1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Gazsjellësi vdiq, rroftë gazsjellësi!

Anullimi i papritur i Putinit për përçuesin e gazit South Stream nuk është as fitore e Presidentit rus dhe as disfatë e BE-së, por vetëm një ndryshim kursi për të ruajtur fytyrën, mendon Andrey Gurkov.

Presidenti rus Vladimir Putin mund t'u paraqesë rusëve në mediet shtetërore sërish një fitore: me anulimin e papritur të ndërtimit të përçuesit të gazit natyror South Stream, ai u ka treguar vendin edhe një herë evropianëve mosmirënjohës! Le të rrinë tani ata pa gazin rus, Rusia do t'i orientojë livrimet e gazit të saj në rajone të tjera të botës. Kështu pak e shumë e shiti vendimin e tij burri i fortë i Kremlinit për opinionin në Rusi. Ishte një vendim personal, këtë e bëri të qartë pa ekuivoke ministri rus i Energjisë Alexander Novak.

Shmangia e Ukrainës si objektiv strategjik

Në realitet anulimi i gazsjellësit tejet të shtrenjtë ka natyrisht arsye të ndryshme nga ato në botën e thjeshtë të propagandës ruse. Me siguri që nuk është një fitore për Putinin por as disfatë si pretendojnë disa komentues evropianë. Në thelb shefi i Kremlinit ka kryer një ndryshim me fleksibilitet por vazhdon të ketë qartë në fokus si synimet e tij strategjike ashtu dhe klientët më të rëndësishëm për gazin e tij, evropianët.

Objektivi i shpallur i vendosjes së South Stream nga Rusia përmes Detit të Zi deri në Bullgari e më tutje në Austri, konsistonte në krjimin e një rruge transporti për livrimet e gazit nga Rusia në BE duke shmangur Ukrainën. Kjo mund të shihet në këndvështrimin thjesht ekonomik të minimizimit të rreziqeve të tranzitit, siç bënë partnerët e huaj të projektit, p.sh. firma gjermane Wintershall, pjesë e koncernit BASF.

Për Kremlinin përkundrazi më i rëndësishëm ishte aspekti gjeopolitik. Vendosja e këtij gazsjellësi do të kishte shtuar në masë drastike varësinë e Ukrainës nga livrimet direkte ruse të energjisë. Pasi përsa kohë gazi kalon përmes territorit ukrainas drejt Evropës, në rast të një bllokade nga Moska, Kievi mund të furnizohet nga linjat e tranzitit.

Turqia si vend tranziti për gazin rus

Përballë gjendjes së gati luftës në të cilën gjenden sot Rusia dhe Ukraina, objektivi strategjik i South Stream ka marrë për Putinin një rëndësi edhe më të madhe. Për këtë arsye ai vepron sipas motos: gazsjellësi vdiq, rroftë gazsjellësi! Pasi njëkohësisht me anulimin e këtij projekti erdhi nga Ankaraja, ku Presidenti rus ndodhej për një vizitë shtetërore, njoftimi i një plani të ri ndërtimi: tani do të vendoset një linjë përçuese me të njëjtin kapacitet - 63 miliardë metra kub gaz në vit - përmes Detit të Zi në Turqi.

DW Russische Redaktion Hörfunk Andrey Gurkov

Redaktori i DW Andrey Gurkov

Kësaj rrethane shumë komentues i kushtojnë shumë pak vëmendje pasi janë të fiksuar tek ndalimi spektakolar i South Stream. Ndërkohë Kremlini sapo ka nisur një lojë re: Turqia do të bëhet ura më e rëndësishme për eksportet e gazit rus në BE. Nga gazsjellësi i ri, i cili për shkak të trajektores shumë më të shkurtër nën ujë do të ketë edhe kosto shumë më të ulëta, turqit do të importojnë vetëm rreth 13 miliardë metra kub për nevojat e veta. Ky është pikërisht vëllimi që firma shtetërore e naftës dhe gazit Botas aktualisht livron nga Rusia përmes Ukrainës dhe Ballkanit.

Bullgaria nuk është patjetër humbësja e madhe

Pjesa tjetër, rreth 50 miliardë do të dërgohet përmes territorit turk në kufi me Greqinë, tha vetëm pak minuta pas njoftimit spektakolar të Putinit, shefi i Gazpromit Alexej Miller. E ku janë këtu tregjet e reja të shitjes? Klienti i ri i gazsjellësit të ri rus vazhdon të jetë BE-ja. Vetëm se këtë herë rolin e vendit tranzit nuk do e marrë Ukraina por Turqia.

Për konsumatorin evropian përveç emrit të gazsjellësit nuk ndryshon asgjë. 50 miliardë metrat kub, që janë më shumë se një e treta e të gjitha livrimeve ruse në BE, Moska nuk do t'ua refuzojë evropianëve që paguajnë valuta të mira për këtë. Edhe Bullgaria, e cila e paraqiti veten si humbësen e madhe të anulimit të South Stream, ndoshta do të mund të arkëtojë taksat e saj për tranzitin.

Mjafton t'i hedhësh një vështrim hartës! Në Perëndim Turqia ka kufij me Greqinë dhe Bullgarinë. Ku do të shkojnë sasitë gjigante të gazit rus nëse një ditë do të vijnë këtu? Në Greqi? Ajo nuk ka nevojë për aq shumë gaz, për më tepër që grekët brenda disa vitesh do të kenë gazsjellësin TAP i cili transporton gazin nga Azerbajxhani në Itali.

E vetmja mundësi realiste është pra rruga e veri-perëndimit përmes Bullgarisë deri tek Gas-Hub në Baumgarten të Austrisë. Kjo do të ishte pak a shumë e njëjta rrugë që ishte menduar për South Stream, vetëm se pika e fillimit do të ishte pak qindra kilometra më në jug. Por për diskutim shtrohet edhe rruga më e shkurtër Nabucco, e cila dikur u mor në konsideratë nga evropianët.

Një plan i papërfunduar me hapësirë për negociata

Në rastin më të mirë refuzimi i South Stream rezulton për Kremlinin si një marrëveshje që i ruan fytyrën, për të pranuar të ndjekë rregullat e rrepta evropiane. Fjalët e shefit të Grazprom mund të interpretohen edhe kështu: Rusia livron gaz në kufirin e BE-së dhe prej atje evropianët duhet ta përçojnë më tutje sipas përfytyrimeve dhe ligjeve të veta. Kështu historia mund të kishte gati gati një fund të lumtur. Të paktën nuk do të kishte humbës të qartë.

Një fituese e qartë kjo histori ka dhe ajo është Turqia. Një nga planet e politikës së saj ambicioze ekonomike është të kthehet në një platformë qendrore për livrimet e gazit dhe në përgjithësi të energjisë nga Lindja e Afërt dhe e Mesme drejt Evropës. Gazjsellësi prurës i TAP-it është një fillim shumë premtues. Gazsjellësi i ri, shumë më i madh rus, do të krijonte në tokën turke një infrastrukturë të tillë, që do të ishte thjesht e predestinuar të transportonte në të ardhmen gaz edhe nga Iraku dhe Irani drejt Evropës. Për Rusinë këta do të ishin konkurrentë të rinj të fortë, ndërsa për evropianët një mundësi për të diversifikuar burimet e tyre të energjisë.

DW.COM