1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Gazetarët turq protestojnë kundër raprezaljeve

Protestat kundër qeverisë turke vazhdojnë. Qindra vetë - midis tyre gazetarë dhe artistë - kanë dalë ndërkohë në rrugët e Stambollit për të protestuar kundër dhunës policore ndaj përfaqësuesve të medieve.

"Po fol këtu, po ta mbajti", i tha polici dhe e pati qëlluar me grusht në fytyrë, tregon Gökhan Bicici. Më 16 qershor gazetarin e arrestuan kur po raportonte për protestat në Parkun Gezi. Regjistrime nga amatorët të arrestimeve qarkulluan menjëherë në internet. Ata e tregojnë gazetarin si e tërheqin zvarrë katër policë dhe e godasin në fytyrë.

Bicici punon që prej katër vjetësh për stacionin "opozitar", siç e quan ai, IMC-TV. Ai është njëri prej shumë gazetarëve, që protestuan të premten (12.07.13) në Stamboll kundër censurës në shtyp dhe dhunës policore kundër gazetarëve. Disa qindra vetë morë pjesë në demonstratën, e cila u organizua përmes Twitterit dhe Facebook-t. "Ky është vetëm fillimi, lufta vazhdon", dhe "AKP, hiqi duart nga mediat!", thërrasin aktivistët. Në pankarta shkruhet "ndaloni presionin" dhe "boshatisni qelitë, liri për gazetarët". Një grup policësh u ndalon gazetarëve me ujëhedhës rrugën për në Sheshin Taksim. Pas rreth një ore, forcat e sigurisë i kërkojnë turmës të largohet.

"Protesta është një fillim i ri"

Gökhan Bicici nuk ka dëshmi zyrtare që punon për shtypin. Ky kishte qenë shkaku i arrestimit, deklaron ai në bisedë me DW. "Ekziston dëshmia e verdhë, të cilën ta japin organet shtetërore. Janë më të paktët ata që e marrin këtë, " thotë Bicici. Dhe kështu, qeverisë i jepet mundësia që ta llogarisë si më të vogël numrin e reporterëve të arrestuar, thotë gazetari. "Kur guvernatori i Stambollit flet për një gazetar fallco, atëherë ai mendon se kanë të drejtë forcat e policisë që të ma shkulin nga qafa dëshminë që kam. Policët me sa duket besojnë se e kanë të drejtën që të më godasin, të më arrestojnë dhe të më tërheqin zvarrë përtokë", shpjegon Bicici.

Bedri Baykam, artist

Bedri Baykam, artist

Raprezalje kundër medieve kurde

Gazetarja kurde, Zeynep Kuray, e cila gjithashtu merr pjesë në demonstratë, tregon se ka qendruar një vit e gjysëm në burg. Para dy muajve e liruan. Kuray punon prej vitesh për gazetën me drejtim socialist "BirGün" ("Një ditë") si dhe për agjencinë kurde të lajmeve, Firat. Atë dhe shoqet e saja i akuzuan se ishin anëtarë të Bashkimit të Komuniteteve Kurde (KCK) të shpallur si ilegal. "Në burgje ka kaq shumë shpërdorime. Nuk është e qartë, pse arrestohen njerëzit", thotë gazetarja.

Edhe Bedri Baykam demonstron kundër censurës. Baykam është një artist i njohur, president i shoqatës së artistëve turq si dhe gazetar i gazetës Cumhuriyet. "Kërcënimi i artistëve, censura ndaj skenës teatrore, gjithë ata njerëz në burgje - Turqia zë në këtë drejtim vendet e para në botë." Ai dëshiron që t'u thotë para së gjithash gjermanëve, se kryeministri Recep Tayyip Erdogan nuk ka sjellë demokraci në vend. "Ai përpiqet që t'ia marrë demokracinë Turqisë. Dhe ne nuk do ta lejojmë këtë", shprehet artisti.