1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gazetarët: RTK-ja në shërbim të qytetarëve dhe jo pushtetit

Pas kritikave të Unionit Evropian të Transmetimeve Publike ndaj ndikimit të qeverisë së Kosovës mbi transmetuesin publik, reagojnë gazetarët e pavarur.

default

Drejtori i Përgjithshëm i EBU-së Jean Réveillon

Qeveria e Kosovës akoma nuk pranon të flasë për kritikat që i bëhen asaj nga Drejtoria e Përgjithshme e Unionit Europian të Trasmetimeve, e cila kritikon kryeministrin Hashim Thaçi, për ndikim mbi RTK-në, transmetuesin e vetëm publik në Kosovë.

“Presioni i qeverisë mbi RTK-së, nuk është në të mirë as të qytetarëve të Kosovës dhe as të synimeve të qeverisë për njohje të mëtejshme të shtetit të ri”, thuhet në letrën e drejtorit të Përgjithshëm të EBU-së, Jean Réveillon.

RTK-ja është në gjendje të rëndë

Këtyre shqetësimeve iu bashkohet edhe Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Kosovës. Bul Salihu, anëtar bordi i kësaj shoqate, thotë se gazetarët profesionistë të Kosovës vazhdimisht kanë ngritur zërin kundër ndikimit të qeverisë mbi transmetuesin publik të Kosovës: “Ne deri tash disa herë kemi ngritur zërin për punën në RTK-së, mbi të cilin tash qeveria e Kosovës po ushtron një kontrollë të rreptë. Aty po kontrollohet lajmi, ka pasur raste ku është ndaluar transmetimi i kronikave vetëm pak minuta para se ato të transmetohen, kronika këto të cilat nuk kanë qenë në favor të qeverisë. Kjo tregon se RTK-ja është në një gjendje të rëndë”, thotë Bul Salihu.

Agron Bajrami, kryeredaktor i të përditshmes "Koha Ditore", thotë se edhe më parë ka pasur ndikim të pushtetit mbi transmetuesin publik, por tani ndikimi ka arritur pikën kulmore. Sipas tij, politika redaksionale në RTK-së e cila duhej të ishte e pavarur, është në rrezik.

"Gjatë të gjitha këtyre viteve prej themelit të RTK-së, ky televizion më shumë i ka shërbyer politikës sesa i ka shërbyer qytetarit. Ky televizion është komercializuar tej mase gjë që nuk e lejon një transmetues publik. Pra, kjo kompani në aspektin ekonomik më shumë i ngjan një transmetuesi komercial, ndërsa, në aspektin e politikës redaktuese më shumë i ngjan një transmetuesi shtetërorë", shprehet Agron Bajrami.

Prishja e marrëveshjes nga KEK-u rrezikon të ardhmen e RTK-së

Qytetarët e Kosovës ka vite që parapaguajnë transmetuesin publik me një shumë prej 3.5 eurosh në muaj. Mbledhja e këtyre të hollave është bërë nëpërmjet faturave të energjisë elektrike në bazë të një marrëveshje me KEK-un. Kjo marrëveshje tani është ndërprerë në mënyrë të njëanshme nga ana e KEK-ut dhe si pasojë po rrezikohet e ardhmja financiare e RTK-së gjë që theksohet edhe në letrën e drejtorisë së përgjithshme të Unionit Europian të Trasmetimeve. Ndërprerja e kontratës së parapagimit të RTK-së, nga ana e KEK-ut, tani po shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, e cila së shpejti pritet të dalë me një vendim. Edhe Kuvendi i Kosovës po shqyrton mundësinë e gjetjes së mënyrave tjera të parapagimit për transmetuesin publik të Kosovës.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Elert Ajazaj

  • Data 27.10.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KGki
  • Data 27.10.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KGki