidat, që shpresojmë të jetë vitin që vjen, fondet e Bashkimit Evropian për Shqipërinë do të rriten e një pjesë e mirë e këtyre fondeve do të shkojnë për decentralizimin e mbështetjen e zhvillimit në nivel lokal, rajonal etj."

Në kuadër të këtij objektivi po realizohen një tur trajnimesh intensive në të gjitha rajonet e vendit, për të krijuar ekipet e specialistëve që do të realizojnë përcaktimin e prioriteteve, shkrimin e projekteve e realizimin e tyre në terrenin konkret.

"Instituti Shqiptar i trajnimit të autoriteteve publike e zbaton këtë trajnim të financuar nga qeveria federale gjermane për zhvillim e bashkëpunim ndërkombëtar. Bëjmë trajnimin me qeveritë e qeverisjes vendore si të menaxhosh fondet e IPA-s, për këtë marëveshje që presupozohet se Shqipëria është gati për projektet e BE-së. Qëllimi këtij trajnimi është të rriten kapacitetet me synim që çdo njësi e qeverisjes vendore të mund të thithë fonde nga BE-ja e nga bashkëpunimet ndërkufitare", - thotë Dolorez Gjokutaj, drejtuesja e Institutit Shqiptar të trajnimit të autoriteteve publike.

Sotiraq Guga eksperti i Bashkimit Evropian për trajnimet e administratës lokale të vendeve aspirante për në BE, tërheq vëmendjen se ka ende mangësi në administratën lokale në qarqe e bashkitë e vendit:

"Ndaj do të ishte me vend që administrata shqiptare t'i jepte më shumë kujdes e vëmendje kapaciteteve të pushtetit lokal për të qenë të gatshëm për thithjen e këtyre fondeve, sidomos komponentëve 2,3,4 të IPA-s, bashkëpunimi ndërkufitar, zhvillimi rajonal e zhvillimi rural."

Gjatë vitit 2004 e në vijim, njësitë e qeverisjes vendore në Shqipëri nisën të ambjentohen me projektet e Bashkimit Evropian, me projektet ndërkufitare, ndërkohë që gjatë këtij viti ato kanë aplikuar në masë të madhe projektin IPA.

Përgjegjësi i zyrës së programacionit dhe zhvillimit në Qarkun e Gjirokastrës Kristofor Muka, pohon: "Seminari i organizuar nga Ministria Federale e Gjermanisë në bashkëpunim me Zyrën e Trajnimit të autoriteteve vendore pranë kryeministrisë ka qënë tamam në kohë për të përgatitur administratën për të aplikuar, sepse e ardhmja e donacioneve do të jetë përmes këtyre projekteve."

Kapacitetet e ngritura në njësitë e qeverisjes vendore do të jenë edhe një bazë e rëndësishme për kualifikimin e kësaj administrate dhe në punën e saj duke respektuar standardet e Bashkimit Evropian.

Autor: Odise Kote

Redaktoi: E. Xhani