1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Gherman: "Solidaritet i qartë i BE me Moldavinë "

Përmes Marëveshjes së Asociimit me BE, Republika e Moldavisë i nënshtrohet presionit ekonomik nga Rusia. Ministrja e Jashtme, Natalia Gherman është e bindur që vendi i saj mund t'i rezistojë presionit - me ndihmën e BE

DW: Zonja ministre Gherman, hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Asociimit dhe të Tregtisë së Lirë të Moldavisë me BE është një ngjarje me rëndësi të madhe simbolike për Republikën e Moldavisë. Megjithatë, pas nëshkrimit të Marrëveshjes, Moska e vështirësoi qasjen e Moldavisë në tregun rus. Sa dramatike janë pasojat e këtyre masave për vendin tuaj?

Natalia Gherman: Ky reagim i Rusisë është për të ardhur keq. Ngritja e një zone të tregtisë së lirë midis Republikës së Moldavisë dhe të BE nuk do të thotë në asnjë mënyrë ndërprerje e marrëdhënieve të tregtisë me Rusinë dhe me shtete të tjera të Bashkësisë së Shteteve të pavarura. Por është fakt se kufizimet ruse do të na prekin në plan afatshkurtër. Prodhuesit e produkteve tona agrare janë në një pozitë të vështirë. Por si qeveria e Moldavisë, ashtu edhe BE i mbështesin këta prodhues me të gjitha fuqitë, për ta përballuar shokun. Në plan afatgjatë ne do të gjejmë tregje të reja, për të mos ardhur kurrë më në një situatë të tillë. Këtu flasim në radhë të parë për një liberalizim të plotë të tregut të BE për verat nga Moldavia - një vendim që u mor që vitin e kaluar. Menjëherë pas nëshkrimit dhe ratifikimit të Marrëveshjes së Asociimit, BE i ka dyfishuar kuotat e eksportit për të paktën katër kategori të produkteve bujqësore nga Republika e Moldavisë. Masa të tilla janë pa precedent deri tani dhe flasin për një solidaritet të qartë me Republikën e Moldavisë, në radhë të parë me prodhuesit e produkteve agrare.

Në ç'masë mund t'i përballojnë këto masa humbjet, që kanë lindur nga embargoja ruse?

Vëllimi i eksporteve, që na është propozuar nga BE është i konsiderueshëm. Sfida do të jetë që të garantohet cilësia e produkteve agrare. Nevojiten investime të rëndësishme, për t'ia përshtatur cilësinë, çertifikimin, përzgjedhjen dhe ambalazhimin normave të BE. Gëzohemi që nuk jemi të vetëm në këtë proces. BE ka përgatitur një katalog masash për mbështetjen e producentëve. Ekspertët tanë përgatiten nga ekspertët evropianë, për t'i bërë të konkurueshme produktet moldave. Ne punojnmë në komisione të përziera, për të mësuar nga përvojat e partnerëve tanë evropianë në fushën e marketingut, të eksportit dhe të tregtisë.

Natalia Gherman është ministre e Jashtme e Moldavisë që prej vitit 2009. Ajo është përgjegjëse edhe për çështjet e integrimit evropian të vendit.