1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Gernot Erler: Sanksionet nuk janë mjeti i duhur ndaj Rusisë

I ngarkuari i qeverisë gjermane për Rusinë, Gernot Erler, në radion DLF shpreh indinjatë për veprimet ushtarake të Rusisë në Krime. Por për të zgjidhja politike është e mundshme, ndaj sanksionet nuk janë mjeti i duhur.

DLF: Zoti Erler, a keni shpresë për një zgjidhje të shpejtë të këtij konflikti?

Erler: Nuk kam shpresë për një zgjidhje të shpejtë të tij, por shpresoj që të përdoren mundësitë për një zgjidhje politike, dhe se në fund duhet të kemi një zgjidhje politike të konfliktit. Krijimi i një grupi kontakti është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse përmes tij ekziston mundësia që të ruhet vazhdimisht kontakti i bisedimeve mes partnerëve të rëndësishëm, e konkretisht vendosja e kontaktit mes Rusisë dhe Ukrainës, që do të shoqërohet nga përfaqësuesit e vendeve të tjera.

DLF: A e kishit parashikuar se mund të kishte një reagim të tillë kaq të ashpër nga Moska?

Erler: Për mua dukej qartë, që zhvillimet në sheshin Maidan në Kiev shiheshin në Moskë si jashtëzakonisht të rrezikshme. Kjo ka të bëjë me planet ruse për një Union Euroaziatik. Por ka të bëjë edhe me frikën e ngjallur qysh në vitin 2003 në Rusi nga të ashtuquajturat revolucione me ngjyrë, ndaj në këtë kuptim ishte e qartë, se ajo që po ndodhte nuk mund të kalonte pa reagim të palës ruse. Por më duhet të theksoj, se unë jam i shokuar nga mënyra se si ky reagim po vihet në jetë tani praktikisht me mjete ushtarake në vendngjarje.

DLF: A mund të thuhet z. Erler, se si rrjedhojë Ukraina e ka humbur Krimenë?

Erler: Jo këtë s'mund ta them në asnjë mënyrë, sepse këtu ende ka mundësi që të arrihet një zgjidhje politike e një lloji tjetër. Duhet ta kujtojmë Rusinë, që me Memorandumin e Budapestit të vitit 1994, me marrëveshjen bilaterale të miqësisë, bashkëpunimit dhe partneritetit të vitit 1997 me Ukrainën janë garantuar në mënyrë të përsëritur paprekshmëria dhe integriteti i Ukrainës, e këto janë të detyrueshme në bazë të së drejtës ndërkombëtare. Ndaj do të ishte tërësisht e gabuar, që për momentin të bëheshin parashikime të tilla negative mbi fundin e konfliktit. Unë konsideroj që hapi i duhur tani është të ruhen kontaktet përmes bisedimeve dhe që vëmendja të përqendrohet tërësisht në krijimin e grupit të kontaktit. Ky duhet të jetë objektivi më i rëndësishëm i diplomacisë ndërkombëtare. Për këtë mund të ndihmojë shumë edhe misioni i OSBE-së e përveç kësaj mund të bëhen edhe përpjekje të tjera ndërmjetësimi.

DLF: Por z. Erler a duhet që Moska të vihet në lëvizje përmes sanksioneve, që të bashkëpunojë në këtë mënyrë siç e përshkruani ju?

Erler: Eshtë mëse e kuptueshme dhe pala ruse duhet ta ketë të qartë, që nëse vazhdon t'i përmbahet qëndrimit të deritanishëm, kjo do të ketë pasoja ndërkombëtare. Por nëse bllokimi i bisedimeve është pasojë e sanksioneve, atëherë për momentin unë i konsideroj sanksionet të padobishme.

DLF: Por çfarë mund ta bëjë Moskën që të ndyshojë mendje, kur Vladimir Putinit duket se nuk i kanë bërë ndonjë përshtypje kërcënimet me sanksione?

Erler: Ne duhet ta pranojmë, që mjeti i sanksioneve jo patjetër ka sukses. Mund të përmend shembuj nga e kaluara, kur Rusia sanksioneve u përgjigjur me kundërsanksione - dhe Rusia e ka këtë mundësi - e kjo vetëm sa çon në përshkallëzim të situatës. Përshkallëzimi i situatës në këto rrethana na largon pikërisht prej asaj që ëshë tani e nevojshme, pra një bazë e besueshme për bisedime politike, për një dialog dhe për të punuar për një zgjidhje politike.

DLF: Atëherë z. Erler dilema e Perëndimit e në radhë të parë e Gjermanisë është, që me sanksione në të fund të fundit i prishim punë vetes?

Erler: Si të them, kur ju pyesni kaq direkt, s'mund të shmangesh, por veçse të pranosh, se ne prej kohësh kemi ndërvarësi reciproke si p.sh. në sektorin e energjetikës. Rusia i eksporton mbi 70% të burimeve të veta të energjisë, të cilat tregtohen në BE duke përfshirë edhe Gjermaninë. Gati 40% e furnizimeve me gaz dhe mbi 30% e furnizimeve me naftë varen prej Rusisë. Këto kuota përkohësisht edhe mund të zëvendësohen, në periudhë afatgjatë - këtë duhet ta pranojmë - të dyja palët i janë përmbajtur deri tani marrëveshjeve me përpikmëri të madhe. Ndaj është e kuptueshme, nëse flitet për sanksionet atëherë peshohet edhe opcioni se si mund të reagojë pala tjetër, kështu që vjen momenti kur përballesh me ndërvarësinë reciproke dhe duke hasur në një dilemë të tillë detyrohesh të kërkosh zgjidhje politike.