1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ghassan Hitto do të qeverisë territoret nën kontrollin e opozitës

Koalicioni Kombëtar Sirian zgjodhi një kryeministër për të qeverisur rajonet e kontrolluara prej rebelëve. Ghassan Hitto a pasur një funksion drejtues në një firmë telekomunikacioni në SHBA

Ghassan Hitto

Ghassan Hitto

Grupi më i rëndësishëm opozitar sirian ka emëruar një kryeministër të ardhshëm. Përfaqësues të Koalicionit Kombëtar Sirian zgjodhën gjatë një takimi në Stamboll ish-menaxherin Ghassan Hitto si kryeministër të qeverisë kalimtare, që mbetet të ndërtohet. Në koalicion Hitto ka qenë deri tani përgjegjës për ndihmën humanitare. Deri para pak javësh ai ka pasur një funksion drejtues në një firmë telekomunikacioni në SHBA. Sipas të dhënave ai mori 35 prej 49 votave. Rreth 20 anëtarë të koalicionit abstenuan. Debati zgjati 14 orë. Pjesëmarrësit e përshkruan Hitton si kandidat konsensusi, për të cilin kishin votuar si opozitarë islamistë ashtu edhe opozitarë liberalë. Të tjerë bënë fjalë për një zgjedhje të nxituar dhe të ndikuar prej Perëndimit. Komandanti i Ushtrisë së Lirë Siriane, gjeneral Selim Idriss Idriss, i tha agjencisë së lajmeve AFP se çdo institucion që nuk respekton vijën e qeverisë do të konsiderohet si i jolegjitim dhe do të ndiqet penalisht.

Ndërkaq SHBA-ja pohoi se ushtria siriane ka sulmuar caqe ushtarake në Liban. Ky është një shkallëzim i konsiderueshëm, deklaroi një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme në Uashington. Qeveria franceze i dënoi sulmet si shkelje e rëndë e sovranitetit libanez. Dje qeveria amerikane deklaroi nëpërmjet Ministrit të saj të Punëve të Jashtme Jon Kerry se nuk do të pengojë vende të tjera që të armatosin rebelët sirianë. Megjithatë nga ana e ushtrisë amerikane pati paralajmërime që të mos nxitohet me armatosjen e forcave rebele. Droja e SHBA-së dhe e një numri shtetesh evropiane është se armët mund të bien në duart e elementeve fondamentaliste brenda opozitës siriane.

Autor: Elert Ajazaj (dpa, dw)

Redaktoi: Auron Dodi