1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Gazpromi e vë Evropën në darë

Rusia forcon pozicionin si furnizuese me gaz e Evropës. Me ndërtimin e gazsjellësit South-Stream Moska e ul varësinë nga vendi tranzit Ukrainë dhe minon projektin evropian Nabucco.

Harta e Nord Stream dhe South Stream

Harta e Nord Stream dhe South Stream

Vladimir Putini do të vijë personalisht. Për presidentin, i cili e ka shpallur fushë të kompetencave të tij ngjitjen e Rusisë në superfuqi energjitike, të premten (07.12.12) shënohet një arritje tjetër në këtë rrugë. Në afërsi të plazhit të Rusisë së jugut, Anapa, në Detin e Zi, këtë ditë do të ngjiten me saldim tubat e parë të gazsjellësit South-Stream. Linja e furnizimit fillimisht do të kalojë për rreth 900 km nën ujë. Në afërsi të portit bullgar Varna, linja do të dalë mbi tokë. Prej atje, gazi rus do të kalojë përmes Serbisë, Hungarisë dhe Sllovenisë deri në Itali.

Ky projekt që kushton disa miliarda euro mbështetet nga koncerni energjitik rus, Gazprom. Ai ka gjysmën e kapitalit në konsorciumin e South Stream Transport. Aksionerë të tjerë janë koncerni italian ENI, me 20 përqind si dhe EDF franceze e Wintershall gjermane, një shoqëri bijë e BASF, që mbajnë 15 përqind të aksioneve. Kryetar i këshillit administrativ të konsorciumit është ish-kryetari i bashkisë së Hamburgut, Henning Voscherau. Sipas të dhënave zyrtare, projekti do të përfundojë në fund të vitit 2015 dhe do të transportojë atëherë çdo vit 63 miliardë metra kub gaz.

Strategji e re e Gazpromit

Kjo shifër është e krahasueshme me sasinë e gazit, që pompohet aktualisht përmes Ukrainës për në Evropë. Ukraina ka qenë deri tani vendi kryesor tranzit për gazin rus. Përmes tubacioneve të vendosura aty që në kohën e BS, BE ka marrë rreth 80 përqind të eksporteve të gazit nga Rusia.

Gazpromi kontrollon gazin

Gazpromi kontrollon gazin

Por këto kohë kanë kaluar. Roland Götz, i cili për shumë vite ka qenë ekspert për Rusinë në Fondacionin Shkenca dhe Politika, flet për një "strategji të re" të Gazpromit. Objektiv i koncernit të kontrolluar nga shteti është "anashkalimi i vendeve tranzit, me anë të tubacioneve nënujore". Si hap i parë në këtë drejtim, në vitin 2011 u vu në jetë projekti Nord Stream, i cili transporton gaz rus përmes Detit Baltik drejtpërdrejt në Gjermani. Tani me South Stream bëhet një hap i dytë, tha Götz në bisedë me DW. Në hartë, të dy gazsjellësit duken si një darë, me të cilën Evropa mbahet nën kontroll.

Ukraina është humbësja

Ukraina nuk përmendet as një herë të vetme në broshurën publicitare të Konsorciumit South Stream. Në të flitet për rrugë të reja "të cilave mund t'u besosh". Vitet e shkuara, dërgimet ruse të gazit për në Evropë u ndërprenë disa herë, sepse Rusia dhe Ukraina u grindën me njëra-tjetrën.

Ukraina e sheh veten si viktimë të politikë së re energjitike ruse, sepse do të humbasë fitime nga taksat e transportit. Sipas të dhënave të qeverisë së Kievit, Gazpromi dërgoi që nga janari deri në tetor 2012 20 përqind më pak gaz në Evropën Perëndimore se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në Kiev llogarisin që sasitë e tranzitit do të bien edhe më tej.