1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Gezi u ka hapur sytë shumë njerëzve

Në vitin 2013 filluan protestat kundër prishjes së parkut Gezi. Tani "fryma e Gezit" mund të luajë një rol të rëndësishëm në zgjedhjet parlamentare. Brezi i ri po përfshihet sërish në politikë.

Parku Gezi në qendër të sheshit Taksim shpëtoi një herë për një herë prej shkatërrimit. Tetë të vdekur dhe qindra të plagosur, disa syresh rëndë, ishte çmimi për këtë. Pamjet e përleshjeve të rënda mes demonstruesve dhe policisë që veproi në mënyrë disproporcionale u përhapën rreth botës. Protestat u përhapën edhe në qytetet e tjera të mëdha në Anadoll, ku policia e mbështetur nga përkrahësit e partisë fetare konservatore AKP (Partia për Drejtësi dhe Zhvillim) - vepruan gjithashtu me dhunë të fortë.

Ish-kryeministri e tani presidenti Rexhep Tajip Erdogan e nënvlerësoi "frymën e Gezit" që mblodhi para dy vitesh në protesta aktivistë të rinj të mjedisit dhe të paqes si dhe qytetarë të thjeshtë të të gjitha moshave.

Gezi u ka hapur sytë shumë njerëzve

Një javë para zgjedhjeve parlamentare më 7 qershor, sheshi Tasim dhe rrugët që të çojnë atje janë plot me policë të veshur me uniformë ose civilë.

Por lidhja "Solidariteti Taksim" nuk do t'i hapë policisë asnjë mundësi që të veprojë, thotë Can Atalay, një nga avokatët e shumtë të kësaj organizate. Çdo gjë do të zhvillohet në mënyrë paqësore, të paktën në vendet e tjera publike dhe parqet e Stambollit: "Gezi ka bërë që brezi i ri të përfshihet sërish në politikë dhe që njerëzit të ngrenë pretendimet për të drejtat e tyre."

Heqja dorë nga të gjitha format e dhunës në festimin e përvjetorit të dytë të ngjarjeve tregon se "fryma e Gezi" gjendet para një provimi pjekurie. Po pse nga kjo lëvizje rezistence nuk lindi ndonjë parti politike, si dikur në Gjermani ekologjistët që ishin kundër energjisë bërthamore dhe riarmatimit?

Mungon fusha për zhvillim të mëtejshëm politik

"Brezi i ri e njeh vetëm AKP-në e Erdoganit. Gezi u ka hapur sytë", thotë gazetari Ismail Saymaz i gazetës "Hürriyet ", i cili ka qenë pjesëmarrës në protesta. Por ajo që ende mungon, është një fushë politike për zhvillimin e mëtejshëm. Kjo mund të jetë Partia Social Demokratike Popullore Republikane (CHP). Ajo ofron një karizëm të qartë bashkëkohor me distancë nga nacionalizmi sikurse e mendonte këtë themeluesi i republikës, Mustafa Kemal Ataturk. Prandaj, lëvizja Gezi po orientohet gjithnjë e më shumë ndaj Partisë Demokratike të Popujve (HDP), që drejtohet nga politikani kurd Selahattin Demirtas.

Në rast se "fryma e Gezit" do të arrijë vërtet që partia HDP të kalojë pragun e 10% të votave, kjo do të thotë që partia e Erdoganit ta humbasë pas 13 vjetësh shumicën absolute në parlament.

A do t'u rezistojë shpirti i Gezit provokimeve?

Ayhan Erdogan, një nga avokatët kryesorë të viktimave të Gezit, paralajmëron se presidenti mund të provokojë përsëri incidente. Dhe diploma e pjekurisë së "shpirtit të Gezi" varet nëse ky do t'u rezistojë provokimeve. Ndonjë figurë si udhëheqëse politike nuk është parashikuar, sepse Gezi nuk e konsideron veten si një ideologji politike, por si një rezervuar aktivistësh paqësore nga i gjithë spektri politik."Fryma e viteve 1968" e transformoi Evropën dhe u hapi shoqërive perspektiva të reja politike. Këtë pretendim ngrenë edhe përfaqësuesit e "frymës së Gezit".