1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gerdeci dhe drejtësia

Tre burgime të përjetshme dhe 132 vjet burg janë dënimet, që Prokuroria i ka kërkuar Gjykatës së Tiranës për 28 të pandehurit e tragjedisë në Gërdec.

Shtëpi të reja në Gerdec

Shtëpi të reja në Gerdec

Procesi gjyqësor i Gërdecit do të mbahet mend në Shqipëri. Jo vetëm se zgjati tre vjet, pati 150 seanca gjyqësore se asnjë nga të pandehurit kryesorë nuk ndodhej ne sallë e gjyqit, kur u dha pretenca, por në shtëpi apo spital. Por edhe sepse 26 të vrarët dhe përfshirja e emrit të një zyrtari të larte, anëtar i qeverisë Berisha, ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, sot Minister i Mjedisit, në hetimet e para, e bënë këtë proces gjyqësor të shihet si provë, nëse Drejtësia në Shqipëri është e pavarur nga politika, pra nëse është profesioniste.

Këtë provë Prokuroria e Tiranës kërkoi ta kapërcejë javën e kaluar duke dhënë tre dënime me burgim të përjetshëm për Ylli Pinarin, ish drejtor i kompanisë shtetërore për shitblerjen e armëve, MEICO (Military Export Import Company), Mihal Delijorgjin, ish pronari shqiptar i kompanisë Albademil, që realizonte demontimin e stokut sovjeto-kinezo-shqiptar të municioneve dhe Dritan Minxollin, kryekontrollor të punishtes së Gërdecit. Akuza ndaj tyre është “vrasje të kryer në bashkëpunim, kundër 26 personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave të tjerë.”

Shtëpi të shkatërruara në Gerdec pas shpërthimit

Shtëpi të shkatërruara në Gerdec pas shpërthimit

Dënimet e 25 të pandehurve të tjerë variojnë nga 23 deri në 1 vit burg, në një total prej 132,5 vitesh. Por këto dënime duket se nuk përligjën pritshmëritë e familiarëve të viktimave të Gërdecit. Edhe pse asnjë dënim, sado i rëndë, nuk mund t'u rikthejë të dashurit e tyre të vrarë nga shpërthimi. Zamira Durda, banore në Gërdec, nëna e një djali 7-vjeçar, që gjeti vdekjen nga shpërthimi, është e pakënaqur me dënimet:“Burgim të përjetshëm për të gjithë. Me shpërdorimin e detyrës së tyre e pësuam ne”, thotë ajo. Shpërdorimin e detyrës si pasojë e pjesëmarrjes në afera korruptive dhe përfitime të paligjshme e nxorrën në dritë fakte, dëshmi në hetimet, që zgjatën tre vjet. Faktet flasin se në Gërdec grumbullohej nga gjithë Shqipëria municion për t'u asgjësuar. Metali dhe lënda plasëse blehej nga kompania amerikane Southern Ammunition Company, ku kompania e nënkontraktuar për të bërë demontimin, Albademil, ishte ortake me këtë kompani amerikane me 25% të aksioneve. Dëshmitë e të mbijetuarve në Gërdec treguan se papunësia e madhe dhe varfëria e skajshme i detyronte të pranonin punën ne kushte shumë të rrezikshme, pa asnjë mbrojtje teknike, me një pagë shumë të ulët dhe të pasiguruar.

Te pafajshëm apo fajtorë? Dyshimet për korrupsion tek zyrtarët e lartë dhe imuniteti i tyre

A duhej të ishin 28 të pandehurit të vetmit, që u hetuan dhe për të cilët prokuroria i kërkon Gjykatës së Tiranës 3 dënime me burgim të përjetshëm dhe 132 vite burg për 25 të pandehur të tjerë? Opinioni i juristëve të pavarur i përgjigjet me “jo” kësaj pyetjeje. Sipas tyre të 28-ët janë persona, që zbatuan vendime. Krahas tyre përballë drejtësisë duhet të ishin vënë edhe ata, që i morën vendimet: vendimin për demontimin e municioneve në Gërdec, shitjen e metalit dhe lëndës plasëse kompanisë amerikane dhe riblerjen po nga kjo kompania me çmim 2% më të lartë se ai i shitjes. Prokuroria nisi hetimet ndaj ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, por një vendim i Gjykatës ë Lartë i ndërpreu ato. Mediu, që kishte dhënë dorëheqjen dy ditë pas shpërthimit si një gjest moral dhe më pas kishte pranuar heqjen e imunitetet për t'i hapur rrugë hetimeve, e rifitoi mandatin e deputetit në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës dhe bashkë me të edhe postin e Ministrit të Mjedisit. Pas kësaj Prokurori ai kishte duart e lidhura për të bëre hetime ndaj një deputeti. Me vendim të Gjykatës së Lartë hetimet e nisura ndaj Mediut u ndërprenë.

Ish ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu

Ish ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu

Drejtësia në rastin e Fatmir Mediut nuk mundi të thoshte fjalën e saj: ta shpallte atë të pafajshëm, ose fajtor për ngjarjet e Gërdecit. Vendimi i Gjykatës së Lartë për ndërprerjen e procesit të hetimeve interpretohet nga ekspertë ligjorë si mungesë e pavarësisë së gjyqësorit nga politika, ose si mungesë profesionalizmi, ose si të dyja bashkë.

Për të mos u përsëritur kjo situatë, ekspertë ligjorë të BE dhe të Këshillit të Europës kanë dorëzuar në Parlamentin e Shqipërisë një projektligj për kufizimin dhe heqjen e imunitetit ministrave dhe zyrtarëve të lartë si edhe gjykatësve. Rasti i Gërdecit shënoi një precedent lidhur me hetimin për dyshime të përfshirjes së zyrtarëve të lartë në afera korruptive, zyrtarëve, që gëzojnë imunitet. Projektligji në fjalë mund të kthehet në ligj, nëse e votojnë 3/5 e 140 deputetëve të Parlamentit ose 87 deputetë. Kufizimi i imunitetit konsiderohet nga BE dhe Këshilli i Europës, si një rrugë për të luftuar korrupsionin në rradhët e administratës së lartë shtetërore. Në Progres Raportin e sivjetëm të KE për ecurinë demokratike të Shqipërisë, korrupsioni cilësohet një shqetësim serioz.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 07.11.2011
  • Autor Angelina Verbica
  • Fjalët kyç Gerdec, denimet
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/136Jv
  • Data 07.11.2011
  • Autor Angelina Verbica
  • Fjalët kyç Gerdec, denimet
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/136Jv