1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gazetarët si armiq të shtetit në Ballkanin Perëndimor

Human Rights Watch dënon sulmet e shumta ndaj mediave të pavarura në Ballkanin Perëndimor. Sipas saj, qeveritë e përdorin shpërndarjen e buxheteve të reklamave shtetërore për të kufizuar raportimin kritik.

Journalisten-Proteste in Skopje Mazedonien 20.01.2014 (DW/K. Blazevska)

Protesta, Maqedoni

Kërcënime me vdekje, dhuna dhe sulmet fizike, frikësimi i drejtpërdrejtë dhe kërcënimet verbale janë shpesh pjesë e jetës së përditshme për shumë gazetarë në Ballkanin Perëndimor. Ndaj shkrimeve kritike dhe investigative reagojnë madje në mënyrë të përsëritur me padi të justifikuara shpesh me akuza të dyshimta dhe fushata vërtetë të pista edhe përfaqësuesit e institucioneve shtetërore. Qeveritë e shteteve të Ballkanit e përdorin me mjeshtëri shpërndarjen e buxheteve të reklamave shtetërore dhe të subvencioneve për të kufizuar raportimet kritike në media duke shkatërruar kështu pavarësinë e medias.  

Këto dhe represione të ngjashme ndaj mediave të pavarura e kufizojnë në mënyrë të konsiderueshme lirinë e shtypit dhe të shprehjes. Interesi i madh i qeverive për media servile dhe vullneti absolut për t'i zbatuar këto me të gjitha mjetet, rrezikojnë gjithnjë e më shumë demokracitë e paqëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.

...dhe Evropa bën sehir

Këtë tablo të zymtë të lirisë së mediave në Ballkanin Perëndimor e konfirmon edhe OJQ-ja Human Rights Watch (HRW) në raportin e saj vjetor. Në të thuhet se në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, mbretëron një klimë armiqësore ndaj gazetarëve. Një vit më parë ekspertët HRW-së paralajmëruar për shkelje të rënda të lirisë së shtypit në Bosnjë e Hercegovinë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi dhe Kosovë.

Por as qeveritë e këtyre vendeve dhe as Bashkimi Evropian nuk ndërmorën hapa konkretë për të ndërmarrë diçka kundër kësaj gjendjeje, kritikon ekspertja përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor në HRW, Lydia Gall. "Në një kohë kur në Ballkanin Perëndimor nevojitet urgjentisht gazetaria e pavarur, ajo ndohet me shpinë pas murit."

Ajo ka pak shpresë se gjendja mund të përmirësohet, për sa kohë që BE-ja nuk u bën të qartë vendeve të Ballkanit se mediat e lira dhe të pavarura janë kusht për perspektivën e anëtarësimit në BE.

I preferuari i Perëndimit dhe armiku i lirisë së shtypit

Por në kuadrin e realpolitikës pragmatike disa përfaqësues të BE-së duket se i mbyllin të dy sytë. Serbia është një shembull kryesor për këtë shkruan gazetarja nga Beogradi dhe themeluesja e rrjetit gazetaresk BIRN Gordana Igric. Në Serbi nuk ekziston më një liri e vërtetë shtypi dhe ata gazetarë që ngrenë zërin dhe kritikojnë qeverinë e kryeministrit Aleksandar Vucic, bëhen rregullisht objekt fushatash shpifjeje. Ata shahen si tradhtarë, armiq të shtetit dhe kundërshtarë të reformave të nevojshme. Human Rights Watch e mbështet këtë përshkrim me shifra zyrtare nga Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë (NUNS). Sipas tyre vetëm në shtatë muajt e parë të këtij viti ka pasur 33 sulme ndaj gazetarëve në Serbi, përfshi edhe rrahje, kërcënime dhe dhunë.

Gordana Igric (Medija centar Beograd)

Gordana Igric

Edhe kryeministri Aleksandar Vucic, i cili në Evropën Perëndimore vlerësohet si një partner i besueshëm, nuk sprapset nga sulmet e egra mbi median e pavarur. Ai i quajti disa portale online që janë nderuar madje me çmime nga BE-ja si "llum". Rrjetet e gazetarisë hulumtuese BIRN, CINS dhe KRIK janë sulmuar fuqishëm nga zyrtarët e qeverisë dhe mediat pro qeveritare. Përcaktimi si armiq të shtetit dhe kukulla të shteteve të huaja kanë qenë pothuajse gjithmonë pjesë e repertorit të shpifjeve.

Kritikë e paformuluar qartë

Komisioni i BE-së shprehet rregullisht i shqetësuar për gjendjen e lirisë së mediave në Ballkanin Perëndimor. Por sipas Human Rights Watch kritikat nuk formulohen qartë dhe janë të përgjithshme. Për këtë HRW kërkon  nga komisari i BE-së për zgjerimin, Johannes Hahn që të kërkojë prej qeverive të këtyre vendeve deklarata konkrete për hetimet në rastin e sulmeve ndaj gazetarëve. 

Por edhe këto kërkesa u japin gazetarëve serbë pak shpresa. Gordana Igric e sheh lirinë e kërcënuar të shtypit në Serbi në një kontekst  të përgjithshëm gjeopolitik dhe diplomatik  të ndërlikuar, në të cilin kryeministri serb luan një rol të rëndësishëm. Aleksandar Vucic konsiderohet në BE si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Me këtë e shpjegon gazetarja serbe qëndrimin e përmbajtur kritik nga Brukseli dhe Berlini dhe "mesazhet e vakëta për rëndësinë e vlerave demokratike në Serbi".