1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Gbagbo arrestohet nga ushtarë të Ouattaras

Pas më shumë se katër muajve lufte për pushtet në Bregun e Fildishtë, ushtarë të presidentit Alassane Ouattara e arrestuan rivalin e tij, Laurent Gbagbo.Ministri i Jashtëm gjerman e përshëndeti arrestimin.

Laurent Gbagbo i arrestuar

Laurent Gbagbo i arrestuar

Në fund, gjithçka u zhvillua shumë shpejt. Natën dhe në mëngjes, helikopterë të OKB-së dhe francezë patën sulmuar territorin e rezidencës së Laurent Gbagbosë. Me sukses. Të hënën pasdite u hap rruga, automjete të blinduara të njësive franceze mund të afroheshin në areal. Më në fund, thuhet se qenë ushtarët e presidentit Alassane Ouattara që arrestuan Gbagbonë. Gbagbonë dhe gruan e tij Simone ata i dërguan në Hotel du Golf në Abixhan. Prej atje qeveris që prej disa muajsh Alassane Ouattara, i mbrojtur nga ushtarë helmetkaltër të OKB-së.

Pamjet e një stacioni televiziv, i cili bën pjesë në kampin e Alassane Ouattaras, tregojnë një Gbagbo në gjendje relativisht të mirë. Ai mban veshur një kanatiere dhe fshin me një peshqir ballin, vështrimi i tij duket i ndezur. Televizioni ivorian tregon pamjet e para të Gbagbosë pas arrestimit në një dhomë gjumi hoteli. Atij i japin një këmishë të pastër, ish-presidenti flet, po nuk dëgjohet se c'thotë. Ndoshta ai nuk do që ta dëgjojnë.

Deri në fund refuzoi Laurent Gbagboja që të largohej nga kolltuku presidencial. Por edhe të vdiste nuk donte. Gbagbo tha në një intervistë javën e kaluar:

"Unë nuk jam pilot kamikaz. Unë e dua jetën. Kur të vijë vdekja, ajo vjen. Po ky nuk është synimi im."

Zëdhënësi i tij e pati akuzuar Francën, se kërkon ta vrasë Laurent Gbagbonë. Këtë Franca gjithmonë e pati kundërshtuar. Me të vërtetë, një Gbagbo i vdekur do të qe kthyer në problem, për Francën dhe për Alassane Ouattaran. Sepse mbështetësit e Gbagbosë do ta kishin parë atë si martir. Por në fund ishte fuqia ushtarake e Francës që e bëri fletën të kthehet. Këshilltari presidencial Henri Guiano në stacionin televiziv France 24:

"Ky angazhim francez është kërkuar nga OKB-ja, për të mbrojtur popullatën civile. Prandaj ne bashkëpunojmë me OKB-në, për të mbrojtur popullatën civile. Ne duam ta pengojmë një kasaphanë në Abixhan."

Laurent Gbagbo dhe Alassane Ouattara më 2008

Laurent Gbagbo dhe Alassane Ouattara më 2008

Tani Gbagbonë e arrestuan, nëse me këtë do të arrihet të pengohet një gjakderdhje e mëtejshme, kjo nuk është e sigurtë. Alassane Ouattara në një fjalim televiziv të enjten:

"Pavarësisht nëse vini nga Jugu, nga Veriu, nga Lindja apo nga Perëndimi. Pavarësisht nëse jeni të krishterë, myslimanë apo keni një besim krejt tjetër, nëse më keni zgjedhur apo jo, unë i bëj thirrje shumë qartë ndjenjës suaj të përgjegjësisë dhe dinjitetit tuaj."

Një thirrje kundër dhunës dhe mungesës së ligjit. Prej ditësh, para së gjithash Abixhani po përjeton një tmerr. Nga frika e plaçkitësve dhe grabitësve të dhunshëm, banorët fshihen në shtëpitë e tyre. Qindra të huaj u dërguan në vende të sigurta nga ushtria franceze dhe u dërguan me avionë në atdhe. Në shumë lagje nuk ka as ujë, as energji elektrike, ushqimet dhe medikamentet janë pakësuar.

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle e përshëndeti arrestimin e Gbagbos dhe foli për një "shans të vërtetë për liri dhe një fillim të ri demokratik".


Autor: Marc Dugge/Auron Dodi

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 12.04.2011
  • Fjalët kyç gbagbo
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10raz
  • Data 12.04.2011
  • Fjalët kyç gbagbo
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10raz