1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gazetari Ernst mbi zhvillimet në Kosovë: „Nuk mjafton një gjysmë viti për t'i bindur serbët në veri“

Intervistë me korrespondentin e gazetës „Neue Zürcher Zeitung“ dhe analistin e Ballkanit, Andreas Ernst mbi zgjedhjet lokale në Kosovë dhe mundësinë e përsëritjes së zgjedhjeve në Veri.

DW: Zgjedhjet lokale në Kosvë të cilësuara si historike për shkak të pjesëmarrjes për herë të parë të serbëve në to u errësuan nga incidentet e së dielës në veri. Dështuan plotësisht zgjedhjet në veri?

Ernst: Po, pa asnjë dyshim. Ushtrimi i lirë i së drejtës për të votuar nuk qe i mundur në veriun e Kosovës. Përveç kësaj ka shumë të dhëna për një pjesëmarrje të ulët në këto zgjedhje.

DW: Të dielën (03.11.2013) pati incidente të serbëve nacionalistë në veri gjë që ka sjellë edhe tensionimin e gjendjes në veri? Ia arritën këto forca ekstremiste qëllimit të tyre dhe kush fshihet pas këtyre maskave?

Ernst: Sipas informacioneve të mediave serbe pas tyre fshihen anëtarë dhe simpatizantë të shoqatës ultranacionaliste, Obraz, me qëllim prishjen e procesit të votimit. Ka mundësi që pas tyre të jetë edhe dora ndihmëse e atyre që kanë përfituar nga pazaret e jashtëligjshme në një territor ku nuk sundon ligji.

DW: Po qe se zgjedhjet në Veri cilësohen të pavlefshme, çfarë do të kemi më pas zgjedhje të reja, kohë reflektimi e qetësimi, apo më shumë punë bindëse për veriun?

Ernst: Në Veri do të duhet të përsëriten zgjedhjet. Dhe deri në atë ditë do të duhet që koha e mbetur të shfrytëzohet që qytetarët të informohen më mirë për rëndësinë e marrëveshjes së Brukselit të arritur në prill. Çfarë do të thotë vërtet synimi për të themeluar bashkësinë e komunave serbe, - shumë nga këto elementë janë për serbët të paqartë, dhe jo vetëm për serbët.

DW: Megjithëse Beogradi u bëri thirrje serbëve të dilnin në zgjedhje, pjesëmarrja e serbëve ishte shumë e ulët në veri. Ҫfarë mendoni ju se i pengoi serbët e thjeshtë më shumë frika apo refuzimi ndaj Kosovës?

Ernst: Duhet thënë se serbët për 14 vite me radhë u inkurajuan dhe u mbështetën nga Beogradi për të bërë rezistencë ndaj Prishtinës, e për ta konsideruar veten edhe më tej si qytetarë të Serbisë, - pra nuk mjafton një gjysmëviti për t'i bindur ata për të kundërtën. Ka qenë një gabim i madh, që serbët e Kosovës nuk u lejuan të kishin zërin e tyre në tavolinën e negociatave të Brukselit. Kultura politike e Beogradit dhe Prishtinës në këtë kuptim duket e njëjtë gati me atë të Brukselit: Shtetformimi shihet si një proces top-down, nga lart poshtë. Por ka shumë shembuj në Ballkan që tregojnë se kjo nuk është efikase. Legjitimitetin shtetëror një demokracie ia japin qytetarët, pra ai vjen nga poshtë.

DW: Një reagim të së dielës të zëvendëskryeministrit serb, Vuҫiҫ për dërgimin e policisë serbe në veri dhe qetësimin e situatës brenda 45 minutash, pala shqiptare e cilësoi si provokim. Mendoni ju se fshihet më shumë pas kësaj deklarate?

Ernst: E kuptoj mirë që nga këndvështrimi i Prishtinës pse kjo tingëllon shumë provokative. Por nga ana tjetër është fakt që as policia e Kosovës, as EUEX-i, nuk janë në gjende të rivendosin „rregullin dhe qetësinë“ në mënyrë efiҫiente në veri, me kusht këtë e arrin vetëm prezenca ndërkombëtare e KFOR-it. Policia serbe do të ishte më në gjendje për ta bërë, por kjo do të binte në kundërshtim të hapur me marrëveshjen e prillit. Pasi marrëveshja synon ta integrojë veriun në sistemin e Kosovës dhe si shpërblim për këtë komunave serbe do t'u garantohet një autonomi e zgjeruar.

DW: Në komunat e tjera të Kosovës ku jetojnë serbët ka pasur një pjesëmarrje të lartë në zgjedhje. E ka humbur kështu Kosova veriun, në kuptimin e mirëpranimit nga ana e qytetarëve të atjeshëm serbë të autoritetit të Prishtinës?

Ernst: Serbët në qendër të Kosovës apo në jug e kanë gjetur veten në sistemin kosovar, dhe nuk është hera e parë që ata morën pjesë në zgjedhje, sipas së drejtës kosovare. Kjo ka të bëjë edhe me pozitën gjeografike. Nuk ka alternativë tjetër. Nëse veriu është i humbur për autoritetet e Prishtinës? E qartë është që ai gjendet shumë larg të bërit pjesë e integruar e shtetit të Kosovës. Madje edhe metodologjia, me të cilën bëhet kjo nuk duket aspak premtuese. Në të vërtetë tani duhet të diskutohen edhe njëherë alternativat, të cilat gëzojnë simpati tek popullsia e prekur. Ndoshta një shkëmbim territoresh mes Luginës së Preshevës dhe veriut të Kosovës. Ashtu si serbët në veri duan të qëndrojnë me Serbinë, edhe shqiptarët në Luginën e Preshevës duan t'i përkasin Kosovës. Një shkëmbim i legjitimuar, demokratik e paqësor territoresh do të ishte një alternativë e vërtetë kundrejt këtij procesi “political engineering” aktual. Dhe Kosova ndoshta do të funksiononte më mirë si shtet.

DW: A ka edhe bashkësia ndërkombëtare përgjegjësinë e vet në dështimin e këtyre zgjedhjeve në veri, krahas Prishtinës dhe Kosovës?

Ernst: Mendoj se nuk është detyrë e bashkësisë ndërkombëtare të motivojë serbët në veri të integrohen në sistemin e Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare as nuk do të ishte në gjendje ta bënte këtë. Janë Prishtina dhe Beogradi ato që duhet t'ua bëjnë të qartë marrëveshjen qytetarëve të tyre dhe t'i bindin ata për përfitimet.

DW: Ҫfarë pasojash do të kenë këto zgjedhje, ashtu si u zhvilluan ato për procesin e integrimit të Serbisë e Kosovës në BE? Serbia pret fillimin e negociatave të anëtarësimit në janar të vitit të ardhshëm.

Ernst: Këto zgjedhje janë patjetër një kthim mbrapa për të gjitha palët, me që ra fjala edhe për Lady Ashton, e cila e paraqet marrëveshjen e prillit si një sukses të madh. Por nuk besoj se procesi i integrimit të Kosovës dhe Serbisë do të frenohet në mënyrë afatgjatë. Procesi ndodhet gjithsesi në fillimet e tij.